Apeli i ISHP-së, mos neglizhoni vaksinimin në kohë të fëmijëve!

Vaksinimi është një ndër bazat më të forta të shëndetit dhe mirëqenies përgjatë gjithë jetës tonë. Duke lënë mënjanë debatet që shpesh herë bëhen në lidhje me efektin e vaksinave të caktuara, apo ndikimit që ato mund të kenë tek zhvillimi i fëmijëve (për të cilat nuk ka të dhëna mjekësore sa i takon efekteve negative), ekspertët e shëndetit publik në vendin tonë apelojnë për ndjekjen e kalendarit të vaksinimit tek çdo fëmijë, sipas protokolleve të përcaktuara mjekësore.
Kjo pasi vaksinat sigurojnë mbrojtje individuale nga shumë sëmundje të rrezikshme, por përfitimi prej tyre nuk mbaron aty. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vënë në dukje se kur i gjithë komuniteti është i vaksinuar, nuk mbetet asnjë person që mund të transmetojë sëmundje ngjitëse te personat më të rrezikuar për të shfaqur ndërlikime serioze.
“Pra, duke u vaksinuar të gjithë së bashku, ne mund të mbrojmë personat më vulnerabël (të prekshëm), përfshirë këto edhe foshnjat. Çdo person meriton të imunizohet dhe duhet të ndajë përgjegjësinë sociale për të mbrojtur ata që nuk mund të mbrojnë veten. Zbatoni kalendarin e vaksinimit”, apelojnë ekspertët e ISHP-së në “Javën Evropiane të Imunizimit, 20-26 prill”, e cila ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e imunizimit në parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e jetës.
Ndikimi në parandalimin e sëmundjeve:
- Vaksinimi është një nga mundësitë më të mira që kanë prindërit për të mbrojtur foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nga sëmundjet potencialisht të dëmshme. Kjo pasi, sëmundjet e parandalueshme nga vaksina mund të jenë shumë serioze, mund të kërkojnë shtrim në spital ose të jenë vdekjeprurëse, veçanërisht në foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
- Vaksinimi është një mënyrë e sigurt dhe efektive për të parandaluar fruthin dhe ndërlikimet serioze që vijnë prej tij.
- Vaksinimi i fëmijëve kundër rubeolës mbron fëmijët e tyre të ardhshëm nga vdekja e parakohshme dhe defektet e lindjes.
- Vaksinimi kundër hepatitit “B” mbron nga sëmundja kronike dhe kanceri i mëlçisë që shkaktohet nga ky hepatit.
- Për sa kohë që poliomieliti ekziston diku në botë, ne duhet të vaksinojmë kudo. Le të punojmë së bashku për t’i dhënë fund poliomielitit.
“Vaksinimi si një nga ndërhyrjet shëndetësore më kosto efektive, është një gur themeli i mbulimit shëndetësor universal dhe jetik për arritjen e shëndetit optimal për të gjithë dhe kudo. Këtë vit, kjo javë ka qëllim të tregojë vlerën e vaksinave si një investim për një shëndet të mirë dhe mirëqenie përgjatë gjithë jetës”, sqarojnë ekspertët e ISHP-së.
Nëpërmjet “Javës Evropiane të Imunizimit’, vendet e rajonit synojnë të nxjerrin në pah mënyrat e shumta me të cilat imunizimi kontribuon në shëndetin dhe mirëqenien duke ndihmuar për: parandalimin e sëmundjeve që mund t’i marrin jetën fëmijëve ose ndikojnë përgjithmonë në të ardhmen e tyre, në mbështetjen për familje të shëndetshme apo moshimin e shëndetshëm, parandalimin e disa llojeve të kancerit, si dhe zvogëlimin e kërcënimit nga rezistenca antimikrobike.
Miti i gabuar: “Vaksina e Fruthit-Rubeolës-Shytave (FRP) në moshën 1 vjeç shkakton autizëm”
Faktet
Nuk ka prova shkencore që vaksina FRP shkakton autizëm. Shqetësimi për një lidhje të
mundshme ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit është shqyrtuar gjerësisht nga grupe të
pavarura ekspertësh në insitucione prestigjioze në botë. Këto rishikime kanë arritur në
përfundimin se provat epidemiologjike në dispozicion nuk mbështesin një lidhje shkakësore
ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit.
Sugjerimi se vaksina FRP mund të çojë në autizëm e ka origjinën në hulumtimin e
gastroenterologjisë nga Andreë Ëakefield në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1998,
Ëakefield dhe kolegët botuan një artikull në “The Lancet” duke pretenduar se virusi i
vaksinës së fruthit në MMR shkakton sëmundje inflamatore të zorrëve, duke lejuar që
proteinat e dëmshme të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të dëmtojnë trurin.
Vlefshmëria e këtij konstatimi më vonë u vu në dyshim kur studiues të tjerë nuk arritën të
provonin të njëjtën lidhje. Përveç kësaj, gjetjet u diskredituan më tej kur një hetim zbuloi se
Ëakefield ishte duke u financuar për kërkimin e tij nga avokatët që kërkonin prova për t’u
përdorur kundër prodhuesve të vaksinave. Si rezultat, Ëakefield u ndalua përgjithmonë nga
praktika e mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe “The Lancet” tërhoqi artikullin origjinal
në vitin 2010.
Studime të mëtejshme, duke marrë në shqyrtim një numër shumë të madh fëmijësh, kanë
vërtetuar se nuk ka lidhje midis vaksinës FRP dhe autizmit. Në një ndër studimet më të mëdha të këtij lloji, hulumtuesit vërtetuan përsëri se vaksina FRP nuk rrit rrezikun për çrregullimin e spektrit të autizmit (ASD). Kjo rezultoi e vërtetë madje edhe te fëmijët që konsideroheshin me rrezik të lartë për këtë çrregullim, duke qenë se kishin në familje një anëtar me çrregullime të spektrit autik.
Vlerësimi i OBSH-së për “Javën Evropiane të Imunizimit”
OBSH-ja ka përcaktuar vitin 2020-të, si “Viti Ndërkombëtar i Infermierëve dhe Mamive”. Infermierët dhe mamitë punojnë në të gjitha nivelet e sistemeve shëndetësore, si dhe në mjedise dhe kontekste të ndryshme duke ofruar një kujdes shëndetësor cilësor, duke udhëhequr ekipe, duke kryer kërkime, duke ndikuar dhe zbatuar politikat e nevojshme, si dhe edukimin e gjeneratës tjetër të infermierëve dhe mamive për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur shëndetin. Ata, gjithashtu, së bashku me vaksinatoret luajnë një rol të rëndësishëm në informimin, ndërgjegjësimin dhe këshillimin e prindërve për imunizimin,dhe në disa kontekste edhe në administrimin e vaksinimeve. Roli i tyre është thelbësor për të patur një nivel të lartë të vaksinimit, si dhe në sigurinë e vaksinave. OBSH-ja thekson se do të shfrytëzojë mundësinë e “Javës Evropiane të Imunizimit” për të theksuar fuqishëm këtë rol në vendet e Evropës, si dhe të vlerësojë vaksinatoret/infermierët për ndihmën që japin në mbajtjen e shëndetshme të komuniteteve të tyre përmes imunizimit.