Lufta me një armik që nuk e njohim

Nga Bedri Islami
E diela e parë e heshtjes, imponuar nga një armik që nuk e njohim!
Çdo gjë e zakonshme bëhet këtë të diel pazakonshmëri!
Nuk mund të jemi tek lulet plot hijedritë të mëngjesit fillim pranvere, kur të duket se ajri lëviz brenda teje si një dashuri e çmendur!
Nuk mund të lëvizim sëbashku – si shkreptima ndritëse të urtësisë së heshtur, duke ndjerë Zotat tek flasin butësisht me ne!
Dita e diel e humb mandatin e saj së bashku me iluminimin e qetë të vetmisë dhe nuk e di pse, gjithandej, dikush tund tehun e pashmangshëm të largimit !
Mitet nuk janë të përjetshëm, as miti i së dielës, në një kafe buzë rruge, me dashuri të çmendur për një bisedë, një këngë, për ndjenjën e qetësisë që të fal mëngjesi i kësaj dite!
Në tërthoren e qiellit nuk janë heroiglifet e pazbuluara kurrë të avionëve dhe askush nuk na sjell kumtin e ardhjes të njerëzve të dashur!
Është mëngjesi kur fillon e dyshon nëse Zotat janë të përsosur!
‘Zoti është aluzion i përjetësisë, kurse vetë përjetësia është iluzion i tij“, shkruan Moikom Zeqo!
E megjithatë, edhe këtë mëngjes përvëlues nga vetmia , ndjenja e së mirës vjen me një dashuri prej qumështi!
E ndjen se Heshtja dhe Jeta, Lëvizja dhe Ekzistenca – aq sa janë kundërshtarë binjakë, të konceptuar në secilën anë të së vërtetës – aq janë të ndërvarur nga njëri tjetri!
Dita le t’i përshtatet përdëllimit – çdo gjë e bukur të rikthehet – le të jetë e ndritshme miqësia pambarimisht në bashkimin njerëzor!
Kjo ditë nuk është zjarr përvëlues në zgafellat e skëterrshme; është një ditë që na sjell kumtin e të dashurve tanë, na sjell të vërtetën se çfarëdolloj altari në qiell nuk është i barazvlefshëm me atë që kemi mes nesh!
Zotat e Jetës janë të ngjashëm me ne, përmes tyre vjen Vizioni ose Ëndrra me një vijueshmëri të shtërngatshme, duke sjellë fjalët:
Mos bini në mendime – o njerëz të dashur – kjo kohë virusesh është ndoshta më e duhura për të dashur njëri tjetrin, për të ndjerë gabimet e pamëkatshme dhe t’i kuptuar ato – dhe – nesër, në një ditë pa virus – me një tjetër mirënjohje për Jetën do i shfaqesh kësaj bote!
DITA