Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Një CV, valixhe dhe një biletë avioni për në Shqipëri

Nga Rezarta Mataj/

Përpara së ta nis këtë shkrim dua të theksoj se shkrimi përmban “strong language” (gjuhë të fortë) dhe fjalë si: politikë, Kryeministër e shtet.
Dhe për ata që janë “quick to judge” (të shpejtë për të paragjykuar) siç thonë amerikanët, ky shkrim realisht nuk është “sugar-coating” (eufemizëm/ servilizëm) dhe as politik .

Përpara një viti e gjysmë, vendosa të udhëtoj drejt Tiranës e të nis një rrugëtim që më ndryshoi rrënjësisht jetën dhe mënyrën se si e shikoj Shqipërinë.

Unë ish-studentja që më është dashur të bëj edhe dy punë njëkohësisht, ndërkohë që vazhdoja studimet me kohë të plotë, shpreh sot mirënjohjen time, jo ndaj politikës në Shqipëri, por ndaj shtetit në Shqipëri, ndaj Kryeministrit aktual të vendit tonë.

Dua t’i them publikisht faleminderit që më “hapët dyert” e vendit tim pa ju interesuar bindjet e mia politike. Stafi juaj dhe administrata e shtetit që ju drejtoni iu referua vetëm aftësive të mia dhe CV-së time. Kalova në çdo fazë që do të kisha kaluar edhe këtu në Amerikë, si intervista punë, punë vullnetare, periudhë prove, shpreha dëshirën për pozicione të caktuara, u testova dhe u pranova aty ku isha më e kualifikuar.

Sigurisht, hasa shumë vështirësi, më së shumti emocionale, nga njerëz që Amerikën e kanë parë gjithmonë si shpëtimin e tyre dhe nuk reshtën së shprehuri mendimin rreth vendimit tim për t’u kthyer në Shqipëri, edhe atëherë kur nuk i pyesja.

Kur preva biletën dhe nisa udhëtimin prej 11 orësh nga Aeroporti Xhon F. Kenedi i Nju Jorkut për në Aeroportin e Tiranës nuk dija ç’më priste. Nuk njihja as rrugët dhe as lagjet e Tiranës. Ndihesha po aq e huaj sa ditën e parë që mbërrita në SHBA dhe mes lotësh i kërkoja sime mëje të ktheheshim sërish në Shqipëri.

Kisha në mëndje gjithë zërat e skeptikëve dhe atyre që e shikojnë gotën gjysmë bosh e më “këshillat” e tyre më kishin sugjeruar të mos rikthehesha me pretendimin që në Shqipëri nuk bën “hair” pa miq e pa shokë.

Në maj 2017 mbërrita në Tiranë, pa miq, pa shokë, por vetëm me dy valixhe dhe me CV-në time në dorë, me dëshirën për një eksperiencë të re, të gjeja veten time ndoshta, apo të sfidohesha. S’di tamam – tamam ç’më shtyu, por nuk isha në Shqipëri prej dështimit. Edhe pse shumë njerëz rëndom menduan se ka dështuar në Amerikë dhe u kthye në Shqipëri. Jo! Amerika është dhe do të jetë gjithmonë shtëpi për mua dhe në shtëpi je gjithnjë e mirëpritur.

Kjo është dëshmia ime personale që në Shqipëri bën shumë “hair” pa “miq e pa shokë”, madje të shijon aq shumë kur arritjet dhe sukseset i ke në bazë të meritës.

Mua personalisht jo vetëm që Shqipëria më mirëpriti, por sikundër pretendohet shpesh, s’më pyeti njeri çfarë profesioni ka im atë, ime më, ç’lidhje kam unë me partinë apo kush më ka sjellë mua në dyert e administratës, kur në pushtet është një parti e caktuar.

Unë trokita në një derë, kërkova një mundësi, punova fort dhe iu tregova të tjerëve e vetes që mund t’ia dal. Shpirti dhe zemra është pranë familjes sigurisht, por sot në këtë vit që sapo ka nisur, dua t’i shpreh mirënjohjen time publikisht njerëzve që besuan tek unë dhe të vazhdojnë ta bëjnë me të gjithë të rinjtë e tjerë që duan të punojnë e që besojnë se Shqipëria po bëhet më e mirë dita-ditës, me shumë punë dhe me dëshirën e mirë për ta bërë vendin tonë, si vendet e tjera të zhvilluara. Dhe për të gjithë pesimistet jo gjithmonë bari është me jeshil në anën tjetër.

Ndaj, sot shumë miqësisht e më dashamirësi iu them të gjithë atyre të rinjve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë të kthehen, ta provojnë Shqipërinë. Ndërsa të rinjve që janë në Shqipëri iu them të fokusohen te gjërat e bukura që ka Shqipëria dhe të përpiqen përditë të jenë qytetarë më të mirë të vendit të tyre. Nëse do të ndryshosh botën, atëherë fillo nga vetja.
(Kushdo mendon të ndryshojë botën, por askujt nuk i shkon mendja të ndryshojë veten. – Leon Tolstoj)/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button