Historia e panjohur/ Si u vra firmëtari i Pavarësisë dhe fati tragjik i pasardhësve të tij
Nga Roland Qafoku*
Hakmarrja personale në Shqipëri nuk ka kursyer as firmëtarët e pavarësisë. Atë 21 tetor të vitit 1919, Xhelal Koprëncka u qëllua për vdekje në një pritë, teksa shkonte nga Skrapari në Korçën fqinje me trimat e tij në ndihmë të shqiptarëve që luftonin kundër ushtrisë greke.
Një patriot që nuk mund të rrinte duarkryq kur Greqia synonte marrjen e Korçës. Por pak rëndësi kishte kjo për një banor të zonës, i cili kishte kohë që donte vdekjen e tij.
Ai e qëlloi Koprënckën kur ky po kalonte Qafën e Martës, duke ia ndëprerë në mes të gjithë aktivitetin e tij vetëm rreth 7 vjet nga hedhja e asaj firme të rëndësishme në Vlorë, që bashkë me 41 të tjera themeluan shtetin shqiptar.
SKENA E KRIMIT
Xhelal Koprëncka bashkë me 30 trimat e tij ishte duke kapërcyer një qafë mali, kur papritur nga një pritë u dëgjua një e shtënë pushke. Ai plumb i vetëm ishte vrastar.
Xhelal Koprëncka u rrëzua i vdekur nga kali mbi të cilin ecte. Ata që e shoqëronin, jo vetëm nuk patën mundësinë t’i vinin në ndihmë, por as të ndiqnin autrorin e këtij krimi.
Shumë shpejt u mësua se autori ishte Syrja Guri, i cili arriti të ikte me shpejtësi i ndihmuar edhe nga njohja e mirë e terrenit.
ORGANIZIMI I VRASJES
Të dhënat flasin se Syrja Guri kishte kohë që ziente për të marrë hakun e dajës së vrarë, Abdurrahman Gjonit, nga vëllai i Xhelal Koprënckës. Edhe pse duket absurde se ç’lidhje kishte Xhelal Koprëncka e, për më tepër nipi për dajën, Syrja Guri e kishte ndarë mendjen që marrja e hakut duhet të ishte ndaj një njeriu sa më të rëndësishëm.
Dhe në atë zonë më të rëndësishëm se Xhelal Koprëncka nuk kishte. Si të ishte sikur kërkonte dikë për të dekoruar, Syrja Gurit iu dukën të mjaftueshme të dhënat për shenjën e tij Xhelal Koprënckën, i cili ishte: firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, zëvendësministër i Luftës, komandant i Xhandarmërisë dhe duke i shtuar edhe titullin bej dhe shkollimin si ushtarak në Stamboll.
Në librin Personazhe kryesore të Shqipërisë, sipas raportit sekret të shërbimit të zbulimit të Admiralit të Marinës Ushtarake Angleze shkruhet:
“Abdyl bej Koprëncka nga Skrapari ka mendime të ndryshme nga ato të të vëllait, Xhelal bej Koprëncka, aktualisht njëri prej prijësve që turqit e rinj e kanë dërguar për të armatosur bandat shqiptare kundër italianëve” .
Pra, duket qartë se dikush e ka shtyrë autorin e vrasjes se shënjestra më e mirë ishte Xhelali dhe askush tjetër. Kjo lidhej edhe me aktivitetin e tij politik.
Në këtë kohë në zonën e Skraparit dhe Beratit nisën të shfaqeshin mbështetësit e Esad Pashë Toptanit, ndaj të cilit Xhelal Koprëncka kishte dalë hapur kundër.
Në këtë situatë edhe haku merrej, edhe eliminohej një kundërshtar i fortë politik. Syrja Guri e “zbatoi” urdhrin pak përpara nisjes së organizimeve të Kongresit të Lushnjës.
VARRIMI
Ka një mister edhe më të madh pse varrimi i Xhelal Koprënckës nuk u bë në vendlindje, por në fshatin e të ëmës së tij, në Gostenckë. Në një ceremoni ku mori pjesë thuajse e gjithë zona, ra në sy përpjekja e të afërmve dhe e miqve të tij për të kapur autorin.
Vetëm pak ditë pas varrimit, Syrja Guri u kap, por ndaj tij nuk u krye asnjë veprim hakmarrës. Madje, ndërmjetësit bënë që mes dy familjeve Koprëncka dhe Guri të vendosej pajtimi.
XHELAL KOPRËNCKA I RIU
Vrasja e firmëtarit të pavarësisë u shoqërua me një ters edhe më të rëndë për krejt familjen Koprëncka. Historiografia komuniste jo vetëm i mohoi Xhelal Koprënckës pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës, firmën e hedhur në deklaratën më të famshme në Shqipëri, por kjo firmë iu hoq fare nga kjo deklaratë.
Ai vetë mori cilësimin bej reaksionar dhe armik i popullit, ndërsa familja Koprëncka përjetoi kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimit.
Kulmin e arriti persekutimi ndaj të nipit që kishte emrin dhe mbiemrin e firmëtarit, Xhelal Koprëncka.
I arrestuar pesë here gjatë regjimit komunist, ai ishte pjesë e rëndësishme e revoltës në burgun e Spaçit më 9 maj 1979, për të cilën u dënua dhe u ekzekutua më 29 maj me pushkatim bashkë me dy persona të tjerë.
Xhelal Koprëncka i Riu është vlerësuar me dekoratën “Martir i Demokracisë” në vitin 1994 nga presidenti Sali Berisha.
10 FAKTE
1.Xhelal Koprëncka është një nga 42 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë
2.Xhelal Koprëncka ishte një bej i zonës së Skraparit, pronar i madh tokash, pyjesh e kullotash në Berat dhe Korçë
3.Xhelal Koprëncka pasi mbaroi shkollën amerikane “Robert College” në Stamboll u diploma si ushtarak po në Stamboll
4.Xhelal Koprëncka ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ministrit të Luftës Mehmet Pashë Dërrallës, duke mbajtur detyrën e zëvendëministrit të Luftës, por edhe si organizator i strukturave të ushtrisë dhe xhandarmërisë së shtetit shqiptar të sapokrijuar
5. Xhelal Koprëncka mbështeti princ Ëied-in dhe qeverinë e Turhan Pashë Përmetit, duke u vënë në dispozicion të tyre më 1914
6.Xhelal Koprëncka u shpall hapur kundër Esad Pashë Toptanit dhe luftoi më armë kundër forcave të tij në Berat, më 1915
7.Xhelal Koprëncka në historiografinë e komunizmit cilësohej reaksionar, kur ai në fakt ishte një nga themeluesit e shtetit shqiptar
8.Xhelal Koprënckës iu fshi firma në deklaratën e pavarësisë dhe në të gjithë librat e historisë nuk është përmendur fare si një nga 42 firmëtarët
9.Nipi i Xhelal Koprënckës që mbante edhe emrin e tij, u pushkatua nga regjimi komunist si kundërshtar politik
10.Xhelal Koprëncka i Riu vuajti në burgun e Spaçit dhe pushkatimi i tij erdhi pas frazës së famshme “ju po më dënoni në emër të armiqve të popullit, jo në emër të popullit”.
10 MISTERE
1.Përse autori i vrasjes së Xhelal Koprënckës kërkoi të merrte hak për dajën e vrarë, kur kishte persona të tjerë më të afërt në familje që mund ta bënin këtë?
2.Përse autori zgjodhi pikërisht Xhelal Koprënckën për ta vrarë dhe jo një person tjetër të familjes?
3.A ishte i nxitur Syrja Guri nga të tjerë për ta kryer këtë vrasje?
4.Si ka mundësi që autori guxoi t’i ngrinte pritë për ta vrarë Xhelal Koprënckën, kur Koprëncka ishte i shoqëruar me afro 30 persona?
5.Si ka mundësi që edhe pse ishin rreth 30 shoqërues askush nuk arriti të reagojë dhe të kapë vrasësin?
6.A ka lidhje kjo vrasje me faktin se Xhelal Koprëncka ishte deklaruar hapur si kundërshtar i Esad Pashë Toptanit?
7.A ishte kjo hakmarrje e përzier me hakmarrjen e mbështetësve të Esad Toptanit ndaj kryengitjes së Xhelal Koprënckës, të organizuar më 1915?
8.Përse regjimi komunist jo vetëm nuk ia dha vlerën që i takonte Xhelal Koprënckës, por i fshiu edhe emrin dhe firmën në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë?
9.Përse Xhelal Koprëncka u varros në fshatin Gostenckë dhe jo në fshatin e lindjes Koprënckë?
10.Përse nipi i Xhelal Koprënckës, edhe ai me emrin Xhelal, u dënua dhe më
*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017”/ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!