SHËNIM: Në cilin krah fle kreu sherbimit sekret Visho Ajazi?

Tashmë është një fakt i ditur: E gjithë struktura e lartë vorioepirote greke, së bashku me figura të njohura të shërbimit sekret dhe të ushtrisë, kanë zbritur në “fushën” e betejës elektorale shqiptare, duke u përqëndruar, më shumë se zakonisht, në disa zona, ku ende kanë lidhur kalin e megaidhesë. Në krejt pak ditë ata janë shfaqur në Himarë, ku ende mendojnë se është strofulla e tyre, por, edhe në Konispol, ku herët e tjera nuk kanë qenë kaq aktivë, sa janë tani në pragun e 21 qershorit.

Në të vërtetë gjithçka ka qenë e ditur se do të ndodhte. Ndoshta jo në këto përmasa sa tani dhe jo kaq ashpër, sepse në fund të fundit janë zgjedhje vendore, por të gjitha të dhënat e mëparshme dhe historitë e shkuara kanë dëshmuar se “futja e hundëve” do të përsëritet.

Por ndryshe nga sa më parë, ku janë përzier më shumë njerëz të politikës, deputetë dhe njerëz të mediave greke, emigrantë të larguar prej viteve dhe të akomoduar si grekë, tani janë futur në lojë detashmente të strukturave që lidhen më shumë me policinë dhe mbrojtjen, duke u bërë një rrjedhë e rrezikshme në jetën politike të një vendi fqinj.

Ka pasur një indicie pararendëse se çfarë do të mund të ndodhte. Largimi i shefit të PBDNJ nga posti i nënkryetarit të parlamentit dhe shfaqja e tij në pozicione afër qendrës ekstreme greke, ishin sinjali se politika nacionaliste ekstreme e shtetit fqinj nuk do të rrinte duarkryq. Largimi i shefit të PBDNJ ishte njëkohësisht edhe alibia se qelizat pushtetore të pakicës greke në Shqipëri do të mund të vepronin më ashpër se zakonisht.

Kjo është një lojë e përsëritur dendur nga politika greke në Shqipëri. Gjithëherë në kohë krizash politike të përfaqësuesve të saj në Shqipëri apo bjerrjeje të identitetit, egërsimi i një krahu të politikës greke është shfaqur dukshëm, që nga majat e politikëbërjes, si është parlamenti apo qeveria, e deri tek emisarët e saj shqiptarë. Sa herë kjo politikë larguese nuk ka mundur të blejë me forcën financiare ndryshimin e rrjedhës politike, aq herë është futur hapur egërsia e saj. Deklarimet e bëra ditët e fundit në parlamentin grek, qëndrimi jo koherent i qeverisë greke, mospërfillja ndaj ftesës së politikës shqiptare për të gjetur një të vërtetë të përbashkët, janë vazhdim i një loje të vjetër mbi një shfaqje të re politike ditore.

Dhe tani, kur gjërat po rëndohen në mendimin e tyre politik, derdhja në tavllën e politikës e një grupi të ndjeshëm të shërbimit sekret grek apo të figurave të rëndësishme të mbrojtjes greke, ngrenë edhe një shqetësim, i cili nuk lidhet me atë që ndodh matanë kufirit, por me atë që ndodh mes nesh. Më saktë, me atë që ndodh me shërbimin tonë kombëtar, i cili, për fat të keq, vazhdon të drejtohet nga një figurë e porositur politike, që nuk arriti kurrë të dalë mbi ata që e sollën nga shumë larg.

Visho Ajazi është njeriu që drejton këtë shërbim. Është, si të thuash, një zgjatim i vijës së shërbimit të Gazidedes. Jo vetëm se kishin të njëjtin mentor politik e administrativ, Sali Berishën, por edhe sepse e mbi të gjitha, këtë shërbim e kanë ndërtuar mbi bazën e një konfiguracioni militant, me prejardhje të ndjeshme nga viti famëkeq 1997.

Siguria kombëtare është detyra numër një e këtij shërbimi. Përtej saj nuk ka asgjë tjetër, nuk ka asnjë mision më të rëndësishëm se sa kjo dhe fakti se egërsitë nacionale janë rizgjuar herë-herë dhunshëm, nuk e bën këtë shërbim dorëjashtë misionit të tij. Përkundrazi, e bën atë të jetë edhe më i pranishëm, më diskret, por edhe më konkret njëkohësisht.

Ndërkohë në vend, krejt ndryshe nga sa më parë, gjërat po lëvizin mbrapsht. Pasi organika e këtij shërbimi gjeti vende bosh për të rithirrur disa nga elementët e vitit 1997, pasi shumë gjëra të rëndësishme të arritura në drejtimin e Bahri Shaqirit, pa dyshim njëri ndër më të cilësuarit në këtë fushë edhe nga institucionet analoge, u shqelmuan, pasi u bë metodë shfaqja e shërbimit si pjesë vasale e shefit të dikurshëm të qeverisë dhe më tepër se gjithçka vëmendja u përqëndrua tek pjesa e politikës shqiptare që kërkonte të vinte dhe erdhi në pushtet; të tjerat, për fat të keq, u lanë pas dore, në një harresë të skajshme.

Ende nuk dihet se me cilën rrjedhë mori lulëzim kaq të menjëhershëm lëvizja radikale islamike në Shqipëri, si bulëzuan celulat e këtij radikalizmi, kush ishin burimet financiare që i shërbyen dhe njerëzit që e ngritën këtë rrjet. Sepse të mendosh se gjithçka erdhi vetvetiu, është një naivitet i pafalshëm. Ende askush nuk e di saktësisht se sa shqiptarë, djem e gra të reja, janë bërë pjesë e ISIS-it, apo edhe më tej, janë vrarë atje; nuk dihet ende rruga që përshkruhet dhe rrjeti që i përgatit këto lëvizje. Atëherë, kur janë ngritur këto probleme, jo rrallë është menduar se e gjitha kjo ka qenë e vështirë për t’u rrokur menjëherë në të gjitha gjerësinë e saj, megjithëse nuk ka qenë kështu… po tani?

Tani gjendja është krejt hapur, në dritë të diellit, rrugëve e shesheve të jugut të Shqipërisë, siguria kombëtare e së cilës ruhet pikërisht nga Shërbimi i Visho Ajazit. Ndërkohë ky shërbim fle dhe, si thoshte Migjeni, duhet një top katërdhjetëedysh për ta zgjuar. Jam i bindur se ky shënim nuk ka asnjë një të mijtën e forcës së zgjimit, sepse, shumë para tij, në këtë gazetë, DITA, janë shfaqur me figurë, e ndoshta edhe me zë e kanë të regjistruar, shfaqjen e këtij detashmenti ultras grek në vendin tonë. Në se do të kishte patur një zgjim të vrullshëm, kjo do të kishte qenë e menjëhershme, vrulltas, jo duke bërë reminishenca nga e kaluara e para tri dekadave, e as duke bërë gjestikulacione politike me arrestime të bujshme e lirime po aq të bujshme, por duke saktësuar gjërat dhe vendosur ato në vendin e tyre.

Visho Ajazi, që nuk e di ende në cilin krah fle, ka kohën e zgjimit. Ai duhet të kuptojë se shefi i qeverisë nuk është më Berisha, i cili po ashtu përmes deklaratave të tij haluçinante e dëmton sigurinë kombëtare, e po ashtu, Ajazi duhet të dijë se përtej politikës së ditës, edhe kur ajo zgjat tetë vite, është një përcaktim i saktë kombëtar, kundër të cilit apo ndesh të cilit, nuk mund të bëjë askush. As vetë Visho Ajazi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close