Historia e 49 ish-grevistëve të Valiasit dhe medaljeve të tyre me peshë 4.5 kg flori
Përparim Halili
Sot mbushen 7 ditë, që një grup protestuesish të mbështetur nga PD janë futur në një grevë urie në qendër të Tiranës. Ish-kreu i PD, Berisha e cilësoi grevën e tyre e “drejtë universale, si kontribut integrimi, si martirizim dhe heroizëm kombëtar”. I njëjti që e quajti “banale, vrastare, anti-kombëtare” një grevë të mëparshme të këtij lloji për qëllime shumë me përfshirëse.
Hipokrizia me grevat e urisë ka nisur që në fillimet e rënies së ish-diktaturës. E kemi fjalën, për ish-grevistët e minierës së Valiasit, të datës 25 maj 1991. Sot është 27 maj 2014. Plotë 19 vjet më parë, në 27 maj 1995, në përkujtim të grevës së urisë të minatorëve të Valiasit, Sali Berisha ish-President i Republikës shpalli dekretin dhe zhvilloi ceremoninë e dekorimit me titullin “Pishtar i Demokracisë”, të 49 ish-grevistëve, të cilët në 25 maj 1991 u futën në grevë urie në galeritë e minierës së Valiasit.
Ish-grevistët e urisë të 25 majit 1991, që janë ende gjallë, ndihen të mashtruar e të tallur prej atij dekorimi fals. Në historikun e Presidencës, është fiksuar fakti, që ish-presidenti Berisha, me dorën e tij u dha grevistëve çertifikatat prej letre format “A-4, me titullin “Pishtar i Demokracisë”, ose “fletët e nderit” siç i quajnë ata me ironi.
Sipas përcaktimit, titulli “Pishtar i Demokracisë”, përveç vlerës morale (çertifikatës motivuese), në momentin e dhënies duhet të shoqërohej dhe me dekoratën vlerë materiale, simbolin fizik të medaljes, që në rastin konkret përcakohej se ishte prej ari. Por medaljet prej ari, nuk u dhanë. Sali Berisha, u dha ish-grevistëve vetëm nga 1 copë letër “A-4”, me vulë e firmë të tij, të shkruar me ngjyrë blu dhe siglën e PD e Presidencës. Po medaljet prej ari? U tha, se do të jepeshin disa ditë më vonë, me ceremoni publike po në Presidencë, personalisht nga Sali Berisha, mbasi nuk ishin bërë ende gati, sepse nuk kishin ardhur nga Turqia ku ishin porositur për prodhim.
Ish-grevistët, deklarojnë se pritën pas disa ditësh, javësh, muajsh e vitesh medaljet e arit “Pishtar Demokracie”, por nga Presidenca nuk u kthehej përgjigje edhe pse deri në nëntor 1996 ishin bërë afro 340 ankesa e kërkesa drejtuar Sali Berishës. Qysh prej ditës së dekorimit e deri sot, kanë kaluar 19 vite dhe ish-grevistëve nuk u janë dhënë medaljet. Ata që janë ende gjallë, vazhdojnë t’i kërkojnë.
Sipas deklarimeve të bëra prej ish- grevistëve Fiqiri Xibri e Dulejman Cuka, 49 medaljet me përbërje ari “Pishtar i Demokracisë”, janë zhdukur qysh 20 ditë përpara ceremonisë së dekorimit. Sipas ligjit, duhet të ishin dhënë në momentin e dekorimit, më 25 maj 1994, përvjetorit të 4-ët të grevës së urisë të Valiasit. Sipas dekretit “Berisha” Nr. 72, datë 22 mars 1995, janë 49 ish-grevistë të Valiasit, të dekoruar me titullin “Pishtar i Demokracisë”, me medalje ari. Çdo medalje, sipas përcaktimit të vlerës material fizike, kishte peshë prej 92 gramë flori. Sipas llogarisë, rezulton se 49 medaljet së bashku, kishin gjithsej 4 kilogramë e 508 gramë flori.
U tha atëkohë se presidenca shqiptare ka bërë pagesën e prodhimit të tyre në Turqi, por medalje nuk janë parë me sy prej të dekoruarve. Në regjistrin dhe inventarin fizik material të dekoratave në Presidencë, këto 49 medalje ari me peshë 92 gramë secila, figurojnë sikur u janë dhënë 49 ish-grevistëve.
Të 49 ish-grevistëve të Valiasit në 25 maj 1995, iu premtua se krahas medaljeve prej ari, do t’u jepeshin edhe pensione të posaçme në vlerën 25 mijë lekë të reja, mbi vlerën e pensionit të minierës. Por edhe premtimi për pensionet suplementare me fond të posaçëm qeveritar, rezultoi mashtrim. Asnjë prej 49 ish-grevistëve, nuk e ka përfituar këtë lloj pensioni, paçka se disa ish-grevistë të Valiasit të lënë rrugëve edhe pa pension pleqërie, thonë se me porosi të Sali Berishës, këtë pension suplementar të posaçëm qeveritar e ka përfituar vetëm kreu i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve dhe BSPSH, zoti Gëzim Kalaja. Ndoshta me këtë lidhet fakti, që ai nuk kërkon që kjo e drejtë të zbatohet për ish-grevistët e tjerë të minierës së Valiasit.
Të dekoruarit e grevës së Valiasit, të 25 majit 1991
1. Gëzim Kalaja
2. Besim Duli
3. Fiqiri Xibri
4. Roland Përmeti
5. Dulejman Cuka
6. Petrit Gjyla
7. Jakup Avdia
8. Lutfi Koçi
9. Stavri Koroveshi
10. Alfred Trekuçi
11. Fehmi Kaco
12. Agim Kasëmi
13. Abas Kadiu
14. Faik Ruçi
15. Enver Shehu
16. Arjan Sula
17. Ramiz Bici
18. Edmond Xhaja
19. Myftar Dushku
20. Enver Brati
21. Adnand Peshkopia
22. Xhevahir Isaku
23. Flamur Shehaj
24. Sami Kariqi
25. Gëzim Gjoci
26. Dylber Qosja
27. Gëzim Arapi
28. Edmond Xeba
29. Aleksandër Gjokla
30. Agron Çangu
31. Shefki Bulla
32. Kujtim Mehmetaj
33. Zylyftar Çako
34. Shaban Maknori
35. Tefik Cenmurataj
36. Ilir Shehaj
37. Sajmir Laze
38. Selman Algjoni
39. Pëllumb Rrunga
40. Shpëtim Rrunga
41. Ardian Goci
42. Valter Shkëmbi
43. Artur Deda
44. Abdyl Sulejmani
45. Fran Noka
47. Fazlli Liçi
48. Ismet Noka
49. Refit Nushaj

Foto nga greva e Minatorëve të Valiasit, që çoi në rrëzimin e qeverisë “Nano 1″ në qershor të vitit 1991. Në foto shikohet Azem Hajdari, ish- deputet i PD-së dhe Kastriot Islami, në atë kohë Kryetar i Kuvendit si deputet socialist, si dhe Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së grevës së minatorëve