Sherr me grushte mes deputeteve Qefalia, Prenga e Strazimiri (VIDEO)
Korridoret e Kryesisë së Kuvendit janë bërë arenë e një përleshjeje fizike mes deputetëve Strazimiri, Qefalia e Prenga. Sherri ka nisur pas deklaratave ironike të deputetit demokrat në Komisionin e Ligjeve dhe është zhvilluar jashtë dyerve të tij, fillimisht me deputetin Qefalia, dhe më pas me përfshirjen e Prengës.
Gent Strazimiri: Pastaj bëhet një peticion nga masa, që të shkarkohet dhe është shkarkuar. Rasti i Zana Xhukës. E shikoni si zgjidhje këtë, që të shkojë në KLD Xhemali me Pirron e të bëjnë një inspektim, pastaj të vijë një fletërrufe nga populli dhe të shkarkohet KLD-ja? Është kjo një nga mundësitë, apo jo?
Kjo ka qenë deklarata, bërë gjatë diskutimit të projektligjit të ri të KLD-së, e cila është pasuar pak më vonë me konfrontim fizik në korridoret e Kuvendit, mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Përleshja, që degjeneroi në grushte mes deputetëve, ka nisur kur deputeti socialist Xhemal Qefalia, njëri nga personat që ka qenë pjesë e grupit të kontrollit në SHISH, i ka kërkuar deputetit demokrat Gent Strazimiri, në korridorin e Kuvendit, të mos ia përmendë më emrin, për sa kohë ai nuk e bën një gjë të tillë.
Por, sipas dëshmitarëve, deputeti demokrat ka reaguar fizikisht ndaj deputetit socialist. Pas zhurmave, që janë dëgjuar në korridor, deputetet socialistë Pirro Lutaj dhe Armand Prenga kanë dalë nga Komisioni dhe këtu, me sa duket, ka nisur përleshja e dytë, ajo mes Prengës dhe Strazimirit këtë radhë.
Ndërsa në Komision raportohej për projektligjet e reja, të propozuara nga Ministria e Mbrojtjes, zhurma dhe sherri kanë bërë që, pothuaj të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve të dalin në korridor dhe të ndërhyjnë për të evituar degjenerimin e mëtejshëm të situatës.
Deputetët Ruçi, Fino, Shalsi, Bylykbashi etj, dhe punonjësit e Gardës së Kuvendit kanë ndarë deputetët, duke larguar deputetin Strazimiri për në ambiente të tjera të Kryesisë dhe deputetin Prenga në anën tjetër të sallës.
Pas konfrontimit fizik, deputetët demokratë kanë lënë Komisionin e Ligjeve.
“Ka ndodhur diçka e rëndë në Kuvendin e Shqipërisë dhe është e kotë të flasim këtu për kontolle dhe stërkontrolle. Sapo është goditur një deputet i opozitës, sepse bëri detyrën e vet, ngriti problemet, denoncoi, atë që bën kjo opozitë. Është e kotë të vazhdohet diskutimi, ky Komision ka marrë fund, është totalisht i kapur. Ne nuk qëndrojmë më në këtë Parlament”, u shpreh Oerd Bylykbashi, deputet i PD.
Në këto kushte janë votuar ligjet e rendit të ditës në parim, ndërsa deputetët socialistë nuk kanë bërë asnjë deklaratë.
Basha: Rama, skenar presioni ndaj opozitës
Pas incidenti në mjediset e Kryesisë së Kuvendit ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili deklaroi se mazhoranca dhe personalisht kryeministri Edi Rama kanë ndërtuar një skenar presioni ndaj opozitës, pjesë e të cilës është edhe dhuna fizike, sic u demonstrua të martën në zyrat e Kuvendit.
“Është sulmuar qëllimisht deputeti Gent Strazimiri. Pas këtij sulmi është Edi Rama që kërkon të sulmojë deputetët e opozitës për t’i mbyllur asaj gojën. Rama u ka siguruar karrigen në Parlament njerëzve të kartelit të drogës. Dënoj këtë akt banditesk dhe skenarin e Ramës që kërcënon deputetët e opozitës dhe për rrjedhojë demokracinë në vend. Edi Rama ka dështuar në cdo drejtim, rendi dhe situata ekonomike kanë dalë jashtë kontrollit. Ky është një skenar i rrezikshëm që Rama po mundohet ta instalojë përmes ndihmës së njerëzve të kartelit të drogës në Parlament. Partia Demokratike ka fituar gjithmonë ndaj këtyre regjimeve dhe do fitojë sërish ndaj këtij regjimi. Edi Rama do japë llogari për këtë skenar dhune”, tha kreu i demokratëve, Lulzim Basha.