Nuk kalon projektligji për amnistinë
Me 70 pro, 21 kundër dhe 2 abstenime, Projektligji për amnestinë nuk ka kaluar në lexim të parë, pasi që janë dashur 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Me shumë polemika e mospajtime, ligjvënësit kanë debatuar për Projektligjin e amnistisë. Përderisa sponzorizuesi i këtij projektligji, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka prezantuar këtë projektligj, duke thënë se është arritur që kjo amnisti të ketë balancin etnik dhe nuk do të amnistohen njerëzit që kanë kryer vrasjen e Enver Zymberit e Selver Haradinajt.
Por kjo nuk e bindur opozitën, duke e kundërshtuar dhe duke e vlerësuar si të dëmshëm për vendin. Por edhe deputetët e koalicionit qeverisës kanë pas vërejtje në këtë projektligj.
Me këtë rast zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se përherë të parë po diskutohet për një ligj të tillë dhe sipas tij është e natyrshme që të ketë debate të këtilla.
Por ai u ka thënë deputetëve që është në dorën e tyre që të vendosin për këtë projektligj.
Gjithashtu ai ka thënë se është arritur që ky projektligj të mos jetë i ndarë në etnicitete.
“Kemi qenë të kujdesshëm që të mos përfshihet kjo amnisti vetëm në balancin etnik. Këtu është dallimi mes nenit 3 dhe 5. Habitem me reagimet e disa ekspertëve në veçanti kur ata mendojnë se duhet ti trajtojmë ndryshe etnicitetet tona. Nuk kam mundur ti lejoj vetes ti propozoj ligjin vetëm për një etni”, ka theksuar Kuçi.
Për më tepër ai ka thënë se nuk ka parti politike në këtë vend që nuk ju ka premtuar amnisti të burgosurve.
Sipas tij, të burgosurit duhet të kenë të drejta të plota por të respektojnë ligjin.
Numri dy i ekzekutivit të vendit ka thënë se nga kjo amnisti nuk përshihen edhe njerëzit për vrasjen e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt.
“Këtu nuk përfshihet asnjë vrasje dhe lëndim trupor për personat zyrtar. Nuk përfshihet asnjë rast, vrasja e Enver Zymberit e Selver Haradinaj”, ka deklaruar ai.
Kuçi ka thënë se neni 3 është i diskutueshëm atë edhe mund ta heqin deputetët. Por ai u ka kërkuar deputetëve që të kujtojnë ndjenjën humaniste ndaj qytetarëve tanë.
Pas prezantimit të këtij projektligji ka filluar debati nga ana e deputetëve.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Halit Krasniqi ka thënë se ky projektligj duhet të votohet në lexim të parë dhe deri në leximin e dytë të bëhen ndryshimet që janë të arsyeshme.
Ndërsa deputeti Haki Demolli në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se në parim subjekti i tij përkrah aprovimin e ligjit mbi amnistisë që paraqet një ndër veprimet e parapara për planin e implementimit të marrëveshjes.
Por Demolli ka thënë se është i shqetësuar me nenin pesë të këtij projektligji që parasheh amnistimin e kriminelëve, duke kërkuar që analizohet më mirë.
“Vërejtja kryesore është te veprat penale, zakonisht parashihen një numër më i vogël i atyre veprave, ndërsa këtu kërkohen të amnistohen mbi 100 vepra. Një ligj i tillë nuk ekziston askund në botë. Duhet të rishqyrtohet mirë numri i tyre dhe të reduktohet, duhet të hiqen veprat penale me pasoja të rënda dhe përdorimin e formave të ndrshme të dhunës, si dhe vepra që cënojnë sigurinë dhe pasurinë e jetës së qytetarëve e që është duke u rritur prej vitit në vit. Më tutje LDK është tejmase e shqetësuar me ninen pesë ku janë të përfshirë edhe për tu amnistuar edhe një numër i madh i veprave penale të pastra ekonomike që e dëmtojnë ekonominë e vendit”, ka deklaruar Demolli.
Ai ka thënë se nuk beson që ka vend në botë që do të amnistonte kriminelët që duke dëmtuar ekonominë janë bërë milionerë dhe do të legalizonin pasurinë e tyre të jashtëligjshme.
Grupi parlamentar i LDK-së përkrah në parim këtë projektligj, me kusht që deri në miratimin final të përfshihen këto tri amanadamente, siç është:
1. Në amnesti të mos përfshihet asnjë kryerës i veprave penale dhe mos të amnistohet asnjë vrasës,
2. Amandamenti me të cilin do të përcaktohet që asnjë zyrtar publik apo shërbyes civil i cili me veprimet e kundërligjshme është pasuruar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nuk do të amnistohet,
3. Neni 3 i këtij draftligji të fshihet në tërësi.
Ndërkohë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se ky projektligj ka për qëllim amnistinë e krimit të orgnaizuar korrupsionit dhe amnistinë e të gjithë atyre të korruptuarve të kësaj qeverie dhe atyre të mëparshmëve.
Gjithashtu ajo ka thënë se ky projektligj po amniston edhe njerëzit e strukturave ilegale të Serbisë që kanë vepruar në Kosovë.
“Neni një thotë që do të amnistohen edhe personat që janë në ndjekje penale për vepra penale, po amnistohen ata që tashmë janë duke u hetuar e kta janë strukturat ilegale të Serbisë që janë të instaluara në Kosovë dhe e kanë mbajtur nën okupim një pjesë të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se përkrahin në parë projektligjin, por ka rikujtuar që mos të kishin ndodhur bisedimet për veriun nuk kish ardhur ky projektligj, gjë që sipas tij nuk u është treguar opionionit.
“Mendoj se gjithçka ëshë folur për projektligjin, ka pas taborre kogja të zorshme, por kemi dështuar me fol për politikën e ligjit, kemi dështuar me fol drejt. Kemi hezituar në shumës nuk po flas, por me qenë korrekt, por është hezituar që të tregohet me të vërtet pse po vjen ky ligj. Sikur mos të kish qenë problemi i veriut, sikur mos të kishin bisedimet nuk kishim ardhur deri të Ligji i amnistisë dhe duhet me thënë se nuk është as turp as mëkatë”, ka thënë Gjini.
E kundër këtij ligji ka thënë se do të votojë deputeti i PDK-së, Nait Hasani, duke thënë se nuk do të lejojë që me votën e tij të amnistojë bandat dhe kriminelet në Kosovë.
Në fund të debatit edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për këtë projektligj, duke thënë se ky projektligj nuk është për amnesti, por për amnezi.
“Kriminelët e luftës në Beograd dhe kriminelët e paqes në Prishtinë kanë vendosur që të falin krimet. Nuk behet fjale për projektligj per amnisti, po per projektligj per amnezi”, ka theksuar Kurti.
Pas një debati të gjatë dhe polemika të shumta nuk ka kaluar Projektligji për amnestinë. Me 70 vota pro, 21 kundër dhe 2 abstenime nuk ka kaluar ky projektligj në lexim të parë, duke bërë që të i kthehet Qeverisë së Kosovës për rihartim. /Kosovapress/
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!” Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.