Punimet artizanale, rreziku i zhdukjes së traditës ilire

Qëndisma me motive shqiptare. Diku një shqiponjë, diku burra e gra me veshje popullore nga ato të hershmet me qeleshe e me jelekë, ashtu si e donte tradita. Këto qenë kryefjala e ekspozitës së punimeve artizanale të grave kuksiane, çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar e që mbyllet më 24 shkurt.

Punimet artizanale të 60 grave nga qyteti i Kukësit erdhën në një aktivitet të përbashkët. Të pranishmit mundën të shihnin sixhade, qilima, etj. Punimet me grep dhe me dorë që ato kanë ekspozuar, sjellin traditat kombëtare të Shqipërisë, kryesisht ato të zonës së Kukësit. Sipas Lumturi Bajas, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Gruaja në Zhvillim”, mbajtja gjallë e traditës dhe përçuarja e saj tek brezat e rinj është disi e vështirë, pasi mungesa e tregut nuk i nxit të rejat. Baja si drejtoreshë e një prej shoqatave të angazhuara në zbatimin e projektit të financuar nga SOROS, na thotë se dikush që është i interesuar, mund t’i porosisë punimet artizanale që do të blejë tek gratë që i realizojnë ato.

E pyetur se çfarë synon ky projekt i Soros-it, ajo na tha: “Ne konstatuam që gjatë kohës së tranzicionit tradita po zhdukej. Me anë të këtij projekti kemi gjashtë muaj që kemi hapur një dyqan në Kukës, ku janë aktivizuar rreth 60 gra. Jemi në aktivitetet e fundit të projektit, por mendojmë ta vazhdojmë këtë punë”. Sipas saj, më parë gratë e Kukësit që bënin punime artizanale nuk kishin një adresë të saktë, ndërsa tani janë grupuar në këtë dyqan. Ajo thotë se u janë bashkuar edhe disa gra që kanë punuar për më shumë se 20 vjet në sixhade apo qilima e që e kishin lënë këtë zanat duke u marrë me diçka tjetër për të siguruar jetesën. Sipas saj, ato tani synojnë që këtë traditë t’ua lënë vajzave të reja. Prodhimet e artizanatit të sotëm kuksian janë në vazhdën e traditave shekullore që datojnë që nga koha ilire. Ka qenë shumë e lashtë tradita e poçerisë, e cila në rrethanat e sotme mund të quhet e zhdukur. Edhe gdhendja e gurit, drurit, punimi i hekurit, kanë qenë përdorur gjerësisht dikur për zbukurimin e shtëpive, duke filluar që nga periudha e mesjetës e në vazhdim.

Por edhe këto janë profesione që harrohen. Punët e dorës së grave janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës, deri në ditët e sotme. Qilimat e sixhadetë e prodhuara nga gratë kuksiane janë të një cilësie të lartë dhe tepër të preferuara. Një vend të rëndësishëm në punëdoret e grave e zë edhe përgatitja e kostumeve tradicionale. Ato janë ruajtur në origjinal dhe janë shprehje e qartë e identitetit kuksian. Shumë e lashtë vjen tek gratë tradita e punimit të leshit avlëmend, që përdorej për prodhimin e veshjeve dhe pëlhurave që i nevojiteshin një shtëpie. Izolimi për shkak të infrastrukturës i qytetit të Kukësit ka bërë që tradita të ruhet edhe më shumë e paprekur. Përdorimi në sixhade i elementeve kombëtare është i zakonshëm. Tashmë është zgjuar disi interesi për prodhimet artistike të traditës.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close