Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Dallga e Isos mbi valën e detit të Korintit – Jehona e këngës Labe në Greqi

Shënime mes njerëzve të Korintit dhe “Vëllazërimit” të këngës labe…

E shtuna në perëndim më mori nga Athina për të më ankoruar për disa orë atje ku një shesh i madh, me një kalë në fluturim si në legjenda i qëndronte lart gjelbërimit të barit dhe të pemëve dekorative, shatërvanëve dhe poshtë detit në qetësinë që vetëm disa valë pupëlore e bëjnë të gjallë.

U nisa me Fatmir Xangon, shofer taksie, meraku i të cilit ishte se si dhe sa ligji i ri do tu krijojë hapësirë taksistëve shqiptarë të jenë me mjetin e tyre, me lejen e tyre. E tëhollëm “petën” e ligjit deri sa kaluam “diodion” për tu ndalur aty në pritje që këngëtarët e këngës labe të bëheshin tok e isoja të përhapej rrugës deri në Korint. Këngëtarët e “Vëllazërimit” janë njerëz të punës, nuk i ndahen dhe nuk e lëshojnë atë veçse kur dallga e këngës i rrëmben dhe i lidh në ‘prangat” e shpirtit. Vonesa na e mori kërshërinë që Korintit të bukur ti hynim ditën e në pritje të radhës së këngës ta pinim një kafe me kaltërsinë e detit në sy dhe mikpritjen mërgimtare shqiptare në shoqëri…

Shpejt u bëmë pjesë e festivalit antiracist, të parit që zhvillohej në qytetin e Korintit, pjesë e ligjëratave që kalonin gojë më gojë nga ligjëruesit grekë e mërgimtarë, pjesë e mozaikut të “sofrës së shtruar” nga komunitetet e emigrantëve, pjesë e këngës…

Në Korint çiftin Duri, Artemisin dhe Marinelën, “Çiftin e Gjuhës Shqipe” siç është i njohur në publik i gjetëm në krye të punës, përballë një tavoline të shtruar me ëmbëlsira dhe gjellë karakteristike shqiptare, përballë një stende me vlera shqiptare në Korint, spikerë në greqisht, anglisht dhe shqip për vlerave tona. Me ta ishin edhe tre studentë, Bledar Bruhamaj student në Universitetin e Peloponezit, dega politika sociale dhe arsimore, F. Bockaj nga Korça, student në Universitetin e Peloponezit në degën e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe A. Bockaj student në Universitetin Amerikan në Tiranë, mysafir i familjes Bocka emigrantë në Korint….

Më tej vjen kënga, ngjitja në skenë, një dallgë kostumesh origjinale të Labërisë që nxisin duartrokitje të fuqishme; të grekëve, shqiptarëve, pakistanezëve e më tej, duartrokitje pas zërit brilant të bilbileshës së këngës labe në emigracion Vasilika Sakaj, e hedhësit Fatmir Xengo e tej e tej isoja si e dalë nga toka, si e çliruar nga rrënjët e Lisave të Bilbilejve, si buronjë që shkumëzon e rrokullis gurët e malit, isoja e Përparimit, Kamberit, Lelos, Nikos, Ziverit… Në ato çaste i hodha një sy detit në mbrëmjen e vet të qetë. E kishte harruar dallgën, diku e kishte lënë tej në gji të Gjirit. E si mund ta ngrinte deti dallgën kur dallga e këngës dhe isos labe, në dy gjuhë, në shqipen e rapsodit të madh të emigracionit Kastriot Lekdushi dhe në përkthimin e saj në gjuhën e vendit ku tashmë, prej vitesh, ka mbirë e lulëzon ansambli (nuk e teproj) i këngës të “Vëllazërimit”?…

…Breshri i duartrokitjeve iu përgjigj rrebeshit të këngës për t’ia lënë vendin një tjetër zjarri këngësh, zjarri që e sollën “kostumet e bardha” të këngës pakistaneze në një përzierje që nuk e dalloje dot ku është skena dhe ku është sheshi. Të gjithë këndonin e vallëzonin të lirë në një vend që për ta është bërë çerdhe e një jete të re…

Më pas ajo, e zakonshmja, malli i njerëzve, fjala shqipe, sy që qeshin shqip, gojë që hapen e mbyllen në nota fjalësh shqip, shtrëngime duarsh, përqafime, dëshirë e madhe për të dalë në fotografi mes ngjyrave të kostumeve popullore labe. Ma kërkoi Bledari, studenti që e ka nis rrugën e mërgimit katërmbëdhjetë vjet të shkuara, fëmijë i trembur në një vend të huaj e përballë një gjuhe të huaj. Nuk ishte i vetmi, u bënë shumë. U thashë që të shkojmë tek “kali” siç i thonë korintikët “Pegazit” të tyre në fluturim. Atje kishte hapësirë, kishte dritë, kishte shatërvanë që e ngrinin dhe e ulnin rrjedhën e ujit në tone të qeta të magjisë së natyrës. Deti ishte pak më tutje, i qetë, nën dritën e zbehtë që i vinte nga bregu e errësirën që i vinte nga thellësia. Bëra shumë fotografi edhe pse e dija se blici i aparatit të thjeshtë amator do të mi sillte tek tuk si silueta. Disa prej tyre po i përcjell në atë dëshirë që njeriut i zgjohet kur sheh ngjyrat e vendit të vet, kumbimin e fjalës së nënës.

Po sjell edhe disa zëra fiksuar në diktofon, zëra ku malli shkrin si kripa në ujë e ngrihet e bëhet dolli rakie “ballë kazani”…

Nga Bledar Bruhamaj mësojmë se të nesërmen e asaj dite, në kuadrin e festivalit antiracist, ai do të mbajë një temë për emigracionin shqiptar në Korint. “Nesër, thotë Bledari duke qeshur, kam për tu pozicionuar si ç’duhet, në tavolinën kryesore së bashku me intervistuesin…”.

Brunilda nga Vlora: U çmenda duke kënduar këngët e bukura të Vlorës. Mu rrënqeth mishi tek dëgjoja këngët…


Violeta nga Saranda: I dëgjova dhe mu duk vetja sikur isha në Sarandë. Jam këtu me kalamajtë, me motrën e të gjithë…

Ronaldo nga Korça: Po i filmoj me aparat fotografik. Janë të paparë, shumë të paparë. U kënaqa…

Arbi, një vogëlush nga Berati, nga Poshnja: I dëgjova dhe u kënaqa…

Pajtimi nga Fieri: Për këngën erdha. E dëgjova që atje poshtë dhe vrapova këtu. U kënaqa…

Selvija nga Fieri: Më pëlqeu kënga, si s’më pëlqeu? Është e vendit tënd. Është mall i vendlindjes…

Marinela Duri, mësuese e gjuhës shqipe në Korint, organizatore e festivalit: E organizuam me forcat tona, duke u përpjekur shumë, me dëshirë të madhe, me pasion, për tu treguar të gjithëve që ne ekzistojmë këtu, dhe më tepër për të pasqyruar kulturën tonë, vitalitetin dhe ngjyrat e saj nëpërmjet këngës dhe kostumeve tona të mrekullueshme. Treguam se ne përbëjmë komunitetin më të madh migrues në Greqi dhe dimë të qëndrojmë me kokën lart…


Artemis Duri, veprimtar i dalluar i komunitetit shqiptar në Korint: Ju lumëshin këmbët që na erdhët, na respektuat bashkë me grupin “Vëllazërimi”. Ishte shumë mirë, na bëtë krenarë. Ju falënderojmë nga zemra. Dua të falënderoj në veçanti zotin Jovan Prifti si patriot bashkatdhetar për gatimet e shkëlqyera, ëmbëlsira dhe gjellë tradicionale shqiptare…

E lamë Korintin ndërsa kishim hyrë në orët e mesnatës. E lamë duke mbjellë mall, duke shuar malle mëmëdheu…

Ekskluzive nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button