Konfindustria: 100 mln eurot e qeverisë s’mjaftojnë. Ja çfarë propozojmë!

Konfindustria në një komunikim për publikun thotë se paratë e vëna në dispozicion nga qeveria për paketat mbështetëse janë të pamjaftueshme, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët që po e vuajnë më shumë krizën ekonomike si pasojë e Covid-19.
Sipas shoqatës së biznesit, e me qëllim zbutjen e pasojave të rënda në ekonomi, falimentimin e bizneseve dhe shmangien e krizave humanitare në kushtet e pandemisë Covid 19, është e domosdoshme, që ekzekutivi të ndërtojë dhe zbatojë sa më shpejt një paketë fiskale shoqëruese në nivel qëndror dhe vendor.
“Paketat financiare 1 dhe 2 të derisotme me përafërsisht vetëm 100 milion euro për periudhë tremujore, janë të pamjaftueshme për të siguruar likuiditetin minimal të ekonomisë kombëtare dhe përballimin e pasojave për shumicën e bizneseve, të papunëve dhe shtresave në nevojë.”- citon Konfindustria.
Ajo kërkon, që një nga parimet kryesore të ndërtimit të paketes fiskale Covid 19 të jetë balancimi i humbje-përfitimeve, që kanë patur kategori të ndryshme biznesi gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërkohë, që një pjesë e madhe e bizneseve dhe qytetarëve po përballen me pasoja të rënda të krizës, bën me dije Konfindustria, ka mjaft kategori biznesesh, që kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthore. Është detyrë e ekzekutivit, thotë ajo, që të përcaktojë kategoritë e bizneseve, që kanë përfituar nga gjendja e jashtëzakonshme dhe të ndërtojë politika fiskale me qëllim shtimin e likuiditetit në ekonomi, rishpërndarjen e të ardhurave shtesë drejt qytetarëve, bizneseve të dëmtuara, shtresave në nevojë dhe të papunëve.
Propozimet e Konfindustrisë:
- Kompanitë e sigurimeve në kushtet e kufizimit me ligj për pothuaj 2 muaj të lëvizjes së automjeteve duhet të rikthejnë 2/12 e vlerës së siguracionit qytetarëve. Sa më sipër është praktikë e zbatuar në të gjithë vendet e zhvilluara të botës.
- Kompanitë e shërbimeve publike si p.sh pastrimit, etj. në të gjitha bashkitë e vendit, për arsye të kufizimeve masive të lëvizjes kanë ulje të dukshme të kostove. Si rrjedhim duhen parashikuar ulje të tarifave/taksave vendore, shtyrje e tyre në kohë, ulje të pagesave për kompanië fituese të tenderave, etj..
- Kompanitë e telekomunikacionit, internetit, etj.kanë rritje të ndjeshme të të ardhurave si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Agjencitë rregullatore duhet të marrin masa për të rishikuar në ulje cmimet e shërbimeve të ofruara, etj. ose në rast të kundërt ekzekutivi të parashikojë rritjen e barrës fiskale, dividentit, tatim fitimit, etj.
- Ekzekutivi duhet të marrë masa të jashtëzakonshme për mbajtjen e valutës brenda vendit. Për sa më sipër duhet të ndalohet shpërndarja e dividentit dhe investimet jashtë vendit. Gjithashtu, blerjet nga buxheti i shtetit, agjencitë dhe kompanitë publike duhen të drejtohen drejt industrive dhe prodhuesve të Shqipërisë dhe Kosovës.