Sot, 7 prilli i Mujos / Antifashizmi dhe “kreu i socialistëve” shqiptarë

Akademiku Moikom Zeqo në një intervistë botuar para do kohësh në DITA flet edhe për antifashizmin shqiptar, duke veçuar historinë e Mujo Ulqinakut, i cili prillin e kaluar kishte 80 vjetorin e vrasjes.
“Mujo Ulqinaku është edhe heroi i parë antifashist në rrafsh europian, kaq shumë simbolikë dhe peshë ka shëmbëlltyra e aktit të tij plot dinjitet. Figura e Mujos mund t’i bënte nder çdo kombi të madh europian. Ai është njeriu që tregoi që çdo pushtim kundërshtohet nga populli” – thotë Moikomi në DITA.
Ai rrëfen disa detaje për ditën e pushtimit fashist të Shqipërisë:
“Abaz Kupi organizoi një vijë për datën 7 prill dhe mua më del dhe në dokument që ai vërtetë e mori këtë detyrë. Vija e rezistencës do të ishte nga kullat veneciane deri në urën e Dajlanit. Në kullën veneciane u vendos reparti i Mujo Ulqinakut. Kjo kullë ishte para hyrjes së portit.
Zbarkimi fashist në mëngjesin e 7 prillit pati goditje prej disa orësh pikërisht nga ky repart i vogël i drejtuar nga Mujo Ulqinaku. Vija e rezistencës që duhet të ishte deri në urën e Dajlanit nuk funksionoi dhe Abaz Kupi hodhi në erë urën e Shijakut në mënyrë që të vononte automjetet italiane për të ndjekur ikjen e mbretit Zog i cili u arratis në Greqi”.
Akademiku sjell edhe kujtimet e kontit Çiano:
“Siç thuhet në kujtimet e Kontit Çiano “Shqipëria u përdhunua si një trup pa narkozë”. Konti Çiano thekson se po të kishte një mbrojtje qoftë dhe modeste në pikëpamje ushtarake, rezistenca do të qe më e madhe.
Por çdo gjë u tradhtua madje dhe e vetmja bateri me topa që ndodhej në kodrën dhe kuotën 89 qe e pavlefshme se i kishin vjedhur gjilpërat e topave”.
Moikomi shpreh indinjatë ndaj heshtjes së Ramës dhe PS-së pas tij në datat që përkujtojnë antifashizmin shqiptar dhe simbolet e tij.
“Mujo Ulqinaku e hap rendin e emrave të mëdhenj të antifashizmit shqiptar. Konferenca e Pezës në vitin 1942, çeta e parë antifashiste në Europë e Myslym Pezës, por dhe figura të tjera popullore si Haxhi Lleshi apo Baba Faja Martaneshi qenë baza e organizimit të Luftës Nacional Çlirimtare shqiptare.
Kjo është një luftë e lavdishme se i përket një kulture të re të njerëzimit: Antifashizmit botëror. Në këtë luftë armata shqiptare për herë të parë në historinë tonë mijëra vjeçarë dhe një kontribut antifashist deri afër Vishegradit, çka përbën një akt të pashembullt.
Si ka mundësi që Kryeministri Rama por dhe figura të njohura të PS të mos e përmendin? Është një marrëzi e shumëfishtë politike, heshtja por dhe urrejtja e demonizuar kundër antifashizmit shqiptar çka do të thotë dhe një urrejtje ndaj antifashizmit botëror.
Para ca kohësh Presidenti i Francës Emmanuel Macron botoi një Manifest të quajtur “Për një Rilindje Europiane”. Në këtë Manifest Macron bën një apel të thekshëm dhe tejet të shqetësuar për të parandaluar që në zgjedhjet politike në Europë të mos fitojnë forcat e djathta neofashiste.
Çdo të thotë ta ngresh një shqetësim të tillë? Do të thotë që antifashizmi nuk vlerësohet më nëse ringjallen forcat neofashiste.
Macron shkruan “unë propozoj që të krijohet një Agjenci Europiane për mbrojtjen e demokracisë, e cila do të ofrojë ekspertë Europianë për secilin shtet anëtar, për të mbrojtur procesin zgjedhor kundër sulmeve kibernetike dhe manipulimeve. Në këtë frymë pavarësie, ne duhet gjithashtu të ndalojmë financimin e partive politike europiane nga fuqi të huaja. Duhet të ndalojmë më ligjet europiane çdo gjuhë urrjetjeje dhe dhunë në internet, sepse respektimi i individit është themeli i qytetërimit tonë dinjitoz”.
Del pra që respektimi nderimi i Antifashizmit Shqiptar është një vlerë universale Europiane. Pse në Shqipëri nuk vlerësohet Antifashizmi Shqiptar?
Jam i bindur që njerëzit seriozë dhe normalë në Shqipëri pavarësisht se nuk e kanë statusin e politikanit e kanë statusin e historisë së vërtetë dhe të çastit të historicizmit” – thotë Moikomi.
Intervista e tij e plotë botuar në Dita mund të lexohet duke klikuar KËTU