Tërmeti që shpëtoi qeverinë nga kriza politike

Në fund dhjetori të vitit 2018, disa ditë përpara ndërrimit të viteve, Rama do të mblidhte Asamblenë e PS-së duke shpallur ndryshimet e bujshme në qeveri, pavarësisht se do të kishte një përballje titanësh me dekretet me presidentin Meta.
Me një fjalim “dramatik” para anëtarëve të Asamblesë Rama ka shkarkuar ministren e Arsimit, Lindita Nikollën, atë të Financave, Arben Ahmetaj, të Infrastrukturës Damian Gjiknuri, të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, të Kulturës, Mirela Kumbaro, të Bujqësisë, Niko Peleshi dhe ministren e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato. Ndryshimet kanë prekur edhe postin e zv/kryeministrit, ku është larguar Senida Mesi, për t’i lënë vend Erion Braçes. Kishte kaluar vetëm një vit pasi Rilindja kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 2017, e që dukshëm u ndërmorën për të sfumuar krizën politike që po paralajmërohej nga aksionet e njëpasnjëshme të opozitës.
Në vend të tyrekryeministrit propozoi emra të rinj të panjohur dhe pa ndonjë stof politik, Besa Shahini, Gent Cakaj, Anila Denaj, Elva Margeriti dhe Belinda Balluku, që së bashku me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj drejtonin dikasteret kyçe në qeveri. Ministrat e rinj të sapozgjedhur do të merrnin rol të fortë, madje do të silleshin më egër politikisht se sa vetë deputetët e PS-së, duke luajtur edhe rolin e “komisarëve” me drejtimin e disa qarqeve dhe bashkive.
Kanë kaluar një vit nga qeverisja e “Rama 2” dhe pavarësisht se është kryer një analizë vjetore, kryeministri ka preferuar që të mbrojë ministrat e tij për punën e kryer deri më tani, edhe pse pjesa më e madhe vitit 2019 kaloi në trazira dhe kriza në një acarim të tejskajshëm të konfliktit politik, që kulmoi me dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës, apo me zhvillimin e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e PD-së dhe aleatëve të saj.
Nëntori i këtij viti rezultoi tragjik për shqiptarët, pasi për shkak të lëkundjeve të forta sizimike pati 51 të vdekur. Kjo tragjedi spostoi vëmendjen nga çështjet politike në zhvillimet e saj, duke sheshuar retorikat politike për zgjidhjen e krizës, apo për vijimin e reformave të mëtejshme. U spostua reforma zgjedhore u shty për një vit më vonë, mazhoranca zhvendosi kështu edhe mundësinë e një arritje të një pakti me dy opozitat politike, atë brenda dhe jashtë Parlamentit.
Gjendja e jashtëzakonshme ndikoi edhe sa i përket konfliktit mes Ramës dhe Metës, pasi mazhoranca shtyu afatin e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit, e kjo e kondicionuar edhe nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.
Përballë kësaj situate, Rama vendosi që këtë krizë të “shpëtuar” nga katastrofa natyrore ta zgjidhë vetëm me një ndryshim të vogël në qeveria duke krijuar një post ministër shteti për Rindërtimin, duke e rikthyer në kolltukun ministror, Arben Ahmetaj, pas pothuajse një viti nga largimi.
Aktualisht të paktën dy ministra shteti, Eduard Shalsi për Sipërmarrjen dhe Ahmetaj për Rindërtimin, dublojnë ministritë e plota atë Ekonomisë dhe Financave dhe të Infrastrukturës dhe Energjisë. Rama mund t’i ndante si më parë këto ministri, duke caktuar ministra me staf të plotë për përballimin e krizave të post tërmetit, se sa mund të shtojë ministra pa “portofol” pa struktura varësie, e që vetë ata ende nuk njihen në opinion se janë përfaqësues të kabinetit qeveritar.
Edhe sa i përket zhvillimeve rajonale, kryeministri Rama po gjendet përballë një situate të re në raport me Kosovën, pasi tashmë forcë e parë politike është Vetëvendosja. Për të mund të jetë një “lehtësim” largimi i Ramush Haradinajt nga drejtimi i qeverisë, por Rama duhet të llogarisë mirë betejën e re me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, që po tenton të krijojë një qeveri në koalicion me LDK-në e Isa Mustafës.
Përballja me qeverinë e re të Kosovës, nëse arrihet të formohet do të fokusohet më tepër ajo që cilësohet si nisma rajonale për krijimin e minishengenit Ballkanik. Për shkak të situatës jo të paqartë politike dhe të refuzimit të Kosovës, edhe takimi i tretë në Tiranë i këtij samiti të krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk pati një marrëveshje të sigluar për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Ai u shty për në janar të këtj viti, kur kryeministrat e presidenttët të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë do të mblidhen sërish me shpresën që Bosnja e Mali i Zi të jenë pjesë, apo dhe që të ketë edhe ndonjë qëndrim nga Kosova.
Deri në mars të 2020, Shqipëria do të ketë në fuqi gjendjen e pjesshme të fatkeqësisë natyrore, për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë, ku jetojnë pothuajse mbi 50% e popullsisë dhe është përqendruar e gjithë jeta ekonomike e politike e vendit. Me këtë situatë që do të jetë fokusuar te rindërtimi i zonave të prekura, mazhoranca mund të shtyjë edhe vitin 2020, duke harruar krizën politike, dhe për t’u futur më pas te viti normal zgjedhor, ai 2021.