Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Si u bë shqipja gjuhë zyrtare

Hasan Bello

Si u bë shqipja gjuhë zyrtare dhe përpjekjet e para për standardizimin e gjuhës shqipe (I)

Gegë e toskë vllazën; T`jet ndër ne njinija n`t`folun
e njinija n`shkrim, njinija na mban n`bashkim e na shton fuqin”1.
At Shtjefën Gjeçovi, Shkodër

Duke marrë shkas nga diskutimet e kohëve të fundit, të cilat në thelbin e tyre nuk kanë aspak karakter linguistik, e aq më pak lidhje me pasurinë dialektore të gjuhës shqipe, më poshtë do përpiqemi të bëjmë një rezyme të shkurtër lidhur me rrugën apo përpjekjet e para që u realizuan për formimin e saj si gjuhë letrare kombëtare.
    
Që në fillim të këtij shkrimi më duhet të theksoj se, veç faktit se të gjitha pikëpamjet janë krejtësisht personale, ato nuk synojnë t`a shqyrtojnë këtë problem në aspektin e tij gjuhësor. Por, vetëm në aspektin historik, si proces i cili synonte unifikimin dhe përcaktimin e një norme letrare zyrtare.
   
Faik Konica që në vitin 1905, për të integruar në gjuhën letrare kombëtare shqipe forma të ndryshme fjalësh nga të dyja dialektet ishte për përdorimin e njëkohshëm të të dyja trajtave “i varfër” dhe “i vorfën”, “nji” dhe “një” e para kur pasohej nga një emër i gjinisë femërore “nji çupë”, “nji shpatë” e dyta kur pasohej nga emra të gjinisë mashkullore “një djalë”, “një burrë” etj..2. Ndërsa një tjetër figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare, Dervish Hima, në një intervistë të tijën ku mes të tjerash ai pyetet edhe për një shtypshkronjë që kërkonte të hapte në Elbasan, shprehet:

“Dëshira ime e flaktë asht qi të ngre nji shtypshkronjë kombëtare n`Elbasan, me qenë se ai ndodhet në nji vend qendror e në ca më tepër, se dua diturija qi do të shtypim të jetë në ligjëronjë të kthielltë të këtij qyteti, me qëllim qi të dalë në shesh kjo ligjëronjë, të përkëndohet prej të gjithë gjuhësorëve shqiptarë, e ne kështu nji ditë të njifet si një gjuhë e përgjithshme letrare në të gjithë Shqipërinë me qenë qi pas mendimit të kaq gjuhësorëve shqiptarë qi kuptohet me nji udobësie të veçantë si prej Toskëve ashtu ene prej Gegëve.

Asht domethenë nji ligjëronjë në të cilën bashkohen me nji mënyrë të bukur e të lehtë gegërishtja me toskërishten”3. Në të njëjtën linjë me Dervish Himën ishte dhe Luigj Gurakuqi, i cili, në fjalimin e tij të njohur para normalistëve të Elbasanit do të theksoi se: “Elbasani sikundër asht mezi i Shqypnies mendore, do të jetë truni, do të jetë zemra e të gjithë Shqyptarëvet; këtu katundësi me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkjetojnë e do të bahet një…këtu gjuha shqype, tue u përkulëm pas kësaj ligjerate t`ambel do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkme, këndej dalin Shqyptarë vetëm Shqyptarë”4. Të gjitha këto tregojnë se pak a shumë, përpara shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, tek disa intelektualë të njohur çështja e përcaktimit të një dialekti bazë për gjuhën shqipe kishte filluar të konturohej qartë.
   
Pas ngritjes së flamurit me 28 nëntor 1912, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali, krahas masave të tjera për organizimin e veprimtarisë së brendshme të saj të cilat u sanksionuan në «Kanunin e përtashëm të administratës civile të Shqipërisë» që u botua nga fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit në organin zyrtar të Qeverisë së Përkohshme “Përlindja e Shqypnies”5, vendosi që shqipja të ishte gjuhë zyrtare. Gjithashtu njohja e «gjuhës amtare me shkrim e këndim» shpallej si një kusht i domosdoshëm për emërimin e nënpunësve «në çdo degë të administratës», kjo, siç del dhe nga një lajmërim që botonte në fillim të shtatorit “Përlindja e Shqypnies” me urdhër të kryetarit të Qeverisë së Përkohshme. Duke e përsëritur botimin e lajmërimit në disa numra të saj, gazeta e quante atë «më të bukurin urdhër që ka dhënë Qeveria gjer më sot»6.

Si rezultat i rrethanave historike që u krijuan, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali pati një jetë të shkurtër. Ajo nuk pati kohën e mjaftueshme dhe mundësitë për t`u marë me probleme gjuhësore, por, megjithatë duhet theksuar se mbetet meritë e saj përcaktimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e administratës shtetërore. Për shkak se në Kongresin Shqiptar të Triestes i cili i zhvilloi punimet nga data 1-4 mars 1913 (i iniciuar nga Austro-Hungaria) dhe në të cilin mernin pjesë rreth 150 delegatë shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumania, Bullgaria, Egjipti, Italia dhe nga shteti i ri shqiptar, krahas kërkesave me tepër rëndësi si: “Të kërkohet mbas drejtësisë një Shqypni e Madhe, e cila të jetë e zoja me jetue politikisht e ekonomikisht”7,

At Foti Ballamçi (vlleh për nga origjina) ishte ngritur dhe pasi kishte bërë një historik të shkurtër në të cilin nënvizonte bashkëjetesën në harmoni e paqe të shqiptarëve dhe vllehëve, kishte kërkuar që shteti shqiptar t`u jepte atyre autonomi territoriale8. Gjë për të cilën një delegat tjetër vlleh, Dimitri Skadima, kishte sjell si shembull autonominë që gëzonin çekët në Perandorinë Austro-Hungareze. Kjo kërkesë, megjithëse hasi kundërshtime nga delegatët shqiptar me justifikimin se binte ndesh edhe me qëllimin për të cilin ata ishin mbledhur, u përkrah pothuajse nga të gjithë delegatët vllehë9.

 Një pjesë e nacionalistëve vllehë, të cilët në prapaskenë gëzonin mbështetjen e Rumanisë, mbetën të pakënaqur. Për këtë arsye ata themeluan në Bukuresht një shoqëri shqiptaro-vllehe10. Kjo shoqëri, në mbledhjen e saj të parë, të kryesuar nga At Foti Ballamçi, shpalli se synonte të mbronte individualitetin kombëtar të vllehëve të Shqipërisë, duke shfaqur shqetësimin e saj për gjendjen e tyre në shtetin e ri shqiptar. Shoqëria, gjithashtu, angazhohej që të ndihmonte djalërinë vllehe të Shqipërisë, të stërviste mendjen, zemrën dhe personalitetin e saj, zhvillimin e vetëdijes së popullit të saj.

Kjo shoqëri pranoi dhe propozimin e avokatit Çeako Gjorgji, një anëtar i parisë së shoqërisë vllehe të Stambollit, që vllehët e Shqipërisë të luftonin për pranimin e gjuhës vllehe si gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar. Me justifikimin se gjuha shqipe nuk ishte e zhvilluar dhe se shqiptarët kishin motive serioze e të forta që të preferonin gjuhën vllehe11. Këto pretendime ngjallën pakënaqësi të madhe tek kolonia shqiptare e Rumanisë, gazeta “Atdheu” e cila botohej në Kostancë, i cilësoi reaksionarë ata vllehë të cilët kërkonin që gjuha vllehe të bëhej gjuhë zyrtare e shtetit të ri shqiptar, “

A është dëgjuar ndonjëherë në botë-pyeste ajo-që një komb, i cili ka gjuhën e tij, të përdorë një gjuhë të huaj?”12. Më pas ajo argumentonte se individualiteti kombëtar i vllehëve të Shqipërisë nuk kishte qenë dhe nuk ishte aspak i kërcënuar, krahasuar kjo me vllehët e Maqedonisë të cilët po greqizoheshin e sllavizoheshin. Përkundrazi, ata do të gëzonin të gjitha të drejtat e plota si dhe populli shqiptar.
    
Edhe pas ardhjes së Princ Widit, me 7 mars 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i cili përbëhej nga disa përfaqësues të fuqive të mëdha dhe një përfaqësues shqiptar, me 10 prill 1914 do të miratoj “Statutin Organik të Shqipërisë”. Në nenin 26 të këtij statuti sanksionohej qartë se: “Gjuha zyrtare e vendit është gjuha shqipe. Megjithatë, përdorimi i gjuhëve të tjera që fliten në vend, do të mund të lejohet, në trajtë ndihmëse dhe të përkohshme, në ato organe administrative që do të autorizohen posaçërisht për këtë nga qeveria”13. Ç`ka gjithësesi e linte përsëri një “deriçkë” të hapur, që krahas gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e principatës së re, të mund të përdorej dhe ndonjë gjuhë tjetër e ndonjë vendi “fqinjë”. Aq më tepër, kur edhe vetë Princ Widi, do të ishte i pari person që do të haste pengesë në këtë drejtim, sepse ai nuk e zotëronte aspak gjuhën shqipe.
   
Megjithëse nuk gjetën zbatim për shkak të periudhës së shkurtër 6 mujore të qëndrimit të Widit në Shqipëri, ligjet e mësipërme të cilat në një farë mënyre përbënin kushtetutën e shtetit shqiptar, ishin dokumente që njiheshin nga faktori ndërkombëtar dhe që afirmonin përcaktimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
(vijon…)

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Back to top button