E vërteta për Kazanovën në Shqipëri
Teksa vjen të spiunojë për Shën Kozmain, Kazanova mbetet i mrekulluar me himariotët. Në këtë fragment, ku po botojmë një pjesë nga kujtimet e Kazanovës, përgatitur nga një personazh shumë i dhënë pas çështjes së himariotëve, rrëfehet takimi i Aventurierit të madh me himariotët dhe admirimi i tij për ta. Nuk lë shumë shteg për të kuptuar këtë vëzhgim të tij, kur mendon se himariotët kanë qenë gjithnjë shumë ekzotikë për të gjithë të huajt që i kanë takuar; kjo jo vetëm për hijeshinë e madhe fizike, por edhe për karakterin shumë të jashtëzakonshëm, krahasuar me bashkëvendasit e tjerë…
Nga Ben Andoni
Është folur shumë për Kazanovën dhe në këtë shkrim të përgatitur nga kujtimet e aventurierit të madh, autori mundohet të na tregojë mrekullimin e tij për himariotët. Por, e vërteta për Kazanovën në Shqipëri është krejt tjetër. Në një mal me dokumente që profesor Xhufi hulumtoi pak kohë më parë në arkivat veneciane zbuloi se Kazanova ndiqte Shën Kozmain, që kish ardhur të ngrinte shkollat greke në Shqipëri.
Në fakt, kërkimet kanë qenë shumë interesante dhe publiku po pret konkludimin e historianit të njohur, që ka hulumtuar në këto dokumente për një periudhë mbi 300-vjeçare dhe që sipas tij,
do ndryshojnë shumë edhe konceptet mbi një periudhë të historisë sonë. Mes tyre, kujtojmë nga rrëfimi i profesorit, cituar nga Milosao, edhe hedhjen dritë të re mbi çështje të debatuara, “kuptohet më shumë politikisht sesa shkencërisht, mbi karakterin etnik të Himarës, Çamërisë etj. Duhet t`ju sqaroj se, dokumentet venedikase jo vetëm flasin qartazi për një popullsi shqiptare në këto treva, qoftë kur bëhet fjalë për të krishterë, e qoftë për myslimanë. Dhe, kur këtë e thonë dokumentet e Venedikut atëherë këtyre u duhet besuar më shumë sepse e kanë treguar veten shpesh në cilësinë e lartë të tyre. Këtu, po bëjmë edhe një sqarim: Venediku ishte një shtet me sjellje thuaj-thuaj laike (Republika para fesë). Kështuqë, në përcaktimin e subjekteve të ndryshme, venedikasit nuk niseshin vetëm nga koncepti fetar, sipas të cilit një mysliman ose një shtetas i Perandorisë Osmane ishte turk, qoftë edhe sikur të ishte i krishterë. Të mos harrojmë se pak kush nga subjektet e tjera i njihte më mirë popujt ballkanikë”.
Në këtë hulli ose si do ta thoshte në mënyrë metaforike profesori: një pjesë historie që duhet t’i kthehet korpusit të Historisë së Shqipërisë, na del emri i Kazanovës. Dhe, kjo lidhet me misionin e vitit 1770 në Epir, kur fillon aksionin e tij misionari Kozma nga Etolia. Ky personalitet, që do të kthehet në një shenjtor nga kisha greke, kontribuoi shumë për hapjen e shkollave greke në gjithë Shqipërinë e Jugut. Ai do të ndiqet direkt nga emisarët e Venedikut me agjentët e fshehtë të tyre. Njëri prej tyre ka hartuar disa raporte të fshehta për “Këshillin e të Dhjetëve” në Venedik, që ishte një lloj drejtorie e shërbimit informativ. “Unë kam gjetur disa nga këto raporte, madje edhe një broshurë propagandistike që Shën Kozmai shpërndante në fshatrat shqiptare, gjatë kryerjes së misionit të tij. Dhe a e dini se cili ishte agjenti venecian, që ndiqte hap pas hapi udhëtimin, fjalimet dhe takimet e Shën Kozmait? Giaccomo Casanova, dora vetë”, citohet profesori. Në një farë mënyre duke hedhur dritë shumë pastër edhe për historitë e Kazanovës, që thuhet se bënte thjesht aventura. Pra, historia e këtij njeriu s’është fare e thjeshtë. Ai kish qenë një emisar me atribute shumë më të mëdha sesa historitë e dashurisë që i veshin zakonisht.
Kazanova dhe Himariotët
Përgatiti Dr. Kristaq V. JORGJI III
I lindur më 2 Prill 1725 dhe vdekur më 4 qershor të vitit 1798, Kazanova la pas shumë libra, nga të cilat ka lënë më shumë gjurmë autobiografia e tij e titulluar “Historia e jetës sime” (në origjinalin në frëngjisht “Histoire de la ma vie), e cilësuar se një nga burimet më të vërteta të jetës dhe zakoneve në këtë pjesë të botës gjatë shekullit të XVIII. Nga ana tjetër, duhet thënë se ai njihej personalisht dhe shoqërohej me mbretër dhe papë, fisnikë dhe kardinalë, njerëz të thjeshtë, por edhe me filozofë si Volteri, shkrimtarë si Gëte dhe muzikantë si Mozarti. Por ai mbahet në histori kryesisht si i parapëlqyeri i grave. Dhe, në këtë fushë, mund të krahasohet me të vetëm një tjetër – Don Zhuanin. Kjo pjesërisht pasi Venecia e asaj kohe qe kryeqyteti i qejfit, ku padyshim karnavalet e qytetit të lagunës qenë tërheqja kryesore. Ashtu siç ka ngelur edhe sot. Ndaj edhe Kazanova qe produkt e këtij qyteti, sikurse edhe ai qe përfaqësues i tij.
Jeta e Kazanovës
Pasi hyri në Universitetin e Padovës, ku u dallua për mprehtësinë e mendjes, vullnetin dhe etjen për dituri. E veçanta është se ai hyri në këtë Universitet në moshën 12vjeç dhe doli prej andej në moshën 17 vjeçare në vitin 1742 me gradën e juristit.!!!!! Por nuk la pas dore edhe degët e tjerë sikurse kiminë, matematikën, mjekësi si dhe filozofinë. Por shpejt i hyri vesit të bixhozit dhe u zhyt që herët në borxhe.
Ndërkohë hidhte shtat dhe u shndërrua në një të ri elegant me flokët kaçurrelë të zinj, i pudrosur dhe i parfumuar. Pati si patron të parë një senator 76 vjeçar venecian, Alvize Gasparo Malipiero, i cili e futi në qarqet më të frekuentuara të Venecies, duke i dhënë përvojën e tij me pijet, verën, ushqimet dhe pa dyshim sjelljen në shoqëri. Provon të ngacmojë të preferuarit e padronit të tij, por kjo sjell dëbimin e tij nga shtëpia. Këtu nis fillesa për dëshirën dhe kërshërinë për gratë, që siç theksuam në fillim të shkrimit, mbetet pasioni i tij kryesor.
Pas skandaleve të para dhe vdekjes së gjyshes që e kish rritur, tenton të hyjë në karrierën kishtare dhe më vonë bëhet oficer për Republikën e Venedikut. Kështu bashkohet me një regjiment Venecian në Korfuz duke ardhur afër zonë së Himarës! ! !
Në moshën 21 vjeç, pasi kish bërë një vizitë në Konstadinopojë (Stambolli i sotëm) dhe dorëheqjes nga shërbimi ushtarak e kthimit në Venedik, ai bëhet një bixhozxhi profesionist, ku humbet gjithçka. Më pas bëhet violinist në teatrin San Samuel. Por fati i qeshi pasi shpëtoi në rrethana të çuditshme jetën e një fisniku nga familja e Bragadinit, të cilit i ra atak në zemër ndërsa po voziste në një gondola. Në këto kushte të vështira për jetën e fisnikut, ndërsa u thirr madje edhe prifti për të bërë ritualet e fundit të krishtera, Kazanova ndërhyri duke i shpëtuar jetën. Kështu fitoi edhe mirënjohjen për jetë të fisnikut që ishte kabalist dhe famën e personit me fuqi okulte.
Kalvari i jetës së vet
Por pas tre vjetësh duke punuar si asistent legal, detyrohet të ikë nga Venediku në Parmë për shkak të skandaleve- e akuzuan që kishte zhvarrosur një kufomë për të bërë një shaka si dhe për t’u hakmarrë, si dhe përdhunim të një vajze të re.
Pas çlirimit nga akuzat dhe kthimit në Venecie ku vazhdoi bixhozin, ai largohet për në Paris, ku mbërrin në 1750. Pa u ndarë nga aventurat dashurore, hyn në Lion në shoqatën e Frankmasonëve, që i ngjalli interesin për ritet sekretet të cilat kishin tërhequr vëmendjen e njerëzve me intelekt dhe ndikim, njohje që i dolën me vlera më pas në jetë. Në Paris, Kazanova qëndroi dy vjet, ku përveç jetës mondane dhe njohjeve me të fuqishmit, la edhe “mbresa” në policinë e Parisit. Pas kësaj ai arriti më 1752 në Dresden, dhe më pas viziton edhe Pragën dhe Vienën, ku përsëri vazhdon aventurat dashurore dhe bën shumë armiq duke tërhequr vëmendjen e policisë së Venedikut. Lista e “bëmave” të tij përfshin seduktime, zënka, debate publike dhe blasfemi, si dhe për lidhjet e tij me Frankmasonëve dhe kabalizmin.
Ndaj edhe u fut në burg pas një gjyqi, që e bëri të kalojë dënimin pesëvjeçar në katin e sipërm të pallatit të dozhëve. Sidoqoftë arriti të arratiset herën e dytë, ku pasi le Venecien arrin në Paris në datë 5 Janar 1757. Këtë episode të jetës së tij, Kazanova e përshkruan pas 30 vjetësh në librin e tij “Historia e arratisjes sime”, botuar në 1787, një botim popullor dhe që njohu dritën e ribotimit në shumë gjuhë.
Në Paris, ai njihet me Ministrin e Financave, që arriti ta këshillonte për ngritjen e fondeve për shtetin. Bëhet si pasojë një nga anëtarët e këshillit të lotarisë së parë shtetërore, që e bëri të ketë mjete për të paguar udhëtimet dhe seduktimet e tij, ku fitoi edhe njohje të reja duke përdorur famën si okultist me kujtesën e tij mbresëlënëse. Kështu si Rozikruzian dhe alkimist, ai pati njohje me shumë figura të shquara të kohës si Madamë Pompadur, kontin e Shën-Gjermanit, d’ Alamberin dhe Zhan Zhak Rusonë. Kjo dhe veçanërisht moda e alkimisë, bëri që ai të ish tepër i kërkuar dhe kjo pati efekte edhe në pasurinë e tij. Në këtë kohë shkon për herë të parë në mision si agjent në Dunkerk. U pagua mirë për këtë shërbim sa që shkroi këto radhë të cilat ngelen të vlefshme edhe sot për tërë qeveritë “Tërë ministrat Francezë janë njësoj. Vjedhin para që vinë prej xhepave të të tjerëve për të pasuruar veten dhe për këtë janë absolutë …. Një revolucion është i nevojshëm “.
![]() |
Kazanova në Venecie, pikturë e kohës |
Pasurimi i vet
Sidoqoftë lidhje të tilla i shërbyen dhe me rastin e dërgimit të tij në Amsterdam, që ishte qendra financiare e asaj kohe, ai u bë i pasur sa për të hapur një fabrikë mëndafshi. ,Por edhe kësaj here fati nuk i qeshi duke shpenzuar më tepër se sa fitonte dhe natyrisht duke kaluar kohën me punëtoret e tij, që i kish pagëzuar si “haremi”. Për borxhet u fut në burg, por bëri vetëm. Por fati nuk qe me të dhe ai u arratis në Këln dhe më pas në Shtutgart në 1760, dhe më pas në Zvicër, Marsejë, Xhenova, Firence, Romë, Napoli, Modena dhe Torino me plot aventura dashurie. Por edhe duke u takuar edhe me Albreht von Haller dhe me Volterin. Po këtë vit u nderua nga Papa Klementi XIII më Urdhërin papal “Eperon d’Or”.
Në Angli, Kazanova shkoi në 1763, ku tentoi të shiste idenë e lotarisë shtetërore. Arriti të kishte një audiencë me mbretin Xhorxh III, por duke kaluar kohën më të madhe në krevat, ku morri edhe sëmundje veneriane dhe u sëmur. Pas kësaj, udhëtoi në tërë Evropën duke përshkruar rreth 6,000 km. Kazanova shkoi deri më Moskë dhe Shën Petërsburg, ku u takua edhe me Katerinën e
Madhe dhe Frederikun e Madh në Prusi, por pa u shitur dot idenë e lotarisë shtetërore. Pati një duel në Poloni për një aktore italiane dhe pas plagosjes shpëtoi nga prerja e dorës. Kthehet në Paris, por kësaj radhe detyrohet të largohet me urdhër të vetë mbretit të Francës, Luigjit XV.
Ndaj shkoi në Spanjë, ku edhe këtu arriti të takohet me mbretin Karli III ,por edhe këtë radhë pa sukses. Ndaj u kthye sërish në Itali, ku nisi përkthimin e “Iliadës” si dhe libra të tjerë. Aty mori përgjigje për kthimin e tij në Venedik nga inkuizicioni. Por pas iluzioneve të fillimit mbeti tepër i zhgënjyer.
Rreth të 50-ave, Kazanova nuk qe i kënaqur, me pak para në xhep, me fytyrën vrarëlie, me pak femra. Iliada e tij u botua, por i solli fare pak të ardhura. Në 1779 u pagua nga Inkuizicioni për disa kohë, por në 1783 u dëbua sërish nga Venecia, dhe shkon edhe njëherë në Paris, ku takohet më Benxhamin Frenklin dhe libretistin e Mozartit, Sebastian Foskarinin. Pas 1785 bëhet bibliotekari i kontit Jozef von Ëalstein në kështjellën e Duksit, Bohemi, por mbetet krejt i pakënaqur. Këtu i erdhi lajmi se me pushtimin nga Napoleoni në 1797, Republika e Venedikut nuk ekzistonte më dhe ai qe i lire të kthej. Por qe vonë dhe ai vdiq në 4 Qershor,1798 në moshën 73 vjeçare. Thuhet se fjalët e tij të fundit qenë “Jetova si filozof dhe po vdes si i Krishterë”.
Personaliteti dhe fama e Kazanovës
Mjaftojnë faktet e sjella më sipër për të krijuar bindjen se Kazanova qe i njohur nga njerëzit e rëndësishëm të kohës së tij, që e shihnin atë si të jashtëzakonshëm, me intelekt të spikatur dhe të pajisur me një kuriozitet të pamatë. Ai qe sigurisht një aventurier i zellshëm, pjesëmarrës i shoqërive sekrete, udhëtar i palodhshëm, përherë në kërkim të fatit të tij dhe vënies të këtij qëllimi edhe njohjet e tij të pafundme. Qe dekadent, por edhe besimtar i devotshëm, katolik i zellshëm, por edhe kërkues i përgjigjeve tej konvencioneve. Besonte në lutjet dhe tej saj në vullnetin e lire dhe arsyen, por edhe shfrytëzoi sa mund kënaqësitë e jetës. Qe jurist, por edhe ushtarak, violinist, njeri i fesë, por edhe politikan, filozof, shkrimtar, përkthyes, kabalist dhe filozof shoqëror. Shkroi mbi 20 vepra dhe kishte një pasion të veçantë për teatrin dhe jetën teatrale. Përdorte Homerin dhe Horacin aq sa mundte. Në nivelin personal qe i ndjeshëm dhe bujar, por nëse e zemëroje qe i hidhur dhe i pakëndshëm deri hakmarrës.
Por emri i tij i dytë ngelet Don Zhuan.
Në veprën e tij të “Kujtimeve’ Kazanova na bën të ditur se gjatë endjeve të tij në Venecie, e me saktë në fortesën e San Andresë, atje ku fillon deti Adriatik, takon edhe Himariotë. Ja si i përshkruan ai Himariotët në këtë libër marrë nga botimi anglisht i plotë i vitit 1894, përkthyer nga Arthur Machem.
Fortesa, ku Republika që zakonisht mbante vetëm një garnizon prej 100 Sklavonësh me gjysëm rroge, qëlloi që të kishte në atë kohë rreth 2,000 ushtarësh shqiptarë, që quheshin Himariotë (ang. Cimariotes).
Ministri i Luftës, që qe i njohur nën titullin e ‘sage a l ‘ecriture” i kish thirrur këto njerëz që nga Lindja si pasojë e një dekorimi ende të pazbatuar, meqë donte që këta ushtarakë të provoheshin në vend për meritat e tyre para se të shpërbleheshin . Ata vinin nga ajo pjesë e Epirit që quhet Shqipëri, që i përkiste Republikës së Venedikut, dhe ishin dalluar në luftën e fundit kundër turqve. Për mua qe një pamje e re dhe e jashtëzakonshme të kisha mundësi të shihja tetëmbëdhjetë apo njëzet oficerë, të tërë në moshë të kaluar, por ende të fortë dhe të shëndetshëm, duke treguar shenjat e plagosjeve të tyre që u mbulonin fytyrën dhe kraharorin, ky i fundit i zhveshur dhe plotësisht i ekspozuar me një krenari prej ushtarakësh. Lietnant-koloneli qe plotësisht i mbuluar me plagë, pasi pa ekzagjerim kish humbur çerekun e fytyrës. Kishte vetëm një sy, një vesh dhe ishte pa nofull. Por mund të hante shumë mirë dhe të fliste pa vështirësi dhe qe shumë gazmor. Kishte me vete tërë familjen, të përbërë nga dy vajza të bukura, që dukeshin më të bukura kur qenë me kostum in e tyre kombëtar si dhe shtatë djem, të tërë ushtarë. Ky lietnant-kolonel ishte rreth 1.80 i gjatë dhe figura e tij qe e mrekullueshme, por vragat e plagosjeve i kishin shpërfytyruar kaq tiparet e tij sa që fytyra qe e tmerrshme për tu parë.
Por unë u tërhoqa aq shumë nga ai dhe e pëlqeva që në çastin e parë që e pashë dhe do të isha tepër i lumtur të bisedoja me të, nëse nuk do ti vinte aq shumë era hudhër nga goja. Të tërë shqiptarët i kanë xhepat plot me të dhe e shijojnë po aq sa ne shijojmë kumbullat e sheqerosura.
Nuk mund të themi se është helmuese, meqë vetia e vetme mjekësore që ka është nxitja e oreksit, pasi veprojnë si tonik në një stomak të dobët.
Lietnant-koloneli nuk dinte të lexonte, por nuk turpërohej nga padituria e tij, pasi nuk qe i vetmi në trupën e tij, me përjashtim të priftit dhe kirurgut, që ishin më të ditur. Secili prej tyre, oficer apo ushtar, kishte kuletën plot me flori; gjysma e tyre, të paktën, ishin të martuar, dhe ne kishim në fortesë një koloni prej pesë deri gjashtëqind gra, me Zoti e di sa fëmijë .
E kaloja kohën time duke shëtitur nëpër fortesë dhe nëpër kapanonet e ushtarëve dhe dy vendet e vetme të pushimit qenë dhoma e majorit për një farë çlodhje intelektuale dhe në dhomat e lietnant-kolonelit Himariot për të gëzuar grimca dashurie. Shqiptari duke qenë i sigurt se koloneli i tij do të emërohej brigadier, kërkonte të merrte komandën e regjimentit, por kish një rival dhe trembej se nuk do të arrinte. Shkrova një peticion të shkurtër, por të shkruar aq mirë sa që ministri i luftës pasi kish bërë kërkimet e tij për emrin e autorit, i dha shqiptarit postin e kolonelit. Sapo u kthye në fortesë, burri trim, fort i gëzuar për suksesin e tij, më shtrëngoi në krahë, duke thënë se këtë gjë e kishte në sajë të ndërhyrjes time; më ftoi në një darkë me familjen, ku tërë shpirti im u ngop prej hudhrave dhe më dha dhuratë 12 putarga dhe 2 paund duhan të mrekullueshëm prej Turqie .
… … … . Rreth mesit të qershorit, Himariotët u dërguan sërisht në Lindje dhe pas largimit të tyre, garnizoni u reduktua në numrin e zakonshëm. Fillova të mërzitesha nga kjo vetmi, po ta krahasoja me të kaluarën …. “