Tirana, “çerdhe” e spiunazhit bullgar
Skandali i diplomacisë post-komunist të Sofjes: ambasadorët në Tiranë dhe Prishtinë ish-agjentë të Sigurimit bullgar të Shtetit. “Investigim” riboton dokumente zyrtare të Komisionit parlamentar të Dosjeve dhe medieve bullgare për historianin e njohur dhe kryediplomatin në Shqipëri e Kosovë Bobi Bobev dhe për Teodor Rusinov

Nga Thanas Mustaqi
Në 20 vjet demokraci, ambasada bullgare në Tiranë ka qenë për 12 vjet “çerdhe” spiunazhi e kohës së regjimit totalitar. Bullgaria post-komuniste ka dërguar në Tiranë dhe Prishtinë dy ambasadorë, ish-agjentë dhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të epokës komuniste. Faktet e bujshme janë bërë publike zyrtarisht nga një komision bullgar parlamentar i posaçëm në vitin 2010. Gazeta “Investigim” boton materiale të panjohura për lexuesit shqiptarë dhe kosovarë për skandalin e diplomatëve bullgarë të epokës komuniste, të rekrutuar nga DS-ja (iniciale bullgarisht për “Dërzhavna Sigurnost” – Sigurimi i Shtetit) pa bërë rezistencë, përkundrazi me dëshirë të madhe.
AGJENT PAS AGJENTI
Ambasadori bullgar në Shqipëri Bobi Bobev (lindur në vitin 1948), i rekrutuar në vitin 1974 nga DS-ja në Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm më 12.02.1981 që qëndroi në Tiranë dy mandate (1996-2006), u zëvendësua po nga një ish-agjent Teodor Rusinov (lindur në vitin 1952) në periudhën 2007-2011. Në vitet 1974-1989 ka qenë agjenti i sektorit të Shqipërisë në Sigurimin bullgar. Ndërkohë, ndonëse Komisioni parlamentar bullgar i Dosjeve e shpalli Bobi Bobevin ish-bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, Sofja, kryeqytet i një vendi të BE-së, e dekretoi në vitin 2010 ambasador në Kosovë. I bie që në Tiranë, për 20 vjet demokraci, ambasada bullgare të ishte për 12 vjet “çerdhe” spiunazhi. Tërheq vëmendjen fakti se edhe ambasadori aktual Dimitar Arnaudov, i cili më 10 prill 2012 paraqiti kredencialet e tij në Tiranë, në vitet 1981-1986 është diplomuar në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë të Ministrisë së Jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe që kontrollohej nga KGB-ja. Ka dhe një koincidencë jo pa interes: SHT Arnaudov në vitet 1988-1991 dhe 1993-1997 ka punuar në përfaqësinë diplomatike bullgare në Athinë ashtu si dhe paraardhësi i tij në Shqipëri, Rusinov në vitet 1984-1987, agjent i sektorit të zbulimit ushtarak bullgar që mbulonte Greqinë, si vend të NATO-s.
IRONITË E FATIT
Por ka dy ironi fati me historianin e shquar dhe diplomatin Bobi Bobev. Sipas sajtit bullgar “168 ças”, hapat e tij të parë si kuadër i DS-së Bobi Bobevi i bëri pikërisht në Prishtinë, ku është aktualisht ambasador. E kanë rekrutuar në vitin 1974. Filloi të mësojë shqip me pedagogun e Universitetit të Sofjes “Kliment Ohridski”, Thoma Kacori. Rasti i “Pedagogut” të huaj ishte objekt survejimi operativ (DON). Të dy shkojnë së bashku në kongresin e ballkanistikës në Prishtinë. Bobevit iu vu detyrë të krijonte lidhje miqësore me Thoma Kacorin. I dhanë një fotografi të objektit “Doktori “- Fehmi Omer Kelmendi – për të parë nëse ai do të kishte interes për delegacionin bullgar dhe a do të kontaktonte me Kacorin. Çfarë zbuloi agjenti “Asparuh” mbetet sekret, sepse në dosjen e tij mungojnë dokumente. Ka vetëm një pusullë, në të cilën shkruhej: “Punë e suksesshme e objektit “Pedagogu”.
Ironia e dytë, ka të bëjë me faktin se në vitin 2006 Presidenti i Shqipërisë e dekoroi Bobevin “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin e veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin mes institucioneve të dy vendeve, në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë.
Mijëra hafije, nga njerëz të thjeshtë deri… eurodeputetë
Komisioni për hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare u zgjodh më 5 prill 2007 në bazë të ligjit të legjislaturës së 40-të të Asamblesë Kombëtare [parlamenti]. Këshilli i Ministrave, duke filluar nga 18 gushti 2007, duhej t’i siguronte komisionit dhe administratës së tij hapësirat e nevojshme për punë dhe mjetet teknike për kryerjen e aktiviteteve të tij dhe për marrjen e dokumenteve që vijnë nga administrata të ndryshme në përputhje me nenin 1 të Ligjit dhe ruajtjen e tyre në një arkiv të centralizuar. Pavarësisht telasheve teknike dhe rrethanave të vështira, komisioni ka filluar punën në ato pak zyrat deputetësh që u vunë vendosur në dispozicion të tij. Në përputhje me autoritetin e tij Komisioni për hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare ka verifikuar dhe publikuar emrat e shtetasve bullgarë të cilët dikur kanë mbajtur ose ende mbajnë poste publike, që kanë qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare, si më poshtë:
• Kandidatë të regjistruar për anëtarë të Parlamentit Evropian – verifikuar 144 veta, nga të cilët 6 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese – verifikuar 36 veta, nga të cilët 3 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë – verifikuar 148 veta, nga të cilët 15 veta u shpallën publikisht me dosje;
• President dhe zëvendës-president – verifikuar 8 veta, nga të cilët 2 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Punonjës në administratën presidenciale – verifikuar 105 veta, nga të cilët 21 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Deputetë – verifikuar 1794 veta, nga të cilët 140 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Të regjistruar si kandidatë për kryetar bashkie dhe këshilltarë bashkiakë për zgjedhjet lokale 2007 – verifikuar mbi 44 000 veta, nga të cilët 1360 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Kryeministra, zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra – verifikuar 673 veta, nga të cilët 117 veta u shpallën publikisht me dosje.
Komisioni gjykon rast pas rasti vetëm në bazë të verifikimit të drejtpërdrejtë të dokumenteve origjinale të njerëzve. Nëse është e nevojshme, ai bën verifikime të mëtejshme në arkivat e depozituara dhe organizon seanca dëgjimore me punëtorë operative. Çdo vendim është rezultat i veprimtarisë hetimore dhe analitike.
Në punën e tij, Komisioni për hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare ndjek parimin e hapjes të plotë. Pavarësisht disa reagimeve negative të njerëzve dhe qarqeve të prekur nga ligji dhe zbatimi i tij të rreptë, komisioni ka mbështetjen e publikut dhe medieve për punën e tij. Interesi i lartë është dëshmuar duke gjykuar nga numri i madh i njerëzve që vizitojnë faqen ueb të komisionit: www.comdos.bg.
Nga një raport i Komisionit bullgar të Dosjeve para parlamentit
20 leva për një denoncim
10/01/2011
20, 40 leva dhe shpërblime deri në 100 dollarë kanë marrë për denoncimet në DS ambasadorët e tanishëm, të cilët kanë punuar për shërbimet sekrete. Përveç parave, kjo i ka ndihmuar shumë për të ecur përpara në karrierë, për t’u futur në një punë që nuk e meritonin, apo edhe për të përfituar pjesë këmbimi për makinat personale. Në këmbim, ata shkruanin për ata që dëgjonin “The Beatles”, që vidhnin alkoolin e ambasadës dhe që donin të arratiseshin.
Është për të qeshur dhe për të qarë kur lexon denoncimet e ambasadorëve tanë të tanishëm, të cilët para vitit 1990 i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit. Komisioni i Dosjeve bëri të ditur se më shumë se 200 ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm bullgarë kanë punuar për ish-Sigurimin e Shtetit. Shumica e dosjeve tani janë pastruar me kujdes, por edhe nga ajo çka ka mbetur mund të nxirren konkluzione.
Është e habitshme që ambasadorët kanë pranuar të bëhen informatorë të DS-së pa kurrfarë rezistence, përkundrazi me dëshirë të madhe. Pas klisheve të patriotizmit dhe idealeve të larta komuniste është shumë e vështirë të fshihnin karrierizmin dhe servilizmin e tyre të madh.
Detyra: Në Prishtinë Bobi Bobev të depërtonte në komunitetin shkencor shqiptar

Ironia e fatit, hapat e tij të parë si kuadër i DS-së Bobi Bobevi i bëri pikërisht në Prishtinë, ku është aktualisht ambasador [më 10.05.2011 në një takim zyrtar ambasadori Bobi Bobev i tha Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi se “është një ndjenjë e veçantë për atë të jetë ambasador në Kosovë” njofton portali i dikasterit].
E kanë rekrutuar më 9 gusht 1974. Në atë kohë punonte në Institutin e Ballkanistikës të Akademisë Bullgare të Shkencave. Nuk u desh kohë për ta bindur të bëhej agjent i Sigurimit të Shtetit të Bullgarisë. “Pranoi pa ngurrim, shfaqi dëshirën dhe ishte i gatshëm të punonte me zell. Me Bobevin u bë një bisedë, në të cilën dëshmoi se kishte vizion të saktë për çështje të ndryshme politike. Shprehu gatishmërinë për të raportuar raste që i konsideronte të papërshtatshme, por dëshironte që lidhjet me DS-në të mbaheshin të fshehta”- shënonte në raportin e vet punëtori operativ. Iu dha pseudonimi “Asparuh” dhe u bë agjent DS-së në sektorin e Shqipërisë [Në strukturën e Krye-Drejtorisë së Parë të Sigurimit bullgar të Shtetit në vitin 1974 ishte dhe sektori apo departamenti (otdel) nr. 17 i quajtur ndryshe “Linja “A” – Republika Popullore e Kinës, Shqipëria”]. DS-ja e vlerësonte si “një të ri të arsimuar, të gatshëm për të bashkëpunuar, edhe pa i bërë ftesë konkrete”.
Bobi Bobev filloi të mësojë gjuhën shqipe me pedagogun e Universitetit të Sofjes “Kliment Ohridski”, Thoma Kacori. Rasti i “Pedagogut” të huaj ishte objekt survejimi operativ (DON). Të dy shkojnë së bashku në kongresin e ballkanistikës në Prishtinë. Bobevit iu vu detyrë të krijonte lidhje miqësore me Thoma Kacorin. I dhanë një fotografi të objektit “Doktori “- Fehmi Omer Kelmendi – për të parë nëse ai do të kishte interes për delegacionin bullgar dhe a do të kontaktonte me Kacorin. Çfarë zbuloi agjenti “Asparuh” mbetet sekret, sepse në dosjen e tij mungojnë dokumente. Ka vetëm një pusullë, në të cilën shkruhej: “Punë e suksesshme e objektit “Pedagogu”.
Agjentit i është njohur si meritë e madhe rasti kur arriti të vjedhë katalogun e Institutit të Shkencave të Munihut. DS-ja e çoi në Bavari, ku iu ngarkua detyra të depërtonte në fondet arkivore të Institutit të historisë së Shqipërisë dhe Institutit të historisë Otomane në Munih. Ka kërkuar dokumente që mund t’i përdorte për periudhën e rilindjes. Në Munih Bobevi ishte mysafir i Institutit shqiptar, i cili ka një bibliotekë shumë të pasur. Në vitin 1977 u botua katalogu voluminoz i dokumenteve të institutit, por që ishte për përdorim shërbimi. Bobevi dëshironte ta blinte – iu refuzua për shkak se nuk destinohej për shitje dhe nuk kishte çmim. Atëherë e vjedh. Lejohej të hynte në sallat e Institutit. Çuditërisht, gjatë ndërrimit në hyrje vajzat e çuan të linte rrobat në gardërobë. Katalogu ishte në çantë dhe e nxori jashtë.
“Gjatë punës ka kryer detyrat e drejtorisë së 6-të të DS-së dhe krye-drejtorisë së parë të DS-së”, – shënon oficeri drejtues (rezident). Në dosje janë ruajtur faturat për dhurata të vogla sipas rregullave të DS-së – për jo më shumë se 10-20 leva. Iu dhanë 40 leva për të shkruar një artikull për pjesëmarrjen e finlandezëve në luftën për çlirim. Ka marrë para dhe për artikuj rreth Jan Kukuzelit [rreth viteve 1280-1360, murg ortodoks nga Durrësi. Shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine] dhe Goce Delçev-it [1872-1903, revolucionar bullgar-maqedonas, kryetar i organizatës revolucionare maqedonase (më vonë – VMORO)].
Titulli dhe mes-titulli i fragmentit janë të portalit bullgar “168 çasa”. Përkthimi dhe sqarimet në kllapat katrore janë të “Investigimit”
Emri, atësia, mbiemri | Bobi Nikolov Bobev |
Datëlindja | 01.04.1948 |
Vendlindja | Sofje |
Rekrutuesi | Toger Borislav Ljubenov Rangelov më 07.08.1974, regjistruar më 14.08.1974, regjistruar në Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm më 12.02.1981 |
Rezidenti | Toger Borislav Ljubenov Rangelov; punonjësi operativ Ivan Ivanov; toger Plamen Blagoev Atanasov; toger Cvetko Cvetkov |
Strukturat ku ka bashkëpunuar | DS (Sigurimi i Shtetit), krye-drejtoritë e kundërzbulimit dhe zbulimit të jashtëm |
Cilësimi si bashkëpunëtor i fshehtë | Agjent; bashkëpunëtor i fshehtë |
Pseudonimet | Asparuh; Dobromir (Dobromirov) |
Dokumentet mbi bazën e të cilave u përcaktua përkatësia e organit sipas nenit 1 | Raportet agjenturore të shkruara me dorën e vet; dokumentet për marrjen e shpërblimit; faturat e shpenzimeve e raportuara nga rezidenti; dokumentet e personelit; formulari i regjistrimit – copë 2;. ditarë të regjistrit – copë 2;. karton me fotografi – copë 2 dhe 3 fotografi; dosja F1, AU 7563 – 2 vëllime, raporti i paraqitur në Asamblenë Popullore të Bullgarisë Nr. RB102101-001-04/12, 2093 / 28.10.2010 |
Posti publik ose aktiviteti publik | Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Tiranë nga 08.03.1998 deri në 31.07.2006 |
Përkthimi në shqip i kartelës së Bobi Bobevit sipas vendimit nr. 175/ 14.12.2010 të Komisionit parlamentar bullgar të Dosjeve
Bobi Bobev
ARSIMI
1968-1973 Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Baçelor në historinë e Bizantit dhe popujve të Ballkanit
1980 Akademia Bullgare e Shkencave. Doktor në histori. Teza e doktoratës me temë “Shqipëria në politikën e Italisë dhe Jugosllavisë gjatë vitit 1919-1924”
PËRVOJË PUNE
1974-1998 Akademia Bullgare e Shkencave. Instituti i Ballkanistikës. Kërkues
1984-1988 Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Fakulteti i Historisë. Pedagog i historisë së kombeve të Ballkanit.
1997-1998 Këshilli i Çështjeve Etnike dhe Fetare pranë Presidentit të Bullgarisë, anëtar
1998-2006 Ministria e Punëve të Jashtme. Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë. I jepet grada diplomatike e përjetshme e ambasadorit (2004)
2006-2010 Akademia Bullgare e Shkencave. Instituti i Ballkanistikës
2006-2010 Pedagog në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridsky “, Departamenti i Historisë, Universiteti i Ri Bullgar, Departamenti i Shkencave Politike, Ministria e Punëve të Jashtme, Instituti Diplomatik
2010 – Ministria e Punëve të Jashtme. Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Kosovës
Sipas faqes në anglisht të ambasadës bullgare në Prishtinë.
Pseudonimet e Bobevit
– “Asparah”: sundimtari i një mbretërie bullgare në gjysmën e dytë të shekullit të 7-të.
– “Dobromir”: udhëheqës i vllahëve dhe bullgarëve, në kohën e perandorit bizantin Alexios III Angelos.
Mirënjohje shqiptare agjentit të sektorit të Shqipërisë
Është sërish ironi fati, që agjenti i sektorit të Shqipërisë në vitet 1974-1989 në Sigurimin bullgar të epokës komuniste, dekorohet nga Tirana pas-komuniste. Më 17 korrik 2006 Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i dorëzoi ambasadorit të Bullgarisë në Tiranë, Bobi Bobev “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin e veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin mes institucioneve të dy vendeve, në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë. Ambasadori bullgar Bobev shprehu mirënjohjen e thellë për nderimin e bërë nga ana e shtetit shqiptar dhe nënvizoi se angazhimi i tij në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe nuk do të mungojë dhe në të ardhmen.
Thoma Kacori (1922-2008)
Thoma Kacori (1922-2008), lindi në Kolonjë. Pas pushtimit italian, emigroi në Bullgari. Këtu mbaroi studimet e larta në Universitetin e Sofjes, në Fakultetin e Drejtësisë Administrative. Më 1957-n botoi në Tiranë vëllimin me tregime “Jetë me brenga”; më 1958-n novelën “Ditë që s’harrohen”, mw 1961 romanin“Për Mëmëdhenë”, me dy vëllime, novelën “Dashuria”, romanin “Shpata e Kastriotëve”, “Fabula” më 1989, romanin “Bijtë e shtrëngatës”, “100 Fabula”, “Kandili i De Radës”, romanin “Kryetrimi i Arbërisë-Skënderbeu”, librin me tregime “Tregime të moçme”. Më 1998 u botua në Sofje libri “Albania”, me bashkautor Bobi Bobev. Bashkautor dhe redaktor i pjesës në gjuhën shqipe të “Fjalorit bullgarisht-shqip”, si dhe autor i dy librave për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, botime të Universitetit të Sofjes. Shquhet në albanologji. Ka botuar një numër artikujsh shkencorë e libra që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Njihte mjaft mirë 6-7 gjuhë të huaja. Në maj të 2008-s, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Nder i Kombit”. Gjatë sundimit komunist, ndiqej nga sigurimi bullgar meqë ishte i huaj, i koduar “Pedagogu” (Prepodavatel), i mësoi gjuhën shqipe historianit Bobi Bobev, ish-ambasador në Tiranë dhe aktualisht në Prishtinë.
Dosja e mbrojtur e ambasadorit në Tiranë Teodor Rusinov
Shkruar nga Hristo Hristov, 15 shtator 2011


Me vendim të Komisionit të Dosjeve, për herë të parë në u bënë publike në internet dosjet e të gjithë ambasadorëve aktualë (deri në dhjetor 2010), të cilët bënin pjesë në Sigurimin e Shtetit dhe Drejtorinë e Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë bullgare.
Me publikimin e dosjeve për ambasadorët sajti “dërzhanva sigurnost.com” [sajti i pavarur për ndriçimin e së kaluarës dhe transparencë] u mundëson të gjithë të interesuarve të njihen me dokumente autentike.
Në këtë numër po paraqesim materiale që lidhen me dosjen e mbrojtur të Teodor Rusinov-it (lindur në vitin 1952), Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë së Bullgarisë në Tiranë, Shqipëri. Komisioni i Dosjeve bëri publik faktin se Rusinovi ka qenë bashkëpunëtor i Drejtorisë së Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare (RU-GSH) që nga viti 1984 me pseudonimin “Jordanov”.
Karriera e Rusinovit në Ministrinë e Jashtme filloi në vitin 1979. Si diplomat ka mbajtur pozicionet e mëposhtme:
Stazhier për atashe në sektorin e “Shtypit” (1979-1980);
Atashe në sektorin e “Shtypit” (1980-1982);
Atashe në sektorin III (1982-1983);
Sekretar i tretë, sektori III (1983-1984);
Sekretar i tretë në ambasadën në Athinë (1984-1987);
Sekretar i dytë në ambasadën në Athinë (1987-1988);
Sekretar i dytë në sektorin III (1988-1992);
Ekspert për çështjet politik dhe rajonale në drejtorinë e “Evropës Juglindore” (1992);
Sekretari i pari në Athinë (1992-1994) dhe këshilltar në ambasadë (1994-1995);
Krye-ekspert në drejtorinë e “Evropës Juglindore” (1995-1996);
Zëvendësdrejtor i drejtorisë së “Evropës Juglindore” (1996-2000);
Shefi i sektori të “Vendeve fqinje” në drejtorinë e “Evropës Juglindore” (2000-2001);
Shefi i sektori të “Vendeve fqinje” në drejtorinë e “Evropës” – I” (2002-2007).
Me dekret të Presidentit Georgi Parvanov u emërua ambasador në Shqipëri në maj 2007 me mandat deri në korrik 2011.
Sajti “Dërzhavna sigurnost.com” publikon vetëm baxhetet [kartonat si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete] që lidhen me të kaluarën agjenturore të Teodor Rusinovit. Dosja e tij nuk mund të publikohet, sepse gëzon mbrojtjen e nenit 32 të Ligjit për zbulimin e dokumenteve dhe përkatësisë krijimin e shtetasve bullgarë të Sigurimit të Shtetit dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë RU-. Sipas këtij neni, “nuk hapen dokumente, deklasifikimi dhe publikimi të cilave do të dëmtonte interesat e Bullgarisë në marrëdhëniet ndërkombëtare ose mund të përbënin kërcënim serioz për jetën e një personi”. Sipas ligjit, publikimi i dokumentit (ose dosjes), që ka të bëjë me shërbimin e sigurimit është paraqitur me një propozim të arsyetuar në Komisionin e Dosjeve. Pë këtë rast ka një vendim që është përfundimtar dhe që nuk mund të apelohet. Me këto përjashtime, dokumentet regjistrohen në një fond të veçantë në arkivin e centralizuar, i cili administrohet drejtpërdrejt nga kryetari i Komisionit të Dosjeve. Në rastin e Teodor Rusinovit këtë raport e ka paraqitur “Zbulimi i Ushtrisë” dhe u miratua nga Komisioni i Dosjeve.
Informacioni i bërë publik nga Komisioni i Dosjeve për Rusinovin tregonte se është rekrutuar më 13 nëntor 1984 nga kapiteni Hristankov, i cili ishte dhe rezidenti i tij. Nuk ka të dhëna, që hedhin dritë për raportimet e tij operative. Bazat për shpalljen si bashkëpunëtor i Drejtorisë së Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare (RU-GSH) janë deklarata e nënshkruar nga vetë personi, dokumentet e rezidentit, kartonët në kartotekë dhe kazusi nr. 15.079 (pikërisht ky kazus është i mbrojtur).
Sipas dosjes së kuadrit të Teodor Rusinovit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin e rekrutimit (1984) ai ishte sekretar i tretë në ambasadën e RPB në Athinë, Greqi, ku ai punoi deri në vitin 1988 (nga viti 1987 është sekretar i dytë). Në njërin prej kartonëve duket se Rusinovi është çuar në sektorin VI. Sipas strukturës së Drejtorisë së Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare, ky sektor është “Greqia”. Bën përshtypje se ky karton (baxhet) ka datën 20 shtator 1979, pra pesë vjet para datës së rekrutimit të tij. Fillimisht në karton është shënuar sektori VIII “Zbulimi ilegal”), por i është vënë vizë. Viza i është vënë fillimisht edhe emrit të oficerit (toger Delev).
Titulli është i origjinalit. Marrë nga sajti bullgar http://desebg.com/2011-03-17-14-49-10/401-2011-09-15-09-20-03.
Emri, atësia, mbiemri | Teodor Spasov Rusinov |
Datëlindja | 23.09.1952 |
Vendlindja | Sofje |
Rekrutuesi | Kapiten Hristankov më 13.11.1984 |
Rezidenti | Kapiten Hristankov |
Strukturat ku ka bashkëpunuar | Drejtoria e zbulimit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare |
Cilësimi si bashkëpunëtor i fshehtë | bashkëpunëtor |
Pseudonimet | Jordanov |
Dokumentet mbi bazën e të cilave u përcaktua përkatësia e organit sipas nenit 1 | Deklarata për bashkëpunim shkruar me dorën e vet dhe nënshkruar prej tij; dokumentet e rezidentit; karton me 1 fotografi – copë 2 dhe fotografi copë 2; regjistri; dosja Nr. 15079; raporti në parlament për verifikimet në shërbimin “Informacion ushtarak” Nr. 3060/ 16.11.2010 |
Posti publik ose aktiviteti publik | Shef departamenti 01.01.2000 – 30.04.2000 |
Përkthimi në shqip i kartelës së Teodor Rusinovit sipas vendimit nr. 199/ 16.03.2011 të Komisionit parlamentar bullgar të Dosjeve
Diplomatët e sotëm në Tiranë
Z. Dimitar Arnaudov lindi më 30 prill 1958. Diplomuar në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë në profilin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Filloi karrierën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë në vitin 1986 si atashe stazhier, atashe dhe sekretar i tretë në departamentin e Vendeve të Ballkanit, sekretar i parë në departamentin “Evropa Juglindore”, Këshilltar dhe Ministri fuqiplotë në drejtorinë e vendeve fqinje. Z. Arnaudov ishte shef departamenti në drejtorinë e vendeve fqinje dhe i ngarkuar me detyrën e drejtorit të drejtorisë së vendeve fqinje.
Më 10 prill 2012 z. Arnaudov paraqiti kredencialet e tij si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë.
Karriera
2011 – 2012 I ngarkuar me detyrën e drejtorit të drejtorisë së “Vendeve fqinje”
2009 – 2011 Shef departamenti, në drejtorinë e “Vendeve fqinje”, zëvendësdrejtor, Ministria e Punëve të Jashtme, marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë, Turqinë, Rumaninë dhe Qipron
2003 – 2009 Sektor privat
1999 – 2003 I ngarkuar me punë në ambasadën bullgare në Dublin, Irlandë
1997 – 1999 Zëvendësdrejtor për Evropën Juglindore, Ministria e Punëve të Jashtme
1993 – 1997 Sekretar i parë, në ambasadën bullgare në Athinë
1991 – 1992 Referent për Greqinë dhe Qipron, Ministria e Punëve të Jashtme
1988 – 1991 Atashe dhe sekretar i tretë në ambasadën bullgare në Athinë
1986 – 1988 atashe në Ministrinë e Punëve të Jashtme
1981 – 1986 Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare
Z. Dimitar Arnaudov zotëron gjuhët angleze, greke dhe ruse.
I martuar me dy fëmijë, djalë dhe vajzë.
Stafi i ambasadës
- SH.T. Dimitar Arnaudov – ambasador
- Mihal Spasov – këshilltar (çështje ekonomike)
- Atanas Ivanov – sekretar i parë (çështje kulturore)
- Nikolai Veliçkov – sekretar i dytë (çështje konsullore)
- Hristo Jovçevski – atashe (çështje politike)
- Aleksandar Xenkov – atashe administrativ
- Maja Eneva – shefe e financës
- Sofia Karapetrova – përkthyese
- Asen Enev – shofer
- Ilian Dimitrov – seksioni konsullor i sigurimit
- Nënkolonel Milko Çonov – (zyra në Shkup) atashe ushtarak
- Daniel Dobrev – (zyra në Podgoricë) sekretar i parë (çështje tregtare dhe ekonomike)
Lista e përkthyesve të autorizuar
Eduart Caushi
Ismet Tola
Laureta Gruda
Rexhep Sokoli
Suela Ibraj
Janka Selimi
Sipas sajtit në anglisht të ambasadës bullgare në Tiranë
Doras të KGB-së për “punët e pista”
Historiografia e shërbimeve sekrete ka përfituar dukshëm nga qasja relativisht më e madhe në dosjet e shërbimeve të fshehta të Evropës Lindore në epokën pas Luftës së Ftohtë. Në një farë mënyre, këto dosje zbuluan jo vetëm detyrat specifike dhe aktivitetet e shërbimeve të kundërzbulimit në vendet më të vogla të bllokut sovjetik, por edhe qëllimet globale të superfuqive, ndonëse arkivat operative të KGB-së ende janë pothuajse krejtësisht të padisponueshme deri tani. Një vlerësim mbi dokumente më parë top-sekret të arkivave të Evropës Qendrore-Lindore, me sa duket, konfirmojnë pikëpamjen e njohur gjerësisht që shërbimet e kundërzbulimit të Paktit të Varshavës u krijuan si një imazh “pasqyre” i Krye-Drejtorisë së Parë të KGB-së (PGU). Ky përfundim mbështetet edhe nga një udhëzim konfidencial i sekretarit të parë të Partisë Komuniste Bullgare, Todor Zhivkov, pas një takimi me shefin e KGB-së Juri Andropov në Sofje në nëntor 1969, duke deklaruar se Sigurimit i shtetit i Bullgarisë (DS) duhej të bëhej “filial i denjë” i KGB-së, shkruan historiani i njohur bullgar, ekspert ndërkombëtar i projekteve për studimin e Luftës së Ftohtë, dr. prof as. Jordan Baev.
Historia e bashkëpunimit në kuadër të bllokut sovjetik në lëmin e spiunazhit tekniko-shkencor (T&SH) ende rrallë diskutohet në historiografinë e sotme; megjithatë, përfaqëson një “dukuri të çuditshme” në historinë ndërkombëtare të shërbimeve të fshehta. Ndërsa vendet perëndimore i zhvilluan degët e tyre të spiunazhit shkencor në mënyrë të pavarur, dhe në të vërtetë kishte rivalitete të ashpra dhe shpesh kompetitive sekrete mes tyre, shërbimet e fshehta të bllokut sovjetik bashkërendonin veprimet e tyre brenda kuadrit të koalicionit nëpërmjet “shpërndarjes së objektivave”. Detyrat më të rëndësishme strategjike në rajone dhe zona të caktuara caktoheshin nga shefat e KGB-së, të paktën, në vitet e para të aktivitetit të spiunazhit T&SH të vendeve të Evropës Lindore. Argumentet më të forta për një zhvillim intensiv të bashkëpunimit spiunazhit T&SH ishin domosdoshmëria e kapërcimit apo shmangies së barrierave të Komitetit Bashkërendues për Kontrollet Shumëpalëshe të Eksportit në epokën e re të përshpejtimit teknologjik të sistemit perëndimor ekonomik dhe garës së armatimeve mes të dy blloqeve ushtarake.
Diskutimet mbi bashkëpunimin mes vendeve të Traktatit të Varshavës në fushën e spiunazhit T&SH, kuptohet u përqendruan në aleatët më të zhvilluar të Bashkimit Sovjetik si Gjermania Lindore, Çekosllovakia apo Polonia. Përveç kësaj, diasporat relativisht të mëdha të vendeve të Evropës Qendrore brenda SHBA-së, Kanadasë dhe Evropës Perëndimore, lehtësuan përpjekjet për sigurimin e informacionit sekret ushtarak, ekonomik dhe shkencor. Sigurimi bullgar është konsideruar as më shumë e as më pak si doras i “punëve të pista” të KGB-së apo aksioneve të “lagështa” të fshehta të përbashkëta kundër Perëndimit. Madje monografitë ruse e sapobotuara mbi shërbimet sekrete sovjetike të pasluftës shënojnë vetëm disa shembuj bazë në bashkëpunimin T&SH me “shokët” gjermanolindorë, polakë, çekë, hungarezë, duke injoruar plotësisht aleatin “më besnik” të KGB-së në Ballkan. Një nga arsyet për këtë shpërfillje ishte padyshim mungesa e informacionit dokumentar besueshëm.
Ndërkohë, në dhjetëvjeçarin e fundit janë botuar në Sofje disa dëshmi interesante personale të veteranëve të spiunazhit bullgar T&SH si dhe disa libra nga gazetarë ivestigativë që hedhin dritë mbi historinë e padukshme të këtij shërbimi sekret. Në dhjetor 2006 u miratua nga parlamenti bullgar një ligj i ri mbi hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare. Në bazë të ligjit, gjithë dokumentacioni mbi sigurimin e shtetit për periudhën shtator 1944-korrik 1991 duhet të dorëzohet në Arkivin e sapokrijuar të Komisionit për hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare. Në vitet 2008-2010, në përputhje me rregulloret aktuale, u vunë në dispozicion për herë të parë për publikun një sasi e madhe dosjesh top-sekret të ish-sigurimit bullgar të shtetit. Ato mund të kontribuojnë, në veçanti, për t’iu përgjigjur pyetjes se si ishte e mundur që një vend i vogël i pazhvilluar agrar në Ballkan fitoi pozita udhëheqëse brenda sistemit ekonomik evropianolindor në fushat e industrisë së high-tech-ut si elektronika, kimia, farmaceutika dhesi dhe në makina e rënda të ndërtimit, thotë Dr. Baev në studimin “Spiunazhi kundër Perëndimit: Kooperimi sovjetik-bullgar në kundërzbulimin tekniko-shkencor” (Spying on the West: Soviet-Bulgarian Scientific Intelligence Cooperation).
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.