Tha se opozita ngatërron dynjanë, por Basha nuk do debat: Më shqetëson shëndeti i shqiptarëve, jo Rama

Kreu i PD-së Lulzim Basha mendon se për shkak të koronavirusit, rreziku që i kanoset shqiptarëve është i madh. Ai shmangu një përgjigje pas akuzave të kryeministrit Edi Rama se opozita thotë përralla dhe se ngatërron dynjanë, ndërsa mendon se nuk është momenti për debat, por për t’u kujdesur për shqiptarët.
“Nuk dua të bëj asnjë aludim për debat politik, pasi sot nuk është çështje debati mes meje dhe Ramës. Ajo që na shqetëson sot është shëndeti i shqiptarëve. Mënyra më e mirë është distancimi social, kufizimi në grup. Kjo do të vijojë të shkaktojë pasojë në ekonomi.
Ajo që jemi përpjekur të bëjmë është të përpiqemi të fokusohemi në dy problemet kryesore: shëndeti i njerëzve, që nis me personelin mjekësor, stafin mjekësor, gjithë punonjësit e shëndetësisë, ku siguria e tyre është kyqe. Kemi kërkuar të jenë ata përfituesit e parë të testimit të vazhdueshëm, për t’i bërë ballë kësa situate. Së dyti, masat për popullsinë në përgjithësi.
Testimi, testimi, testimi për të gjithë. Sot është njoftuar më në fund një tender për respiratorët, pajisjet e nevojshme për trajtimin e këtyre pacientëve. Ka mbi 10 ditë që kanë nisur masat shtrënguese, por këto masa duhet të ishin marrë më parë.”, tha Basha për News 24.