Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Thaçi e Grenell: Hapa për qeverinë e re dhe dialogun me Serbinë. Mustafa: Gati për mandatin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se javën tjetër do të ndërmarrë hapat për formimin e Qeverisë së re. Në një status në Twitter, ai u shpreh se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar #Covid-19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ka paralajmëruar të njëjtën gjë. Përmes një postimi në Twitter, të cilit ia ka bashkuar statusin e presidentit Thaçi, Grenell ka këmbëngulur në heqjen e tarifës dhe reciprocitetit.

“Sapo të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë Dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, shkruan ai.

E ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka asnjë dilemë se do ta marrë mandatin për të formuar Qeverinë e re sapo të mandatohet nga Presidenti Hashim Thaçi. Reagimi i Mustafës vjen në një kohë kur Vetëvendosje po refuzon të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re dhe Presidenti ka paralajmëruar se do t’ia kalojë mandatin partisë së dytë nëse dështon VV-ja.
“Në momenti që plotësohen kushtet kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet mandati dhe të arrijmë pajtim me partnerët për kriteret, LDK pa asnjë hezitim do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë”, ka thënë Mustafa, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Kryetari i LDK-së rikujtoi edhe kohën e VLAN-it të vitit 2014, kur LDK dhe LVV kërkonin që mandati për formimin t’i jipet partisë/grupimit të dytë. “Sa u përket kundërshtimeve, mund të rikujtoj opinionin se ishte LVV dhe LDK që në vitin 2014 argumentonin dhe kërkonin që mandati t’i jepej partisë/grupimit të dytë duke e arsyetuar mbi bazë kushtetuese”, tha Mustafa./Zëri/Express

Back to top button