Teatri me ndëshkimet penale, pse opozita e bekoi me hipokrizi ujdinë Rama-Meta

Në çoroditjen e përgjithshme që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, vihet re një kompleksim i përgjithshëm për të mbrojtur liritë bazë të njeriut. Loja me panikun, me frikën, ankthin, paqartësinë për të nesërmen, zhgënjimet e vjetra dhe pritshmëritë e reja yshtin edhe zëra të spikatur të mendimit liberal shqiptar t’i bashkohen shkundullimës tautologjike e autoritariste të Edi Ramës, ndonëse u zbyth jo pak nga nisma fillestare.

Në këtë projekt bashkëpunoi Presidenti i Republikës, duke bërë një teatër të shëmtuar nga ata që herë pas here Edi Rama dhe Ilir Meta kanë vënë në skenën e politikës. Tani, me padurim pritet që Elisa Spiropali t’i vjerrë në kangjellat e Presidencës duke ruajtur distancimin social një fletë lavdërimi plot ojna e naze retorike. Po kaq pakuptueshëm dhe me hipokrizi u soll opozita, e cila, gjatë ujdisë Rama-Meta, nxori ndonjë nga ata zërat me qesharakë që vetëm ajo di të konservojë në dekada, për të krahasuar Ramën me Leninin, a thua se Rama u fyeka nga krahasimi kur gjithkush me dy pare mend në kokë e di që Lenini ishte një bir kurve nga më të mëdhenjtë që ka nxjerrë historia.

Advertisement

E më pas, kur gjithçka u krye, tha nja dy fjalë sa me la gojën Lulzim Basha. Ky është një nga rastet e shumta që dëshmon pse Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha rrethohen nga njerëz pa personalitet, pa shtyllë kurrizore, pa mendim intelektual e politik, pa asnjë impakt publik, sepse vetëm kështu mund të sillen si të duan. Dhe këta dërdylë vetëpërcaktohen si besnikë. Racë e pështirë brejtësish! Këta (Rama, Meta, Basha) i ftojnë intelektualët, gazetarët, sidomos kur janë në opozitë, t’i mbështesin për kauzat e tyre dhe kur ata i vetë i tradhtojnë, ato duan që bashkë me ta t’i tradhtojnë edhe të tjerët, duke i menduar të gjithë si vartës apo sahanlëpirës e trutharë të oborrit. Po ajo që penalizohet më shumë nga statusquoja e ujërave të qelbura është opozita.

Ambasadorja Juri Kim, e cila, sigurisht, ndër të tjera do stabilitet në këtë vend dhe sa më pak kokëçarje, ishte lumturuar për faktin se Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha po bashkëpunonin për t’i bërë ballë krizës. Sigurisht, këtë bashkëpunim e duam edhe ne qytetarët e këtij vendi, por nuk e duam as Presidentin e as kryetarin e opozitës si zëdhënës të qeverisë kur e dimë që kjo qeveri ka zhdukur gjithë institucionet demokratike e të pavarura në vend, e cila tenton që vendimet e institucioneve t’i anashkalojë me pakte personale.

Arsyet pse shumë personazhe publike kanë mbështetur Presidentin dhe opozitën në përballjet me Kryeministrin kanë të bëjnë pikërisht me këto shqetësime dhe jo me interesat e tyre personale. Loja kukafshehthi si në rastin e masave penale ndëshkuese përvijohet si dekurajimi i radhës.

Edi Rama dje na kujtoi se ka “shpëtuar” 18 mijë vetë nga vdekja. O Zot, në raste të tilla njeriu nuk dëshiron të ketë as veshë as tru dhe ndien zili për ministrat, shërbëtorët e propagandës, lopët, dhitë, delet, gomarët për imunitetin e tyre fizik mendor. Kryeministri hiqet sikur sakrificën po e bën ai e jo populli i tij, sikur njerëzve po u shërben ai dhe jo doktorët, të cilët i mbledh ministresha e tij herë pas herë dhe i qeras me nga një fjalim ‘alla lej fen’.

Po ashtu, sulmoi ashtu siç di ai atë grup të vogël që kundërshtuan dëshirat e tij që po bëhen ligj. Edhe pse një grup i vogël, ai ndihet i bezdisur prej tij, po kaq edhe ata që bashkëpunuan haptazi apo në heshtje. Më shanse kemi të mundim virusin e koronës se virusin e politikes shqiptare, e cila nanë e babë ka vetëm rrenën.

Por, ama sot Kryeministri na gëzoi qimet me listën e bizneseve që mund të hapen kur na tha që prodhimi i avionëve dhe lokomotivave të trenave mund të vazhdojë !/panorama

Back to top button