Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Biologu Et’hem Ruka: Minën me sahat e kemi ende brenda

Ai është rektor i Universitetit “Luarasi”, dhe ka një jetë të gjatë akademike si biolog. Këto kohë, Prof. Dr. Et’hem Ruka ka përveshur mëngët edhe për një çështje, që na takon të gjithëve.

Kësaj here, jo si rektor, por si qytetar. Ai përcjell çdo ditë me tabela dhe grafiqe mënyrën se si evoluon numri i të infektuarve dhe atyre të shëruar me Sars Cov-2, duke filluar nga data 9 mars, kur zyrtarisht u shënua edhe pacienti i parë i infektuar.

Është biolog, por ai (në këtë rast) nuk i futet biologjisë molekulare, edhe pse e di se është  tepër e rëndësishme për të kuptuar mekanizmin se si virusi futet në qelizë, cilat janë mundësitë për ta shëruar, medikamentet që voliten, vaksina…etj., etj. Pra, për të kuptuar në fund të fundit se çfarë ndodh në organizmin e njeriut. “Njerëzit e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë gjë”, thotë Et’hem Ruka në një komunikim me Gazetën “Si”.

Dhe çfarë bën? Për t’u kuptuar nga të gjithë, ai i futet një parashikimi teorik, duke u bazuar tek të dhënat zyrtare. I hedh më tej në disa grafiqe. Përgjithësisht, ato (grafiqet) shfaqen në formën e dhëmbëve të një sharre që në thelb tregojnë se numri i rasteve është i ndryshëm nga dita në ditë;  28 të infektuar janë një ditë, pastaj zbresin 16 deri në 7 dhe ngrihet sërish (dhëmbi) si dita e sotme me 24 raste të reja.

Pika kritike, sipas tij, u arrit me 12 prill kur përqindja e të sëmurëve dhe ajo e të shëruarve u bë 50% me 50%. Pas kësaj date, përqindja e të shëruarve fillon të bëhet më e madhe se ajo e të sëmurëve. Nënvizon gjithashtu se ritmi i përmirësimit luhatet nga 2%-3% për çdo ditë.

“Nëse ecet me këtë ritëm, pandemia duhet të shuhet pas 2 javësh”, nënvizoi ai dy ditë më parë.

Por virusi është i paparashikueshëm. Rezultati i djeshëm shoqëruar me atë të sotmin e kanë ngacmuar sërish optimizmin e profesor Rukës.

“Për fat të keq sot (dje) situata pësoi regres. Numri i të shëruarve u paksua me 1% në raport me ditën e djeshme, ndërsa ai i të infektuarve u rrit po me 1%. Kjo situatë u krijua nga rritja e numrit të të infektuarve me 19 raste të reja. Rezultatet e sotme (dt 15 prill) janë të ndryshme nga ato të tre katër ditëve të fundit të cilat shënuan përmirësim gradual…”, vëren ai.

Të gjithë këto, sipas tij, janë oshilacione që tregojnë se disa vatra aktivizohen në vende që ti as nuk i pret, psh siç ishte rasti me Shkodrën e më pas Kukësi…

Në gjithë analizën e tij të përditshme, biologu Et’hem Ruka ka vënë re se ata që sot shfaqen të sëmurë janë infektuar gjatë periudhës, që ne kemi qenë në karantinë, çka tregon se “zinxhiri i karantinimit nuk funksionoi ashtu siç duhet”.

Ruka i referohet rastit tipik kur një i infektuar mund të infektojë dy deri në tre persona të tjerë. Nga pesë të infektuar, sipas tij, katër nuk kanë shenja. “Këta të katërt që nuk kanë shenja, këta janë mbartës të infeksionit, që do të thotë se minën me sahat e kemi brenda nëse nuk zbatojmë karantinën dhe nuk presim zinxhirin e infeksionit me testimet…”, nënvizon ai për Gazetën “Si”.

Kjo situatë, sipas tij, mund të zgjasë dy javë, por edhe dy vjet nëse nuk tregohet kujdes. “Ajo që unë dua tu them njerëzve është të kenë kujdes, sepse atëherë kur ti mendon se ky virus po vjen duke u shuar, atëherë ai mund të shfaqet pësëri siç po na ndodh në shumë qytete që e deklaruan të mbyllur problemin”.

Vëren gjithashtu se ky është një problem i ndërlidhur dhe se Shqipëria nuk duhet parë si një rast i shkëputur:

“Edhe nëse marrim rastin hipotetik që në vendin tonë shuhet pas dy javësh, nëse këtë gjë nuk e ka zgjidhur Greqia, Italia, Maqedonia, Serbia vendet me të cilat në komunikojmë, atëherë nuk mund të themi se problemi është zgjidhur…”

Dy gjëra janë zgjidhje në analizën e tij; Ose vaksina, ose imuniteti i tufës.

Deri atëherë, Ruka vëren se rreziku do të jetë i vazhdueshëm.

Jo më kot në fund të bashkëbisedës me Gazetën “Si”, ai këshillon; “Bëni kujdes”

Back to top button