Studimi i fundit: Mbyllja e shkollave më shumë po dëmton

Mbyllja e shkollave ka një ndikim të vogël në frenimin e përhapjes së koronavirusit, por ka një efekt të dëmshëm për fëmijët dhe shoqërinë, sipas një studimi në Britani. Studiuesit zbuluan se mbyllja e shkollave mund të zvogëlonte vdekjet në Mbretërinë e Bashkuar gjatë shpërthimit të Covid-19, me gati 2%.

Por ekspertët e Kolegjit Universitar në Londër paralajmërojnë se kostot janë “të larta”, për shëndetin dhe arsimin e fëmijëve, si dhe për dëmtimin e financave të familjeve. Ata rishikuan 16 studime mbi ndikimin që ka mbyllja e shkollave dhe masat e tjera për distancimin social në epidemitë e mëparshme.

Studimet thonë se shkollat do të duhet të marrin në konsideratë sesi mund t’i mbrojnë nxënësit kur të rihapen. 9 në 10 studentë në të gjithë botën, më shumë se 1.5 miliardë të rinj, aktualisht nuk shkojnë në shkollë për shkak të koronavirusit.

Udhëheqësi i studimit profesori Russell Viner thotë:

“E dimë nga studimet e mëparshme që mbyllja e shkollave ka të ngjarë të ketë efektin më të madh, nëse virusi ka transmetueshmëri të ulët dhe infektimi i fëmijëve është më i lart. Kjo është e kundërta e Covid-19.

Të dhënat nga përfitimi i mbylljes së shkollave janë të kufizuara, por ajo që dimë tregon se ndikimi i tyre ka të ngjarë të jetë më i vogël në krahasim me masat e tjera të kontrollit të infeksionit, siç janë izolimi i rasteve, dhe është efektiv vetëm kur masat e tjera izoluese sociale janë respektuar.

Për më tepër, kostot e mbylljes së shkollave janë të larta, edukimi i fëmijëve preket dhe shëndeti i tyre mendor po ashtu, financat e familjes preken, ata që duhet të punojnë mund të kenë nevojë të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët dhe fëmijët që vuajnë nga sëmundje të spektrit autik, etj., mund të vuajnë më shumë”.

Viner thotë se qeveritë duhet të jenë të vetëdijshëm për provat, kur marrin në konsideratë mbylljen e shkollave për shkak të efektit të thellë dhe të gjatë që mund të ketë tek fëmijët.

“Vendet që kanë shkolla të mbyllura, siç është Mbretëria e Bashkuar, tani duhet të bëjnë pyetje të vështira se kur dhe si t’i hapin shkollat. Ndërhyrjet në shkolla, si: mbyllja e terreneve sportive; mbajtja e studentëve në grupe; krijimi i hapësirës mes nxënësve në klasa; zvogëlimi i orarit mësimor apo të pushimit, duhet të merren në konsideratë, nëse politikat e distancimit duhet të zbatohen për periudha të gjata kohore”, thotë studiuesi.

Në Shqipëri ende nuk është dhënë një afat për hapjen e shkollave, ndërsa ministrja e Arsimit, Besa Shahini, është shprehur besimplotë se procesi mësimor do të rifillojë sërish shumë shpejt.

loading...
Back to top button
Close