Shifrat e Eurostat për jetëgjatësinë: Sa është pritshmëria për të jetuar e shqiptarëve krahasuar me Europën?

Sot është dita botërore e shëndetit. Për shkak të situatës së vështirë që po kalon gjithë bota, nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, kjo ditë ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe institucioneve.

Eurostat ka përditësuar të dhënat mbi pritshmërinë për të jetuar në vendet e kontinentit europian, që i referohen vitit 2017. Ky tregues, pra pritshmëira për të jetuar (life expectancy) mat numrin mesatar të viteve, që një person pritet të jetojë në secilin shtet në të cilin ai lind dhe jeton.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat mesatarisht një njeri i lindur në Shqipëri pritet që të jetojë deri sa të mbushë 77 vite e 1 muaj. Ndërsa një grua pritet që të jetojë mesatarisht 3 vite më shumë se një burrë, pra gjer në moshën 80 vjeçare e 1 muaj.

Në Europë, Shqipëria renditet e 26-a nga 44 vende, duke lënë pas shtetet e Ballkanit Perëndimor, por ne mbetemi prapa shteteve të zhvilluara të Europës. Jetëgjatësia mesatare në lindje në Shqipëri rezulton të jetë 78.5 vite, ndërsa në Malin e Zi përllogaritet të jetë 76.6 vite, dhe po kaq në Maqedoninë e Veriut e në Serbi.

Jetëgjatësia në lindje në Shqipëri rezulton të jetë më e ulët se në Bashkimin Europian. Sipas Eurostat jetëgjatësia në lindje në 28 vendet e BE-së përllogaritet të jetë 80.9 vite, ku jetëgjatësia te burrat është 78.3, ndërsa te gratë 83.5 vite. Mesatarisht, burrat kanë tendencë të jetojnë 5.4 vite më pak se gratë në BE.

Shtetet që kanë pritshmërinë për jetëgjatësinë më të lartë në Europë janë Zvicra, me 83.7 vite dhe Spanja e Italia, me përkatësisht 83.4 dhe 83.1 vite. Këto dy shtetet e fundit kanë shënuar gjithashtu dhe numrin më të lartë të jetëve të humbura si pasojë e koronavirusit. Jetëgjatësi të lartë ka dhe Franca me 82.7 vite.

Vendet me pritshmërinë për të jetuar më pak janë përgjithësisht ato të ish Bashkimit Sovjetik, si Ukraina, Gjeogjia, Bjellorusia, me 76.6 vite, ose ndryshe me rreth 2 vite më pak se në Shqipëri.

Eurostat ka publikuar dhe një tregues tjetër, atë të viteve të shëndetshme të jetës, që për BE-në përfaqëson përkatësisht 77% dhe 81% të pritshmërisë totale të jetës në lindje për burrat dhe gratë. Suedia dhe Malta janë dy shtetet që kryesojnë në këtë tregues, si për burrat ashtu dhe gratë. Të dhënat për Shqipërinë për vitet e shëndetshme të jetës mungojnë.

loading...
Back to top button
Close