Zhduket në Francë poeti Ali Podrimja
Policia franceze dhe ambasada e Kosovës në Paris po merren me rastin. Në qytet janë shpërndarë postera me foto të tij.
PARIS – Mediat në Kosovë kanë njoftuar sot se me poetin Ali Podrimja janë ndërprerë lidhjet që nga dita e martë. Ai ishte ftuar në festivalin e poezisë “Vox de la Mediterranée” në qytetin Lodeve në Francë. Shkrimtarja Ilire Zajmi, po ashtu e ftuar në këtë manifestim poetik, para pak çastesh i konfirmoi gazetës në Kosovë “Koha Ditore”, se që nga ajo ditë nuk e kishte parë dhe se tashmë policia franceze ka shpërndarë fotografinë e tij me kërkesën që të njoftohet për vendndodhjen e tij.
“Është e vërtetë. Ai nga e marta është zhdukur. Policia dhe ambasada jonë këtu po merren me rastin. Në qytet janë shpërndarë postera me foto të tij”, ka thënë ajo përmes një mesazhi në telefon.
Artan Behrami, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, iu tha mediave se, Ambasada e Kosovës në Paris ka kërkuar menjëherë nga autoritetet franceze, që të bëhet gjithçka e mundur për të identifikuar vendndodhjen e poetit.
“Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i shqetësuar shumë për këtë ngjarje, ka kontaktuar MPJ-në e Francës dhe ambasadorin francez në Kosovë, Jean Fraçois Fitou dhe ka kërkuar që të bëhet gjithçka për gjetjen e vendndodhjes së poetit Podrimaj”, citon Kosova Times këshilltarin Behrami.
MPJ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë dhe francezë, që gjenden në Francë, e që kanë ndonjë informatë për vendndodhjen e poetit Ali Podrimja, të njoftojnë Ambasadën e Kosovës në Paris, autoritetet franceze apo MPJ-në e Kosovës.
Të afërmit, shokët dhe kolegët e tij pohojnë se nuk kanë vënë re ndonjë simptomë të sëmundjes së harresës tek poeti Ali Podrimja.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.