ECFR: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, drejt anëtarësimit në BE

Është në interesin e BE që të theksojë vazhdimisht përkushtimin e saj për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin në rritje të vendeve si Kina, Rusia dhe Turqia në Ballkanin Perëndimor.
Kohët e fundit, shkruan think tank-u paneuropian, European Council on Foreign Relations, anëtarët e Këshillit Europian ranë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sidoqoftë, pasi u desh një vit e gjysmë të pranohej se vendet kishin përmbushur shumicën e kërkesave për të filluar bisedimet, fillimisht Bashkimi Europian u zbraps në premtimet e saj.
Blloku e humbi mundësitë për ta filluar procesin gjatë një samiti të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Sofje në maj 2018, si dhe gjatë diskutimeve në Këshillin e Cështjeve të Përgjithshme qershorin e vitit 2019, e më e dukshmja pastaj, tetorin pasardhës. Franca i vuri veton bisedimeve në rastin e tretë, me ambicien për të reformuar vetë procesin e pranimit. Në të vërtetë, menjëherë pas kësaj, Parisi paraqiti një non-paper të cilën Komisioni Europian e miratoi shpejt si qasjen e tij të re për zgjerimin. Sidoqoftë, pavarësisht inciativës së tij, vetoja franceze dërgoi një sinjal shkurajues në Ballkanin Perëndimor për të gjitha vendet jo anëtarë të Bashkimit Europian: madje edhe marrëveshja historike e Maqedonisë së Veriut për të ndryshuar emrin e saj (me insistimin e Greqisë), u duk e pamjaftueshme për hapjen e negociatave të pranimit. Sipas kësaj, vetoja franceze shkaktoi dorëheqjen e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev në janar, dhe zgjedhjet e parakohshme, të llogaritura të mbahen këtë muaj.
Po të kishte ardhur më parë, drita e shumëpritur e gjelbër për negociatat mund të kishte prodhuar një fitore të konsiderueshme në zgjehdje të partive më liberale në Maqedoninë e Veriut dhe, në mënyrë ideale, edhe një fushatë politike në vazhdimësi për adoptimin e standarteve europiane të qeverisjes. Për fat të keq, ajo që duhej të ishte një ditë krenare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, u reduktua në disa deklarata dhe një falënderim për ndihmën financiare. Vështirë të gjesh artikuj kremtues apo raportime për fillimin e negociatave në mediat e të dy vendeve. Gazetarët maqedonas dhe shqiptarë janë tani (ashtu si homologët e tyre në vendet e tjera) te shqetësuar me rastet e Covid-19, me masat e qeverisë për të përmirësuar situatën dhe historitë personale mbi pasojat e sëmundjes. Vetëm një stacion televiziv maqedonas e ftoi koordinatorin kombëtar për integrimin në BE për të diskutuar mbi eventin dhe qasjen e re të zgjerimit.
Por, në të njëjtën kohë, kriza e koronavirusit tregon edhe pse është veçanërisht e rëndësishme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë një marrëdhënie të ngushtë me BE. Krahas bisedimeve të anëtarësimit, dy vendet do të marrin 70 milion € dhe 50 milion € në formë ndihme për krizën. Për shtetet që ende po ndërtojnë dhe forcojnë institucionet e tyre, një ndihmë e tillë nuk është vetëm e mirëpritur, por është dhe simbol i solidaritetit e mbështetjes europiane. Në ndryshim nga bisedimet, ndihma financiare e BE-së ka marrë lavdërime të mëdha nga gazetarët dhe udhëheqësit politikë të këtyre vendeve – duke përfshirë si qeveritë, ashtu dhe figurat qendrore të opozitës.
Disa nga këta drejtues kanë theksuar se një ndihmë e tillë i bën ata të ndjehen se nuk janë vetëm, dhe se tani kanë një instrument të vlefshëm që i vjen në ndihmë për të mbrojtur qytetarët e tyre. Sidoqoftë, mbeten ende disa sfida për marrëdhëniet e bllokut me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Së pari, tani që Këshilli Europian ka miratuar metodologjinë e re të zgjerimit, Komisioni do të paraqesë një plan për Ballkanin Perëndimor lidhur me investimet, integrimin socio-ekonomik dhe sundimin e ligjit. Pasi Këshilli të aprovojë planin, Komisioni do t’i paraqesë të dy vendeve projekt-kornizat e bisedimeve, duke ofruar detaje të mëtejshme mbi propozimet e përcaktuara në metodologjinë e rishikuar.
Megjithatë e gjithë kjo pritej të ndodhte në margjinat e samitit të ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor, që është planifikuar të zhvillohet në Zagreb muajin e ardhshëm, por fati i të cilit është i paqartë për shkak të kufizimeve rreth Covid-19. Nëse samiti do të mbahet sipas planit, Komisioni dhe institucionet e tjera të BE-së do të duhet të tregojnë një aftësi të jashtëzakonshme për “multitasking”. Në të njëtën kohë, Komisioni duhet të shpjegojë se si do të integrojë vendet kandidate në përgjigjen e tij ndaj krizës së koronavirusit.
Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sfida është dyfish. Fillimi i negociatave me një kornizë të re dhe përparësitë e korrigjuara është një detyrë mjaft e vështirë edhe në rrethana normale, jo më tani kur duhet të gjejnë mënyrat për të dalë nga një pandemi globale, për të ringjallur ekonominë e për të ngushëlluar qytetarët që do të humbin njerëzit e tyre të dashur. Covid-19 po ekspozon mangësi strukturore në shërbimet publike edhe tek vetë demokracitë më të forta; pasojat e tij mund të jenë edhe më shatërruese për shtetet që janë në procesin e stabilizimit të institucioneve të tyre. Aderimi do të kërkojë përkushtim, këmbëngulje dhe përqendrim. Mund të shpresohet vetëm se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta ruajnë ambicien për të përfunduar me sukses procesin, dhe të angazhohen në përpjekje të ndershme për reformën demokratike, pavarësisht presionit mbi institucionet e tyre të krijuara nga kriza.
Dhe është e paqartë nëse zgjedhjet e parakohshme të Maqedonisë Veriore do të prodhojnë një qeveri të aftë për këtë. Është në interesin e BE që të theksojë vazhdimisht përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor – veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin në rritje të vendeve si Kina, Rusia dhe Turqia në rajon. Serbia është një rast për t`u mbajtur parasysh. Presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiç, vazhdon të shpalosë dashurinë e tij ndaj Kinës në një mënyrë tipike dramatike, duke arritur të puthë flamurin kinez e duke pretenduar se “solidariteti europian nuk ekziston“.
Dhe e gjithë kjo përkundër faktit se BE i ka dhënë Serbisë rreth 90 milion euro ndihmë për të luftuar virusin. Padyshim që BE-ja meriton disa kritika për mënyrën sesi e ka menaxhuar krizën. Por sjellja provokuese e Vuçiçit është vetëm simboli më i dukshëm i përafrimit të paqartë gjeopolitik të Serbisë. Të tjerët përfshijnë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Rusia, qasjen e paqëndrueshme të Beogradit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën, dhe erozionin gradual të lirisë së mediave dhe procedurave të ndershme zgjedhore. Dështimi i vazhdueshëm i Vuçiçit për të njohur njohur përfitimet e anëtarësimit në BE, e ka lënë Serbinë në një “ngërç” të aderimit dhe ka forcuar lidhjet e saj me regjimet autoritare.
E gjithë kjo ilustron rëndësinë e vendimeve që liderët në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri do të marrin gjatë muajve dhe viteve të ardhshme. Deri më tani, ata kanë qëndruar në rrugën e anëtarësimit në BE, duke u përfshirë në reforma të mëdha e, ndonjëherë, duke bërë dhe sakrifica të rëndësishme. Ata e pranojnë se janë ende në fillimin e pjesës më të madhe të punës drejt anëtarësimit në BE, por thonë se duhet ta bëjnë këtë për të mirën e brezave të ardhshëm.