Masat për koronavirusin, Arben Malaj: Ja tre shtyllat kryesore për rimëkëmbjen e ekonomisë

Ish-ministri i Financave Arben Malaj duke komentuar mbrëmjen e sotme masat e qeverisë për përballimin e krizës nga koronavirusi, ka treguar cilat janë sipas tij tre shtyllat kryesore për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Në një intervistë për emisionin RepolitiX, Malaj tha se shtylla e parë është shëndetësia, identifikimi dhe ndihma e shtresave në nevojë, dhe sfidat sociale.
“Së pari, është pjesa e shëndetësisë dhe këtu ka veprime të shpejta dhe rialokime të fondeve që po vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë pasi një nga risqet kryesore është se mungesa e logjistikës është një pikë e dobët pasi askush nuk e ka parashikuar këtë. Edhe veprimet e fundit për të importuar pajisje mjekësore dhe rialokimin e buxhetit Ministrinë e Shëndetit dhe të Mbrojtjes janë pikërisht atë që duhet të jetë prioritet në raste të tilla.
Kolona e dytë, është identifikimi i të gjithë individëve dhe familjeve që kanë nëvojë për ndihmë financiare për të përballuar koston e jetesës së përditëshme. Kriza edhe pse është një krizë shëndetësore, parashikohet të ketë pasoja jo të vogla në fudshën e rritjes së papunësisë dhe varfërisë dhe do t’iu duhet kohë njerëzve të kthehen ne normalitet. ILO- Organizata Boterore e Punës parashikonte se nga ky virus mund të shkaktohen 5-25 milionë të papunë dhe një rritje të varfërisë deri në 35 milionë individ.
Së treti, sfidat sociale. Këto sfida do të jenë të mëdha dhe askush nuk duhet, qoftë edhe në fshatin më të largët jo më në rrethinat e qyteteve, të mbetet jashtë skemave të mbrojtjes sociale. Këtu, do të ishte në të mirë të qeverisë dhe në rritje të kredibilitetit të saj dhe transparencës së procesit që shifrat të ishin të sakta dhe shkalla e mbështetjes, të ishte në një llojë barazie, në varësi kjo edhe të numrit të anëtarëve të familjes”, u shpreh Arben Malaj, ish-ministër i Financave.