Firmëtari i Pavarësisë burgoset 5 vite

KUR U TËRHOQ NGA JETA POLITIKE?

Hamdi bej Ohri lindi në qytetin e Ohrit më 4 shkurt të vitit 1872. I përket familjes fisnike të Gropajve e cila pati një prej idhtarëve të shquar në shekullin XIX, Iljaz pashë Dibrën.

Hamdiu pasi kreu shkollën “Ruzhdije” në Manastir do të vazhdojë mësimet në gjimnazin ushtarak të Stambollit. Vitin e tretë do ta braktisë dhe do të merret me lëvizjen kombëtare. Në gjakun e tij vinte jehona e të parëve, të cilët kishin trashëguar në odat e tyre idenë atdhetare. Për më tepër që në ato vite sundimit Osman po i vinte fundi dhe në Shqipëri ishte ngjizur lëvizja kombëtare.

Do të merrte pjesë në shumë aktivitete të rëndësishme dhe do të bashkëpunonte me Naim Frashërin, Dr.Ibrahim Temon, Çerçiz Topullin, Dervish Himën dhe Bexhet Bektashin.
Afshi i zjarrtë i atdhetarisë mori hov tek Hamdi bej Ohri, sepse në dejt e tij vlonte gjaku i kulluar i gjyshit të tij, Iljaz Pashë Dibrës, i cili ishte një nga shtyllat më të forta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në vitin 1897 ai do të hapë shkollën shqipe në Ohër duke hapur dyert e shtëpisë së tij dhe duke marrë si mësues Hajdar Blloshmin nga Starova.

Por një hap i tillë kaq i rëndësishëm nuk do të lejohej nga pushtuesit osmanë. Ishin vitet e errëta të persekutimit dhe ndaj tij u lëshua një ferman, të dy ai dhe mësuesi u arrestuan dhe u mbyll në mënyrë të rrufeshme kjo shkollë.

Hamdiu do të burgoset për 5 vite. Por dhe pse i mbyllur ai përsëri do të vazhdonte përkushtimin e tij për gjuhën shqipe. Do të vazhdojë të japë mësime dhe në burg.

Pas protestave të shumta të atdhetarëve në Stamboll, Manastir, Dibër e Ohër, ai u lirua nga më 1899-ën.

Gjatë vitit 1899, Hamdi bej Ohri, zhvilloi një veprimtari të dendur në mbështetje të Lidhjes Shqiptare të Pejës.

Në vitin 1900, u kthye në Ohër ku bashkëpunoi me Sotir Kolenë në hartimin e një fjalori të gjuhës shqipe, i cili më vonë u zhduk.

Në vjeshtën e vitit 1900 udhëtoi për në Elbasan, Tiranë, Mat e Dibër ku u takua me atdhetarë të shumtë shqiptarë.

I dalluar tashmë për veprimtari atdhetare do ishte nën lupën e pushtuesve. Pas takimit me atdhetarët e Dibrës, Porta e Lartë do urdhërojë arrestimin e tij dhe dënimin me burg. Pas dy vjet vuajtjeje me kërkesën e vazhdueshme të atdhetarëve shqiptarë, Sulltani e liroi.

Në vitin 1902, së bashku me Ismail Qemalin, Ibrahim Temon, Dervish Himën, Hoxhë Kadriun, J.Erebarën shkuan në Paris ku morën pjesë në Kongresin e xhonturqëve. Në vitin 1909, në cilësinë e delegatit të Ohrit ishin në Kongresin e Elbasanit dhe hapjes së shkollës normale.

Në nëntor të vitit 1912, përfaqësoi Strugën e Ohrin në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Duke u bërë firmëtar i aktit më të jashtëzakonshëm shqiptar, që krijoi për herë të parë një shtet të konsoliduar. Një ëndërr që kishte fjetur kaq kohë në familjen nga buronte por dhe në ëndrrën e gjithë shqiptarëve.

Pas izolimit të plotë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit, më 22 janar të vitit 1914, Hamdi bej Ohri, u tërhoq tërësisht nga jeta politike.

loading...
Back to top button
Close