Sa të përgatitur jemi për të përballuar koronavirusin?

Shqipëria rrezikon të ketë një prevalencë të lartë të jetëve të humbura nga Koronavirusi, për shkak se ka numrin më të ulët të trupës mjekësore për banorë në Europë dhe më pak pajisje mjekësore për të trajtuar pacientët e sëmurë rëndë.
Në një skenar si Italia, mjekët profesionistë parashikojnë vështirësi për shkak të mundësive të kufizuara për të shpëtuar jetë. 740 shtretër në dispozicion për koronavirusin dhe 230 pajisje respiratore gjithsej.
Financimet dhe kostot e trajtimit shëndetësor
Sistemi ynë shëndetësor, edhe pa një emergjencë pandemie si koronavirusi është i brishtë për të përballuar barrën e rëndë të sëmundjeve me të cilën Shqipëria po përballet në dekadën e fundit.
Me numrin më të ulët të mjekëve për banorë sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit dhe me mungesë pajisjesh, Shqipëria do ta ketë të vështirë të përballojë një skenar italian.
Mjekët, pa dashur të krijojnë panik, pohuan se një skenar italian në Shqipëri do të kishte prevalencë më të lartë të vdekjeve, se mesatarja e deritanishme.
Doktorët shqiptarë, në një fluks të mundshëm, do të jenë të detyruar të zgjedhin kush do të jetojë e kush jo, pasi pajisjet në dispozicion për frymëmarrjen artificiale dhe aparatet e dializës nuk janë në gjendje pune.
Kapacitetet aktuale janë të zënë 60-80% edhe pa koronavirusin tha mjeku, duke lënë të nënkuptojë se nevoja që paraqet koronavirusi është më e madhe se logjistika jonë.
Arjan Mezini, Mjek Pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”, tha se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për të respektuar masat e marra kundër përhapjes së koronavirusit.
Mezini paralajmëroi se nëse qytetarët shqiptarë vijojnë të mos respektojnë këshillat, do të kemi një kolaps më të madh se Italia.
Faza e parë, 740 shtretër për koronavirus
Në fazën e parë të përballimit të epidemisë së koronavirusit janë në dispozicion në fazën e parë 740 shtretër, nga të cilët 80 në pavijonin e infektivit në QSUT, 300 shtretër në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe 340 shtretër në spitalin e Durrësit, sipas të dhënave të siguruara nga Task Forca.
Siç është bërë e njohur edhe më parë nga Taks Forca pranë Ministrisë së Shëndetësisë, fillimisht do të shfrytëzohet Infektivi dhe më pas, në bazë të nevojave, do të vihet në dispozicion Sanatoriumi dhe më pas spitali i Durrësit.
230 pajisje për intubim, 60-80% janë të zëna
Sipas të dhënave të posaçme nga stafet mjekësore në Shqipëri ka gjithsej 230 pajisje intubimi, të cilat sigurojnë frymëmarrje artificiale për pacientët e rënduar. Nga këto pajisje, rreth 80 të tilla i takojnë Spitalit Amerikan dhe rreth 150 të tjera i ka sistemi shëndetësor publik në Tiranë dhe në spitalet rajonale.
Por jo të gjitha këto kapacitete janë në gjendje pune. Në spitalin “Sheqet Ndroqi”, 4 nga këto pajisje jashtë janë jashtë funksionit. Por në rrethe dhe portalet rajonale, edhe pse ka pajisje intubimi, mungojnë mjekët reanimatorë.
Në një skenar italian, Shqipëria do të kishte më shumë humbje jete shpjegojnë mjekët. Aktualisht pajisjet e intubimit janë 1 për 20 mijë banorë, në raport me 1 për 12 mijë banorë që kishte Italia. Javën e fundit, Italia e çoi numrin e pajisjeve respiratore në 1 për 2 mijë banorë, ndërsa Gjermania ka një pajisje intubimi për 3500 banorë.
Nga të 230 pajisjet e intubimit gjithsej në shtet dhe në privat, ato aktualisht janë të zëna në 60-70%, për shkak të sëmundjeve të tjera si traumat, urgjencat dhe të sëmurët kronikë që nuk mund të lihen pas dore prej epidemisë së mundshme të Koronavirusit.
Në të vërtetë, në dispozicion të koronavirusit për momentin janë katër pajisje në infektiv dhe katër në Sanatorium. Të tjerat gjenden në pavijonet e tjera, por shumica e tyre janë të zëna.
Mirëpo për t’i bërë ballë koronavirusit për rastet e rënduara nuk mjaftojnë vetëm pajisjet e intubimit, por duhen edhe pajisje të dializës.
Te personat e rënduar, përveç mushkërive, dalin jashtë funksionit edhe veshkat. Për këtë arsye, duhen edhe pajisje dialize.
Trupa mjekësore, e pamjaftueshme. Shqipëria, me numrin më të ulët doktorëve në rajon. Shumë spitale rajonale kanë pajisje intubimi, por nuk kanë mjekë reanimatorë. Në tërësi, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve.
Krahas mungesës së financimeve, mësohet se shkak për këto zhvillime është bërë edhe emigracioni i lartë i trupës shëndetësore jashtë vendit, sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë.
Aktualisht janë 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë. Edhe këto burime të pakta njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.
Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.
Rrjeti i kujdesit shëndetësor parësor konsiston në 413 qendra shëndetësore. Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike. Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.
Spitalet universitare, të përqendruara në Tiranë, tërheqin një fluks pacientësh në rritje, për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet bashkiake e rajonale dhe anashkalimit ose mospërdorimit të sistemit të referimit.
Sipas një raporti të qeverisë shqiptare, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor.
Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.
Për pasojë, numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë. Migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë.
Trupa mjekësore prej zonave rurale, sidomos të thella, ka lëvizur drejt zonave urbane. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë.
Monitor