Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Rritet çmimi i siguracionit të makinës. Kompanitë: Dëmet janë rritur ndjeshëm

—-Nga Dorina Bilbili—-

Tiranë- Të sigurosh automjetin tënd duke nisur nga e hëna e kësaj jave kushton më shtrenjtë. Policat vjetore të sigurimit nëpër agjenci kushtojnë afro 7% më shtrenjtë se një javë më parë, nga 146 mijë lekë janë bërë 156 mijë lekë veçanërisht për autoveturat e klasit “B”, me tendencë rritjeje në një të ardhme të mesme apo afatgjatë.
IDEA bisedoi sot me Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve “InterAlbanian Sh.a”, zotin Bardhyl Minxhozi i cili na shpjegoi këto ndryshime të herëpashershme që po ndodhin në këtë treg, në vendin tonë.
Zoti Minxhozi nënvizoi se rritja e çmimit është ende e ulët në krahasim me dëmet dhe përgjegjësitë që kanë ndaj konsumatorit kompanitë e sigurimit teksa tha se tregu i sigurimeve në Shqipëri po njeh zhvillime të njëpasnjëshme.
Zoti Minxhozi përse u rrit sërish polica e sigurimit të automjeteve?
Mendimi im personal është se detyrimi motorrik është ende i ulët në krahasim me shërbimin dhe përgjegjësinë që ofrojmë. Kompanitë tona sipas ligjit detyrohen 200 mijë euro për një “rast” sigurimi dhe mbi 1 milionë euro për një “ngjarje” sigurimi, përshembull një autobus. Krahasuar edhe me frekuencen e aksidenteve, plus kosto e shërbimit, rritjes së nivelit të jetësës polica është ende e ulët. Teknikisht çmimi duhet të rritet sërish.
Ju thoni që dëmet janë rritur, rrjedhimisht edhe kostot tuaja por si i keni matur këto? Keni studime të mirëfillta sesi kanë ndryshuar këto kosto?
Secila kompani ka treguesit e saj, unë kam ato të kompanisë sime dhe atyre u referohem. Po ja, për një policë sigurimi 50 litra naftë është tarifa 100 mijë lekë të vjetra. Pra s’është në raport të drejtë sepse tregu i lavazheve është dy herë më i madh se yni. Ne kemi më shumë kapitale se të ardhura. Kemi risk më të madh, varemi nga limitet e përgjegjësisë, cilësisë së makinave etj.
A ka lidhje kjo me nxitjen e përdorimit të makinave të prodhuara vitet e fundit, të cilat i kanë kostot e riparimit edhe më të larta?
Natyrisht që ka lidhje. Ka tendencë të rritjes së dëmëve, në numër dhe në sasi.
Po çfarë impakti sjell kjo rritje çmimi sipas jush?
Duke matur aksidentet, në 5 vitet e fundit, sipas të dhënave të kompanisë sime, dëmet janë rritur më 30%. Për çdo 100 euro paguanim 30 euro dëme, tashmë paguajmë 60 euro dëme. Kjo flet për një tendence të zhvillimit të tregut të sigurimeve në vendin tonë, që ka ndodhur edhe në vendet e tjera të botës. Kjo ndodh në kushtet e liberalizimit të tregut.
Ju po thoni që edhe kjo rritje e çmimit për sigumin e automjeteve, e dyta brenda vitit, do të ndryshojë sërish?
Autoriteti i Mbikqyrjes na ka vendosur si rregull një “rezerve dysheme” prej 10 mijë lekësh. Nëqoftëse unë shes një policë sigurimi duhet të shënoj në kontabilitetin tim 10 mijë lëke rezervë, kësaj i shtohet TVSH-ja, i shtohet rroga dhe komisionet. Pra ne dalim 0 me 0 me fitimin. Ndaj them se duhet rritje e mëtejshme.
Përse i rritni të gjithë përnjëherësh çmimet? A kemi të bëjmë me një treg të monopolizuar i cili rrezikon të shkelë konkurencën?
Tregu i sigurimeve ndryshon nga tregjet e tjera. Siç është ai i birrës apo naftës. Ne shesim premtime, jo produkte. Unë marr përgjegjësi kur shes shërbimin. Konkurenca në çmim në rastin tonë s’është si në rastin e çmimit të bukës apo sheqerit. Ai ma ka blerë dhe unë përmes një kontrate jam i detyruar të mbaj përgjegjësi e të paguaj. Këtu shihet pastaj a është respektuar konsumatori, sipas secilës kompani. Ne si kompani udhëhiqemi me ligje të përbashkëta dhe kontrollohemi po njëlloj, pra edhe reagimet e çmimit duhet të jenë aty-aty, sepse unë s’mund ta vë 190 e tjetri 140 sepse humbas garancinë. Në tregun tonë s’ka monopol.
Por njerëzit sa herë raportohet për rritje të policës së sigurimit të makinave janë të ndjeshëm, si një barrë e shtuar vit pas viti…
Ashtu është, kjo lidhet me kulturën dhe edukatën, janë të gatshëm të paguajnë 700 lekë për lavazhin por për sigurimin u duket e shtuar, barrë.
Sipas kompanive të sigurimit në Shqipëri në Evropë mesatarja e policës së sigurimit të automjeteve është 550 euro dhe vetëm në Italinë fqinje është 1.200 Euro në një vit. Por teksa çmimet rriten, IDEA në shumë vëzhgime të saj ka konkluduar se çështjet që shkojnë në gjykatë për zgjidhje për shkak të mosdëmshpërblimeve nga ana e kompanive të sigurimeve pas pësimit të një aksidenti janë të shumta, e që shtyhen deri në 5-6 vjet. Sakaq në korrik të këtij viti qeveria shqiptare u vu zyrtarisht nën hetim pasi dyshohej se një kartel ishte krijuar në fushën e sigurimeve, e që funksiononte kundër interesave të publikut që paguan për sigurinë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button