Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Pse Rama nuk bie me denoncime?!

Qëkur Partia Demokratike kaloi në opozitë në vitin 2013 në zgjedhjet e atëhershme parlamentare, dhe që kur në krye të saj erdhi Lulzim Basha duhet thënë që kjo parti ka kaluar në procese mjaft të vështira transformimi, por edhe vëniesh në pikëpyetje.

Kjo më së shumti për veprimet politike deri diku radikale të kreut të saj, siç mund të përmendim këtu izolimin për disa muaj brenda një çadre, largimin e thuajse të gjithë figurave me kontribut të hershëm në parti, djegien e mandateve dhe dalja nga parlamenti etj.

Të gjitha këto veprime të ndërmarra nga Partia Demokratike do të krijonin një frymë të gjerë mosbesimi dhe do të forconin edhe më shumë qeverinë në pushtet.

Menjëherë pas largimit nga qeveria dhe zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Partisë Demokratike do t’i bashkohej edhe LSI-ja. Tashmë në një emër të vetëm duke u quajtur “opozita e bashkuar”.

Në këto vite opozitë së bashku duhet thënë që aksioni më i madh opozitar është përqendruar tek denoncimet e veprimeve të qeverisë, sesa tek aksionet dhe vepimet direkte karshi qytetarëve.

Pra sot pas kaq vitesh kur duhet pranuar që edhe forca denoncuese e opozitës ka rezultuar e suksesshme, duhet pranuar po aq që denoncimi duhej të ishte një nga instrumentet e opozitës, dhe jo kryesori e i vetmi.

Kjo në fakt e ka dëmtuar opozitën, pasi i ka krijuar asaj imazhin e asaj që opozita nuk e lufton dot në mënyrë frontale opozitën dhe të vetmin instrument ka denocimin.

Duhej që opozita t’i kishte përdorur në mënyrë paralele denoncimet dhe aksionin frontal me qeverinë.

Për t’u kthyer te pyetja që kemi shtruar në krye po japim disa arsye për t’i dhënë përgjigje edhe tezës që mbrojmë nëpërmjet pyetjes.

Pra është mision i pamundur e në mos naivitet të mendosh se Rama mund të rrëzohet ose të largohet vetëm nga denoncimet që po bën opozita. Kjo për disa arsye:

Së pari, në vendin tonë nuk është akoma i formuar e i “brumosur” mentaliteti i përgjegjshmërisë që kur një politikan filmohet apo provohet se ka bërë një zullum të japë dorëheqje. Kjo nuk ka ndodhur me paraardhësit dhe me gjasë nuk ndodh as tani me qeverinë aktuale. Ndaj edhe denoncimet nuk mund t’a çojnë në fitore opozitën.

Së dyti, qeveria aktuale dhe kreu i saj Rama kanë siç asnjëherë më parë pushtet dhe forcë për të pasur çdo gjë nën kontroll. E derivatisht kështu të mbajnë nën kontroll edhe denoncimet e opozitës që mund të vijnë si shkak i ndonjë “pakujdesie” të mazhorancës.

Së treti, edhe vetë qytetarët janë zhgënjyer e aq mësuar me këtë situatë sa më thuajse nuk u bën aq përshtypje, përveç përdorimit masiv për meme në facebook e gjetkë.

Ndaj edhe më shumë se denoncimet qytetarët kanë nevojë për bindje se gjërat mund të ndryshojnë. Dhe këtë bindje duhet t’ua krijojë opozita, gjë e cila nuk vjen vetëm nëpërmjet denoncimit.

Back to top button