Rama: Nuk pres asgjë për negociatat!

Kryeministri Edi Rama deklaroi për ‘AFP’ se Shqipëria nuk do të qëndrojë pas derës së Evropës dhe të qajë që ajo të hapet.
Rama theksoi se Tirana duhet të përqendrohet në të ardhmen e saj, pasi Brukseli i zgjidh pyetjet me gjemba gjatë procesit të pranimit. Brukseli prezantoi strategjinë e re për integrimin, por kryeministri Rama nuk është optimist.
“Ne nuk do të qëndrojmë te dera e Evropës dhe të qajmë. Ne nuk jemi në këtë rrugë sepse francezët ose gjermanët po na kërkojnë, por sepse është rruga e vetme e arsyeshme për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Europa po vuan, nuk funksionon ashtu siç duhet, është e qartë. Shqipëria bëri më shumë se çdo vend tjetër për hapjen e negociatave. Por vendi do të vazhdojë t’i bëjë detyrat e veta shtëpiake (sepse) ne nuk po i bëjmë ato për ta, ne po i bëjmë vetë”, deklaroi ai.
Kryeministri Rama u ndal edhe te konferenca e donatorëve që do të zhvillohet në 17 Shkurt në Bruksel. “Ne e vlerësojmë shumë vullnetin për të organizuar këtë konferencë dhe shpresojmë që ajo të jetë e suksesshme” tha Rama. I pyetur nëse tërmeti ishte një thirrje zgjimi për Shqipërinë në përgjithësi, Rama tha se ai ishte “realist”. “Kjo është një mundësi e madhe për vendin që të demonstrojë se po i bën gjërat ndryshe. Por për të thënë që shqiptarët do të bëhen suedezë, nuk mendoj se do të ndodhë”, përfundoi Rama.