Basha zyrtarisht në gjyq për lobimin rus, dosja dërgohet në gjykatë

Sot në ditën e fundit të afatit, prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë dosjen kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha, ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj force Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi. Mediat vizuale raportojnë se dosja e dërguar nga prokuroria është regjistruar në sekretarinë e gjykatës së Tiranës mesditën e sotme, ndërsa tashmë pritet që brenda 10 ditëve të hidhet shorti për të përcaktuar trupën në seancën paraprake. Pas përcaktimit të trupës, gjykata në seancën paraprake mund të marrë tre vendime; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.

Dosja solli përplasje mes prokurorëve të Tiranës, pasi  Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako kanë qenë dakord dhe vendosën për mbyllje hetimesh për të marrë të pandehur Lulzim Bashën, por kolegu i tyre Kole Hysenaj ka qenë kundër, duke kërkuar zgjatje të afateve hetimore dhe marrjen e deklarimeve të Nik Muzin. Megjithatë vendimi është marrë  2 me 1 dhe tashmë dosja është dërguar në gjykatë, ku pritet që të caktohet trupa që do ta gjykojë.

Loading...

Hetimi financiar për lobimin prej 675 mijë dollarësh me kompaninë “Muzin Capitol Partners”, çoi në bankën e akuzës kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD Arben Ristani dhe financierin e kësaj force politike Ilir Dervishi. Tre personat akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve”, pasi nuk kanë bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa u pushuan hetimet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Pagesa totale prej 675 mijë dollarësh, e bërë për llogari të PD-së drejt kompanisë lobuese në SHBA, ka shërbyer për disa takime dhe foto me zyrtarë të lartë amerikanë.

Sa vite burg rrezikon Lulzim Basha

Por sa vite burg rrezikon kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD nëse provohen akuzat për falsifikim? Neni 190/3 bën fjalë për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.

Historia e lobimit te PD-së në SHBA

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Loading...
Back to top button
Close