Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Familjarët e pushtetarëve në administratën e Bankës së Shqipërisë

Faqja e Bankës së Shqipërisë bën të ditur se të gjitha vendet e punës janë të zëna nga fëmijët, gratë, nipërit e kushërinjtë e klasës politike

Departamentet ku janë punësuar fëmijë, vëllezër, motra, nipër e mbesa politikanësh

Familja
Mbesa e guvernatorit: Mbesa e vetë guvernatorit Ardian Fullani punon në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në BSH
Nipi i guvernatorit: Nipi i guvernatorit Ardian Fullani punon në Departamentin e Burimeve Njerëzore në BSH
Mbesa e gruas: Mbesa e bashkëshortes së guvernatorit Ardian Fullani punon në Departamentin e Informatikës në BSH

Ka një arsye që i përligj shpenzimet e luksit në Bankën e Shqipërisë. Zyrat e shtrenjta, pagesat për ushqim e deri për aktivitete sportive janë favore që i gëzojnë një numër i madh familjarësh të njerëzve me pushtet politik në këtë vend.

Bij, bija, motra, vëllezër, kunetër e kunata të pushtetarëve janë të punësuar në administratën e Bankës së Shqipërisë, ku njerëzit paguhen dhe trajtohen si në asnjë institucion tjetër.

Burime brenda Bankës së Shqipërisë i treguan gazetës “Shqip” lidhjet nepotike të disa nëpunësve në departamente të rëndësishme të administratës së BSH.

Një nga emërimet e fundit me lidhje në politikë është ai i vajzës së nënkryetares së PD-së dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në Departamentin e Kërkimeve. Ndërkohë mësohet se vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ministrit të Financave Ridvan Bode, punon në Departamentin e Stabilitetit Financiar në BSH.

Në Departamentin e Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë punon djali i një tjetër funksionari të lartë të PD-së, ish-nënkryetarit të Kuvendit Fatos Beja, i cili është aktualisht kryetar i Komisionit Parlament për Politikën e Jashtme.

Në BSH punon edhe djali i ish-kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, republikanit Robert Çeku. Djali i Çekut mësohet se punon në Departamentin e Kontabilitetit.

Edhe kryetari i PD-së, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka një të afërm pranë guvernatorit. Kunata e tij është këshilltare e Ardian Fullanit.

Në radhët e nëpunësve të Bankës së Shqipërisë mund të gjesh pastaj familjarë të pushtetarëve të të gjitha niveleve. Të paktën tre nga zëvendësministrat e qeverisë së koalicionit PD-LSI, Eno Bozdo i METE-s, Ylli Manjani i MPPT dhe Alfred Rushaj i MF kanë njerëz të punësuar në BSH – dy të parët motrat, i treti kunatën.

Burimet brenda Bankës së Shqipërisë i thanë gazetës “Shqip” se në këtë institucion janë punësuar gjithashtu të afërm të kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, të prefektit të Tiranës Kletis Kruja, të ish-kreut të ALUIZN-it dhe ish-deputetit demokrat Shaban Memia etj.

Lista e nëpunësve të BSH-së me lidhje në politikë është e gjatë dhe përfshin edhe ish-funksionarë të së majtës, si Ylli Bufi, që ka të punësuar vajzën dhe Xhoana Nano vëllain. Në BSH mësohet se punon gjithashtu edhe një nga mbesat e udhëheqësit të fundit të PPSH-së, Ramiz Alia.

Ndërkohë, burimet e gazetës bëjnë të ditur se në poste të rehatshme në BSH janë emëruar edhe persona nga rrethi familjar i vetë guvernatorit Ardian Fullani. Kështu mësohet se një nga mbesat e bashkëshortes së guvernatorit punon në Departamentin e Informatikës. Një mbesë e vetë guvernatorit punon në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, ndërsa nipi i tij, në Departamentin e Burimeve Njerëzore.

Numri i nëpunësve të Bankës së Shqipërisë me lidhje direkte apo indirekte me persona të pushtetshëm është më i madh, por çfarë u numëruan më sipër janë fakte të njohura për të gjithë në administratën e fryrë e të mirëpaguar të këtij institucioni që ka për detyrë të kujdeset për paratë e shqiptarëve.

Gazeta nuk disponon prova dhe nuk ka pretendime se emërimet e sipërpërmendura janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Por logjika e thotë që diçka nuk shkon, kur sheh se sa shumë njerëz të lidhur me politikën kanë zënë vend në karriget e paguara shumë shtrenjtë me para publike. Ky realitet mund të shpjegojë në njëfarë mënyre edhe mbështetjen e fortë që gjeti në Kuvend Ardian Fullani, për të marrë një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
              Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button