Ofronin gra surrogate në Shqipëri, izraelitët mbyllin faqen pas denoncimit të Top Story (VIDEO)

Pa u mbushur 24 orë nga transmetimi i investigimit të emisionit Top Story për veprimet joligjore të disa klinikave në Shqipëri që ofronin shërbimin e surrogacisë, një prej tyre ka fshirë nga faqja e saj çdo lidhje lidhje që ka me vendin tonë.
Bëhet fjalë për faqen me detaje për shërbimin e surrogacisë në Shqipëri, ‘Sugorracy In Albania’ e cila është degë e kompanisë izraelite, ‘Tamuz Family’.
Në këtë faqe, një ditë më parë, Top Story zbuloi disa të dhëna mjaft interesante. Fillimisht tregohet se cilat janë këto vajza që ofrohen për tu bërë nëna surrogato në Shqipëri.
Çmimi për një bebe sipas faqes ‘Surrogaci in Albania’ është 69 mijë euro, ndërsa për binjakët, çmimi shkon 119 mijë euro.
Agjencia Izraelite, jepte edhe informacion për procedurat ligjore. Në fakt këtu është thembra e Akilit për të gjithë këtë histori. Sepse nuk mund të flasësh për procedura ligjore kur ligji mungon. Gjithsesi, në këtë rast agjencia izraelite, tregonte se bashkëpunonte me një avokate shqiptare që quhet Arjula Çibaku.
“Ne jemi të kënaqur që punojmë më avokaten Arjula Çibaku, partnerja jonë ligjore në Shqipëri. Arjula do të asistojë me të gjitha çështjet ligjore në Shqipëri duke përfshirë kontratën mes personit porositës dhe vajzës surrogate”, thuhej në përshkrimin e kësaj faqe.
Arjula Çibaku në CV e saj shkruan se është avokate, specialiste ligjore e markave tregtare dhe përkthyese e licencuar e gjuhës Turke. Por puna e kësaj avokateje nuk mbaron këtu. Ajo merret edhe me procedurat më delikate që kanë të bëjnë me regjistrimin e fëmijës pas lindjes.
Ajo gjithashtu do të asistojë në procesin e marrjes së një certifikate lindje dhe një pasaporte për fëmijën e lindur. Babai biologjik do të regjistrohen në çertifikatë ne lindjes së bashku me nënën surrogato. Pasi ju keni iku nga Shqipëria, dhe të jeni kthyer në shtëpi do të fillojnë procedurat e tjera ligjore për ta hequr emrin e nënës surrogato nga çertifikata e lindjes.
Detajet e mësipërme janë të dhëna që sot nuk do t’i gjeni në faqen www.tammuz.com, pasi seksioni ku reklamohej dhe “legjitimohej” ky aktivitet në Shqipëri nuk ekziston më pasi janë fshirë.
Por kush është fajtori?! Përse faqja izraelite nxitoi të fshinte çdo lidhje me Shqipërinë?! Gënjenin ata, apo ata ishin të gënjyer?!
Këto pyetje do të duhet t’u japin përgjigje më tepër se sa një emision investigativ, institucionet shqiptare, të cilat duhet të hetojnë dhe zbulojnë lidhjet e këtij krimi të kamufluar.