Kriza politike në Kosovë, javën e ardhshme priten diskutime për zgjidhjen e situatës

Java e ardhshme pritet të jetë periudhë diskutimesh për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, paralajmëruar se do të përqendrohet që të mos e çoj vendin në zgjedhje por të formohet një qeveri siç e ka quajtur të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes.
Që nga e mërkura, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë, pasi që parlamenti me 82 vota miratoi mocionin e Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. LDK-ja kërkoi që tarifat të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.
Përgjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh.
Të enjten në një deklaratë të përbashkët, ambasadori Richard Grenell i dërguar presidencial për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, theksuan se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë. Ata i bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht, pasi që sipas tyre ato po dëmtojnë qytetarët e Kosovë.
Ligjvënësi amerikan, Eliot L. Engel, që është kryesues i komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve tha se “ka diçka të gabuar në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe kjo duhet të korrigjohet, duke bërë thirrje për një qasje të drejtpeshuar ndaj Kosovës dhe Serbisë”.
Zoti Engel u shpreh i shqetësuar gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që po i përdorë administrata Trump kundruall Prishtinës. Ai kritikoi administratën amerikane për përdorimin e ndëshkimeve ekonomike dhe që i kontribuoi siç tha krizës politike në Prishtinë, për shkak të tarifave ndaj Serbisë.
Ai tha se ka shumë arsye të mira që Kosova të heqë tarifat, të cilat sipas tij më shumë po e dëmtojnë edhe në mundësinë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje paqësore me Serbinë.
Shtetet e Bashkuara tha ai duhet fillojnë me ri balancimin e qasjes kundruall Serbisë dhe Kosovës. Amerika tha ai, duhet të bashkëpunojë me aleatët evropianë për t’i trajtuar të dyja shtetet si partnere të pavarura dhe sovrane, duke përdorur standarde të njëjta për të dyja palët, teksa bëhen përpjekje për rifillim të bisedimeve paqësore. Kur ligji amerikan thotë se duhet vënë sanksione Serbisë shkaku i lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, atëherë duhet të bëhet, shkroi ligjvënësi Engel.
Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike u formua në fillim të muajit shkurt dhe u gjet nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit 2018, duke çuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sipas analistëve, mos heqja e tarifave i ka kushtuar Kosovës me rënien e dy qeverive.