“S’u lejojmë të vini në Shqipëri, se SHBA-ja e pengon Britaninë të na kthejë arin”: Debatet e ambasadorit shqiptar me kongresmenin Kennedy

Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga arkivat sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë (tashmë të deklasifikuara), të cilat bëjnë fjalë mbi një korespodencë të misionit diplomatik shqiptar në OKB dhe Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, lidhur me një kërkesë të bërë nga kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, djali i madh i senatorit amerikan Robert F. Kennedy, i cili në gushtin e vitit 1989, i paraqiti një kërkesë përfaqësuesit të përhershëm pranë misionit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Pitarka, duke i kërkuar që ata ta paisnin me një vizë, pasi ai dëshironte që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke dhënë dhe shpjegimet e rastit rreth arsyeve që e obligonin për ta ndërrmarë atë udhëtim, si dhe planet konkrete që ai kishte për ta ndihmuar vëndin e vogël ballkanik. Cili ishte ndërmjetësi që mundësoi takimin në mes politikanit të lartë të SHBA-ve dhe msionit shqiptarë në OKB, që ishte dhe zyrtari i parë amerikan që pritej prej tyre që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe debatet e ashpra që u bënë prej tyre lidhur me arsyet që iu parashtruan atij dhe përgjigjien negative e refuzimin kategorik që Tirana zyrtare po i bënte kërkesës së tij…
Nga Dashnor Kaloçi
Në fundin e viteve ’80-të kur në mbarë Europën Lindore kishin filluar dhe po frynin “erërat e Perëndimit”, gjë e cila u “finalizua” me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe hapjen e kufijve të disa shteteve ish-komuniste, si Hungaria etj., (ku turma njerzish vërshuan fillimisht drejt Austrisë, Gjermanisë Perendimore, etj), në Shqipërinë komuniste dukej se gjërat po rrinin në vënd dhe “ujrat” nuk po lëviznin! Madje po ndodhte e kundërta! Kështu, ndryshe nga pjesa më e madhe e vëndve ish-komuniste të Lindjes që i thanë ok “Perestrojkës gorbaçoviane”, duke e përkrahur dhe zbatuar atë, Ramiz Alia, pasardhësi i Enver Hoxhës, që ishte betuar për “vazhdimësinë”, po i mbahej “fjalës së dhënë”, dhe me qëndrimet e deklaratat e tij, si: “Nuk tundet Taraboshi nga era”, Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim”, “Edhe bar do ham, por parimet nuk i shkelim”, etj., duket se po i çonte sinjale të qarta si Lindjes ashtu dhe Perëndimit, se ato gjëra nuk mund të ndodhnin kurrsesi në Shqipëri.
Dhe nisur nga këto qëndrime dhe deklarata të pasëardhësit të Enver Hoxhës, shumë analistë të huaj që ndiqnin me vëmëndje dhe interes të veçantë ngjarjet në vëndin e vogël komunist më të prapambetur të Evropës, i shihnin me skepticizëm ndryshimet që mund të ndodhnin, kjo edhe për shkak të izolimit gati gysëm shekullor që kishte Shqipëria komuniste dhe që po vazhdonte ende. Ndoshta kjo, edhe për shkak të informacionit të pakët që ata kishin se ç’ndodhte në këtë vënd të vogël të Ballkanit, si dhe një interesi të pakët që po tregonte bota, apo më saktë Perëndimi për të?! Kjo tezë, pra, “interesi i pakët i Perëndimit” ndaj Shqipërisë komuniste, pas viteve ’90-të, është përdorur si një justifikim nga ish-kreu komunist Ramiz Alia e ndonjë tjetër bashkëpunëtorë i tij, për të përligjur jo vetëm vonesën e reformave në aspektin ekonomik dhe politik që ndodhën në Shqipëri, por edhe gjëndjen tejet të mjeruar dhe katastrofike ku e çoi vëndin vija e tyre politike që ndoqën prej gati gjysëm shekulli.
Po, a ka pasur vërtetë një “interes të pakët të Perëndimit”, ndaj Shqipërisë komuniste, të paktën në periudhën “post Enver Hoxha” nën udhëheqjen e Ramiz Alisë?
Duke përjashtuar vizitën e Shtrausit në Shqipëri në mesin e viteve ’80-të dhe negociatat e tij që kishin filluar që në gjalljen e Enver Hoxhës, pothuaj nuk ka asnjë të dhënë apo fakt tjetër që ta konfirmojë këtë gjë. Të paktën publikisht në shtyp apo në librat memuaristikë, nga ish-diplomatë e funksionarë të lartë të asaj kohe që, për arsye pune, j’u dha rasti të merreshin apo të negocionin me zyrtarë të huaja që kishin shprehur interes për Shqipërinë komuniste.
Si p.sh. diplomatët shqiptarë pranë misionit diplomatik të OKB-së, ku në mesin e viti 1989, kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, (pinjoll i familjes së njohur amerikane dhe i biri i Robert Kennedy), bëri demarshe të madha që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke iu premtuar ndihma konkrete dhe duke argumentuar me fakte bindëse se përse kërkonte të vinte për vizitë dhe të ndihmonte Shqipërinë?! Por ata, pra misioni diplomatik shqiptar në OKB, pas refuzimit kategorik që iu bënë eprorët e tyre në Tiranë, jo vetëm që nuk e lejuan politikanin e njohur amerikan që të vinte në Shqipëri, por i nxorrën lloj lloj preteksesh tepër absurde (absudre dhe për atë kohë), dhe nuk ia aprovuan kërkesën e tij?! Madje edhe pas lutjeve dhe kërkesave të një pas njëshme të tij me letra dhe takime, qëndrimi i udhëheqjes së lartë komuniste ishte i prerë: “Joseph Kennedy, nuk duhet të vijë në Shqipëri”
Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, për të ardhur në Shqipëri, si dhe debatet që ai zhvilloi me diplomatët e misionit shqiptar në OKB-së, ky ishte dhe zyrtari i parë amerikan që ata takonin që nga mbarimi i Luftës së Dytë Boterore, etj., na njohin një sërë dokumentesh arkivore (tashmë të deklasifikuara), që publikohen për herë të parë ekskluzivisht nga Memorie.al
I N F O R M A C I O N
Mbi kërkesën e kongresmenit Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision
Duke marrë fjalën, sh. B. Pitarka nga ana e tij ndër të tjera i tha: ”Për ne është kënaqësi të takohemi me ju zoti kongresist. Përmes shtypit tuaj dhe bisedave me miqtë shqiptaro-amerikan kemi mësuar për juve dhe aktivitetin tuaj. Ne njohim mirë edhe reputacionin e familjes suaj Kennedy, siç ju thashë atë ditë në telefon, ne vlersojmë ndjenjat e juaja miqësore ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe predispozicionin tuaj miqësor për t’u njohur me vëndin tonë. Për këtë na ka folur edhe miku ynë Piter Lukas. Për dëshirën tuaj për të vizituar Shqipërinë mësova nga letra që më dërgonit. Në telefon u përpoqa shkurtimisht t’u tregoja arsyet objektive përse tani për tani nuk është e mundur të shkoni për vizitë në vëndin tonë. Ju këmbëngulët për shpjegime e një përgjigje më të hollësishme e të argumentuar dhe për këtë ju ofrova t’u prisja në misionin tone. Siç ju thashë kur u prezantuam në fillim, ky është rasti i parë që takohemi e presim në misionin tonë një zyrtar amerikan.
Besoj se jeni në dijeni të gjendjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona, se nuk kemi marrëdhënie diplomatike e nuk mbajmë kontakte. Duhet ta dini se asnjë qytetar me shtetësi amerikane që nuk ka kombësi shqiptare, nuk mund të marrë vizë për të hyrë në Shqipëri, pra edhe ndaj jush nuk mund të bëjmë tani për tani një përjashtim. Për shqiptaro-amerikanët janë dhënë e jepen vazhdimisht viza për vizita kolektive apo individuale në mënyrë që t’u jepet mundësia të shohin atdheun e tyre, vendlindjen e tyre apo të prindërve, si dhe për të parë të afërmit që kanë në Shqipëri.
Kohët e fundit u janë dhënë viza për të shkuar në Shqipëri me burrat apo gratë e tyre me origjinë shqiptare, edhe disa qytetarëve me kombësi e nënshtetësi amerikane. Pra këto janë praktikat tona konsullore lidhur me dhënien e vizave në të tilla raste. Për dijeninë tuaj as qytetarë shqiptare nuk mund të marrin viza hyrjeje në SHBA veç diplomatëve që vijnë me punë pranë misionit ose për sesionet e OKB-së. Organet përkatëse amerikane nuk njohin as pashaportat e shtetit tonë, ndaj edhe vizat për ne nuk vulosen në pasaportat tona siç është praktika ndërkombëtare, por jepen në copa letrash të veçanta. Kjo zbatohet edhe për funksionarë të lartë të Ministrisë sonë të Jashtme, pra edhe ministrit tonë. Bile këtë vit mbi ato letra konsullata amerikane në Paris, kishte vënë edhe shënimin për t’u kujtuar kufizimin e lëvizjes së tyre brenda rrezes 25 miljesh që zbatohet për diplomatët tanë”.
Nga ana e tij J. Kennedy ndërhyri e tha: ”Z. ambasador, unë ju falenderoj që më pritët dhe e konsideroj këtë si nder që më bëhet. Dua të theksoj se nuk e prisja një refuzim të tillë për të vizituar vëndin tuaj. Po ju them me sinqeritet se nuk e kuptoj aspak përse mungesa e marrëdhënieve diplomatike dhe e kaluara e hidhur e marrëdhënieve tona të jenë pengesë për realizimin e dëshirës sime, te një kongresist si unë, për të vizituar vëndin tuaj. Me të vërtetë më habit ky qëndrim. Unë kam vizituar shumë vënde si BS, Poloninë, Kinën, etj.; kam qenë edhe në vende me të cilat nuk kemi marrëdhënie diplomatike, bile edhe në ato me të cilat kemi qenë në konflikte e luftë, si Vietnami e Kamboxhia. Kohët e fundit isha edhe në Angola. Unë jam kongresist i pavarur, kam mendimet e bindjet e mija që nuk varen nga askush, pra as edhe nga politika dhe qëndrimet e qeverisë sonë ndaj një vendi a tjetri. Unë si kongresist zhvilloj veprimtarinë time në mënyrë të pavarur, për të kontribuar personalisht në njohjen dhe forcimin e lidhjeve miqësore midis popullit amerikan dhe popujve të vendeve të ndryshme, me organizata jo qeveritare, etj. Duke u përpjekur të njoh më mirë dhe më nga afër vende e popuj të ndryshëm, jam më mirë në gjëndje të kontribuoj duke folur për to, duke dhënë sqarimet e duhura për gjendjen në to dhe politikën e tyre, duke shprehur pikpamjet e mendimet e mija edhe në Kongres apo në publikun amerikan. Këtë bëra këto ditë në Kongres lidhur me Angolën. Pavarësisht nga rrethanat dhe gjendja e marrëdhënieve tona me qeverinë e Angolës apo lidhjet e qeverisë sonë me udhëheqësin e opozitës, Savimbin e UNITA-së, unë shpreha mendime pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve, të shkëmbimeve tregtare, dhënien e ndihmave e kredive për rindërtimin e Angolës, apo mbi ndalimin e veprimtarisë së Afrikës së Jugut në dëm të atij vëndi.
Unë erdha te ju, vazhdoi pastaj ai, si kongresist por edhe si një mik i shqiptarëve dhe ofrova dorën e miqësisë, degën e ullirit. Nuk e di dhe nuk besoj që të kini një mik tjetër si unë në Kongres, e me një predispozicion të tillë miqësor ndaj vendit tuaj. Mendoj se bëni gabim që refuzoni kërkesën e një kongresisti si unë për të bërë një vizitë të thjeshtë private në Shqipëri. Nuk është gjë e mirë të refuzohet dora e miqësisë. Mund t’u them se në këtë mënyrë bëhet një hap mbrapa. A doni ju që të ruhet akoma një gjëndje e tillë e errët në marrëdhëniet tona? A nuk janë mjaft 40 vjet armiqësie? Në një kohë kur bota po ndryshon e kudo mbretëron një frymë e re në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare, në një kohë kur ju vetë keni vendosur e mbani marrëdhënie të mira bile edhe me shtete ish armike që ju kanë pushtuar, a duhet të mbeteni pa marrëdhënie? Bile më falni që po ju them por dëmet që i janë bërë Shqipërisë nga ndonjë vend si Italia janë shumë më të mëdha se ato gabime që mund të jenë bërë në të kaluarën e largët nga administrata amerikane në rrethana të veçanta.
Nga ana jonë ndërhymë dhe i vumë në dukje: “Unë dëshiroj t’u përsëris zoti Kennedy se ne e kuptojmë dëshirën tuaj për vizitën dhe motivet që qëndrojnë pas saj. Ju vura në dukje se tani për tani, për arsyet e njohura nuk mund të bëhet kjo vizitë. Nuk dëshiroja që të futesha në historikun e hidhur të marrëdhënieve tona e të veprimtarive e qëndrimeve armiqësore ndaj vendit tonë. Por dua të nënvizoj se ne asnjëherë nuk i kemi ngatërruar e nuk i ngatërrojmë politikën dhe qëndrimet administrative të ndryshme me popullin amerikan. Ne nuk mbajmë qëndrime e nuk kritikojmë apriori SHBA-në pa asnjë arsye ose shkak. Përkundrazi, kur është bërë ndonjë gjest apo mbajtur qëndrim pozitiv, siç ishte rasti me rezolutat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati lidhur me shkeljen e të drejtave dhe persekutimin e shqiptarëve në Kosovë, mund t’ju them se nuk kalojnë pa u vënë re e pa u mbajtur shënime në vendin tonë. Por po ashtu nuk mund të mos mbajmë shënime për gjeste e veprime armiqësore që akoma mbahen ndaj vendit tonë”.
Kongresisti Kennedy ndërhyri shpejt dhe tha: ”Unë nuk di të jetë bërë ndonjë veprim armiqësor apo të jetë mbajtur ndonjë qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë vitet e fundit. Unë jam i ri dhe mendoj se brezi ynë nuk mundë të mbahet përgjegjës për gabime që mund të jenë bërë në të kaluarën ndaj vëndit tuaj. Por mendoj se e kaluara duhet varrosur e të punojmë për të ardhmen. Ne u angazhuam për 15 vjet në luftë në Vietnam, por megjithatë tani ka qëndrime e një politikë tjetër ndaj atij vëndi; kanë filluar kontaktet e lidhjet e po bëjmë shkëmbime me ta. Mos vallë për ato që kanë ndodhur kohët e fundit me Nikaraguan duhet të presim 40 vjet e të jetojmë në armiqësi për gjithë jetën me këtë vend? Po kështu edhe me Shqipërinë, a duhet të vazhdojmë të ruajmë këtë gjëndje të marrëdhënieve tona? Mendoj se jo. Por pa u takuar, pa u njohur e pa kontakte nuk mund të ndreqen gjëndja e së kaluarës e marrëdhëniet normale për të ardhmen”.
Ne ndërhymë përsëri e nënvizuam: ”Mendoj se në politikën dhe qëndrimet e SHBA ndaj vëndit tonë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim. Ju thoni se nuk jeni në dijeni për qëndrime e veprime jo miqësore ndaj Shqipërisë në këto vitet e fundit e unë po u përmend vetëm një apo dy fakte, siç është qëndrimi i administratës amerikane lidhur me moskthimin nga Anglia të arit monetar shqiptar që mbahet i bllokuar prej saj akoma edhe sot qysh nga periudha pas luftës. Në bisedimet me ne anglezët na thonë se nuk mund të bien në marrëveshje me ne, për kthimin e arit pa pëlqimin e qeverisë së SHBA e para se Shqipëria të ketë përmbushur kërkesat mbi pretendimet amerikane ndaj saj, që siç na thonë anglezët kanë të bëjnë me pasuri amerikane në Shqipëri, të cilat ne nuk dijmë se çfarë janë. Si rezulat popullit tonë i mohoet e drejta e tij e ligjshme për të marrë në dorë atë ç’ka i takon, arin e tij. Për qëndrim armiqësor të administratës amerikane flet edhe fakti i këtij viti, deklarata e bërë nga përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së pranë OKB-së në mbledhjen vjetore të Komisionit të të drejtave të njeriut në Gjenevë në mars të këtij viti, në të cilën ai sulmonte Shqipërinë dhe qeverinë tonë me akuza e shpifje pa baza mbi gjoja shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Dua të shtoj se këto “përkujdesje” të gjeneralit Wolters për të drejtat e liritë demokratike të popullit tonë të lire, e me të gjitha të drejtat e liritë të garantuara nga pushteti që ai vetë ka në dorë, bëheshin në të njëjtën kohë kur ai nuk shqiptoi as edhe një fjalë të vetme në dënim të dhunës së egër e shkeljes më mizore të të drejtave të gjysmës tjetër të kombit shqiptar në Jugosllavi, kur pleq e të rinj, edhe famijët e vegjël ishin bërë objekt i goditjes së tankeve, helikopterëve dhe plumbave të forcave të ushtrisë jugosllave pse demostronin në mënyrë paqësore për të drejtat e kërkesat e tyre kushtetuese”.
Kongresisti Kennedy ndërhyri përsëri e tha: ”Nuk jam në dijeni të këtyre fakteve. Por dua të theksoj se pikërisht për të shmangur gabime e qëndrime të tilla e keqkuptime të padëshiruara, për të ndryshuar qëndrimet e administratës amerikane ndaj vëndit tuaj është e nevojshme të vendoset dialogu e t’u hapet rruga kontakteve, që të bëhen përpjekje nga njerëz si unë. Të tilla përpjekje do të krijonin kushtet për një mirëkuptim e një atmosferë më të mirë që do të çonin jo vetëm në zgjedhjen e problemeve të tilla si ai që përmendët ju lidhur me arin, që mbajnë të bllokuar aleatët tanë në Angli por edhe në arritjen e një mirëkuptimi më të gjerë për nevojën e vendosjes së lidhjeve e shkëmbimeve miqësore.
Unë, vazhdoi ai, jam anëtar i Kongresit. Ju besoj e dini se çfar fuqie ka Kongresi, se kush vendos mbi buxhetet e fondet e shtetit, përfshirë edhe ato për Departamentin e Shtetit. Është Kongresi që vendos ligjet dhe që imponon edhe ndryshime e qëndrime mbi Departamentin e Shtetit lidhur me politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA-ve. Ju e dini gjithashtu se kush e ka në dorë Kongresin, e ka Partia Demokrate. Unë jam i kësaj partie, unë dua të kontribuoj direkt ose duke punuar me shokët e miqtë e mij në Kongres për ndryshime në favor të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë. Këtë duhet ta bëjmë me vullnet të mirë, me dëshirën për të mbyllur një faqe të errët në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe të hapim një faqe të re, atë të miqësisë midis dy popujve e dy vendeve. Kjo nuk mund të bëhet duke vazhduar armiqësinë, por duke i dhënë fund asaj nëpërmjet kontakteve e shërbimeve si këto që ofroj unë si anëtar i Kongresit dhe mik i shqiptarëve. Prandaj mendoj se bëhet gabim që më mbyllet dera. Në rast se ju personalisht nuk jeni në gjendje të më zgjidhni këtë çështje, atëhere më thoni kush mund ta zgjidhë, kujt t’i drejtohem. A mund t’i drejtohem ministrit tuaj të jashtëm, a është këtu ai? Ndoshta mund t’i drejtohem atij me një letër.
Shikojeni, pra, edhe një herë këtë çështje. Sigurisht unë nuk po them që vizita ime të realizohet nesër, pas një jave apo një muaji, por besoj se duhet ta shqyrtoni këtë kërkesë me realizëm duke kuptuar si duhet motivet e mija dhe ndjenjat e predispozicionin tim miqësor. Pres një reagim pozitiv nga ana e qeverisë suaj. Edhe një herë ju falenderoj që më pritët dhe shpreh kënaqësinë për bisedën me ju”.
Pas takimit me kongresistin Kennedy, shqiptarët që e shoqëronin dolën bashkë me të dhe pak më vonë u kthyen në mission. Ata na thanë se Kennedy kishte mbetur i kënaqur nga takimi, se kuptonte shpjegimet tona por se dëshira e tij për vizitën është e madhe dhe e sinqertë. Gazetari P. Lukas theksoi se sipas tij vajtja e tij në Shqipëri do të ishte me vlera positive. Në Kongres, tha ai, do të kishim ne dhe ju një mik që do të na ndihmonte shumë. Ai shtoi gjithashtu se Kennedy është njeri serioz, një personalitet me prespektivë e se pas daljes në pension të xhaxhait të tij Eduart Kennedy, do të bëhet senator i Meseçusetsit dhe do të hedhë kandidaturën për president të SHBA.
New Jork, më 14.10.1989 Bashkim Pitarka
Sazan Bejo