Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

FOTO: Koncesion? Ja çfarë ndodhi këtë javë në Rrugën e Kombit

Agim Thaçi nga Prishtina mbeti i bllokuar për më shumë se katër orë në rrugën Milot-Morinë ndërsa kthehej nga porti i Durrësit.
Thaçi i cili drejtonte një cisternë transportimi karburantesh të kompanisë EX FIS nga Prishtina thotë se është i revoltuar nga situata.
“Paguajmë 45 euro e 20 cent vajtje-ardhje dhe sërish rruga nuk është e qarkullueshm. Kam katër orë që pres” thotë ai ndërsa ka hapur krahun në një pjesë të rrugës.
Bllokimin e rrugës – mirëmbajtja e së cilës u dha me koncesion një vit më parë nga qeveria shqiptare, e konfirmuan dhe udhëtarë të tjerë.
Autostrada u raportua fillimisht e bllokuar për disa orë mbrëmjen e të mërkurës, ndërsa për mjetet e rënda kishte probleme në qarkullim gjatë gjithë ditës së enjte.
Zëvendësdrejtori i kompanisë koncesionare ‘Albanian Highway Concession’, Spartak Tumani pranoi pjesërisht problemet për mjetet e tonazhit të rëndë, por nënvizoi se këto kishin ardhur për shkak të reshjeve të dendura dhe se bllokimet kishin qenë të përkohshme.
Ai i tha BIRN në një bisedë telefonike se rruga në pjesën më të madhe të saj ishte “e kalueshme në asfalt”, ndërsa pranoi se rreth orës 18.00 kishte sërish një bllokim para hyrjes në tunelin e Thirrës.
Dy trajlera janë bllokuar, por makinat e vogla lëvizin”, tha Tumani, i cili një orë më pas në një mesazh shkroi se i gjithë aksi ishte i kalueshëm.

Kamione të bllokuar ne afersi te stacionit te pageses(Tollit) ne Kalimash të Kukesit
Kompania pretendon po ashtu në faqen e saj në Facebook se rruga është e kalueshme dhe në asfalt pa dëborë, por një numër komentuesish postuan po aty video të bllokimeve dhe treguan një realitet ndryshe.
“Si mund të gënjeni ata që nuk kanë kaluar dot sot”, shkroi një komentues poshtë postimit të kompanisë, ndërsa vendosi një foto të rrugës së mbuluar nga dëbora.
Autostrada e pagëzuar “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej një dekadë më parë dhe ka kushtuar mbi 1 miliardë euro, ndonëse ende nuk ka përfunduar në mjaft pjesë të saj.
Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet.
Ndërkohë, koncesioni për mirëmbajtjen e saj u dha po ashtu pas një sërë debatesh e akuzash.

Borëpastruese në autostradë Rrëshen-Kalimash
Koncesionari filloi në pranverë të këtij viti mbledhjen e tarifës 5 euro për kalim në rrugë me makina normale, ndërsa makinat e tonazhit të rëndë tarifoheshin deri në 22 euro, gjë që shkaktoi pakënaqësi kryesisht në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth.
Një protestë e thirrur nga këshilltarët e Bashkisë Kukës, që kërkonte heqjen e tarifës duke e cilësuar atë abuzive u bë e dhunshme ndërsa protestuesit sulmuan me gurë dhe më pas i vunë zjarrin godinave të ngritura për mbledhjen e parave.
25 qytetarë u arrestuan dhe u dënuan pas protestës me akuza të shkatërrimit të pronës e kundërshtimit të policisë.
Por zemërimi i tyre e detyroi kryeministrin Edi Rama të organizonte disa fjalime publike për të sqaruar pse rruga po jepej me koncesion.
Pas kësaj qeveria uli në 100 lekë tarifën për banorët e qarkut të Kukësit dhe disa lëshime për ata që përdornin shpesh rrugën Kostoja prej rreth 50 milion euro e këtyre lëshimeve iu faturua buxhetit të shtetit.
Ulja e tarifave të tollit ndaj banorëve të zonës së Kukësit i zbehu përkohësisht kritikat, por bllokimi i rrugës me dëborën e parë të viti i ka rikthyer ato, pasi një nga argumentet kryesore të qeverisë për koncesionin ishte ai i një mirëmbajtjeje më të mirë.

Bashkim Shala / Koha Ditore Prishtinë/ZgjohuShqiptar.info

Back to top button