Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Pse shqiptaro-maqedonas? Shqiptar!

Shqiptarët e Maqedonisë kanë identitet, janë shqiptarë dhe jo shqiptaro-maqedonas, siç vazhdojnë t’i quajnë disa mediume dhe qarqe në Tiranë. Po kështu edhe shqiptarët e Kosovës kanë identitet. Edhe ata janë shqiptarë. Edhe lufta e vitit 1999 është bërë në këtë frymë, me të njëjtin flamur kombëtar, me atë të Skënderbeut, me të njëjtët këngë që i këndojnë dekada me radhë gjithandej ku jetojnë e punojnë shqiptarët

Shkup, 9 qershor – “Është gjë e mirë që një djalë nga Vlora – në vendin ku 100 vite më parë është shpallur pavarësia e Shqipërisë – për festën e 100 vjetorit të pavarësisë e fiton çmimin kryesor në Prishtinë”, ka thënë Alban Skenderaj, pas triumfit në manifestimin “Videofesti Muzikor 2012”, duke shtuar se nocioni “kosovar” i pengon shumë. Nuk ka kosovar, do të thotë ai, por vetëm shqiptarë. Në këngën e tij që triumfoi në këtë manifestim muzikor, ndër të tjera, në kontest të fjalimit të tij, hetohet edhe një simbolikë, kur këngëtari thotë: Nën një qiell e nën një strehë / në një botë e në një atdhe / nesër ndoshta do të jetë më mirë se dje/… Por, mesiguri ka shumë të tillë që nuk do të pajtohen me Albanin për faktin se atij i pengon nocioni “kosovar” kur bëhet fjalë për identitetin tonë. Debati për identitetin vazhdon të jetë aktual, po kështu aktuale mbeten edhe lajthitjet rreth kësaj çështje.

Kozmopolitizëm sharlatanësh
Identiteti është një proces shumë i ndërlikuar dhe nuk krijohet sipas dëshirave. Nuk mund të krijohet as me ligje apo dekrete. Shqiptarët e Maqedonisë kanë identitet, janë shqiptarë dhe jo shqiptaro-maqedonas, siç vazhdojnë t’i quajnë disa mediume dhe qarqe në Tiranë. Po kështu edhe shqiptarët e Kosovës kanë identitet. Edhe ata janë shqiptarë. Edhe lufta e vitit 1999 ndaj regjimit fashist të Millosheviqit është bërë në këtë frymë, me të njëjtin flamur kombëtar, me atë të Skënderbeut, me të njëjtët këngë që i këndojnë dekada me radhë gjithandej ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Qasjet e shpeshta ndaj këtij problemi më shumë janë improvizime, siç janë improvizime edhe disa veprime që dikush i mbështjell me një grim patriotik vetëm për një përdorim dhe me afat të skaduar.
Xhabir Ahmeti, shkrimtar dhe publicist, rreth çështjes së identitetit tonë vlerëson se “ne kemi halle të mëdha. Kemi politikanë të pandërgjegjshëm, pa shpresë se do ta ndryshojnë veten për të mirë e se do t’i shërbejnë popullit ndonjëherë. Se do ta dëgjojnë zërin e të vërtetës, se do ta kuptojnë sakrificën e rilindësve dhe të të gjithë atyre që dhanë jetën ose që ia falën rininë për ta mbrojtur identitetin shqiptar. Ne i gëzohemi një abetareje të përbashkët që bëhet pas një shekulli shtet të pavarur shqiptar, pa pasur ende plan-programe të përbashkëta në gjuhë shqipe, histori, letërsi, muzikë, art, kulturë fizike. Ne, për fat të keq, po e dëshmojmë plogështinë intelektuale, të paketuar me një kozmopolitizëm sharlatanësh, me një internacionalizëm proletar. Ne nuk e kemi parasysh faktin se jemi popull shumë i vetmuar, madje më i vetmuar se populli izraelit. Dhe, si i tillë na duhet të bëjmë shumë punë për ta kaluar mirë me fqinjët. Ne harrojmë se kemi një rrethim jashtëzakonisht armiqësor, që me kokëfortësi e me shekuj, por edhe sot e kësaj dite, e ruan dhe e mbron kursin e mbrapshtë antishqiptar, duke na i dëmtuar interesat kombëtare me sulme ekstremiste me të gjitha mjetet e në të gjithë hapësirën etnike dhe duke bërë çmos që të na reduktojë në hapësirë dhe në numër”, shprehet Ahmeti.

Lajthitjet e disa individëve që në emër të një kozmopolitizmi në pikëpamjet e tyre, me një naivizëm të paparë, i kanë shlyer të gjitha konceptet e vijave të kuqe, duke shkelur mbi palcën e kombëtares, duke pranuar konceptin politik mbi kombin dhe duke ia hapur rrugën fragmentarizmit të identitetit kombëtar. Arbën Xhaferi, në esenë e tij “Sfida e identitetit”, ndër të tjera potencon se “shqiptarët të mbetur jashtë shtetit amë, në kuadër të sistemeve të huaja, asnjëherë, teorikisht dhe praktikisht, nuk kanë pranuar konceptin politik për kombin, por atë etnik. Ata rrëqetheshin kur dikush i quante jugosllavë apo tash sikur dikush do t’u ofronte preshevarëve që të pranojnë konceptin politik të kombit dhe të quhen serbë, meqë shteti quhet ashtu. Së këndejmi shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë nuk mund të pranojnë idenë e kombit politik dhe të quhen maqedonas, pos nëse emri i Maqedonisë do të kishte konotacion gjeografik e jo etnik, si Kosova, Zvicra, Belgjika apo Kanadaja. Kjo nënkupton nevojën që sllavët e Maqedonisë të gjejnë një emërtim të ri për veten. Sipas teorive të çështjes kombëtare vlerësohet se varianti i parë, ai i kombit politik, francez, anglez, amerikan, shpie kah asimilimi, ndërkaq ai i dyti, i kombit etnik, kah diferencimi. Përcaktimi për njërin variant apo tjetrin është zgjedhje politike e kurrsesi shkencore e filozofike. Por, sidoqoftë pasojat janë katastrofave, meqë fragmentarizojnë identitetin kombëtar. Në fund të këtij procesi do të kishim, sipas kësaj logjike shqiptarë-shqiptar, shqiptarë-kosovar, shqiptarë-maqedonas, shqiptarë-serb, shqiptarë-malazezë etj”, thotë Arbën Xhaferi.

Identiteti ynë, kristal i qartë
Koço Danaj, doktor i shkencave politike dhe përfaqësues i mendimit për një emancipim mbarëshqiptarë, ka ndërtuar një filozofi politike interesante rreth identiteti. Ai veç tjerash thotë se “synimi i kombit shqiptar për t’u integruar në Bashkimin Evropian parakupton edhe njohjen e filozofisë politike të traktateve mbi të cilat është ngritur dhe funksionon ky bashkim. Një komb modern aq sa pranon diversitetin dhe pluralitetin e alternativave zhvillimore apo kodet e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, po aq konservon njëmendësinë e vlerave morale themelore të tija, të cilat e bëjnë të dallueshëm dhe të respektueshme nga kombet e tjera. Evropa e bashkuar në të cilën synon të integrohet edhe kombi shqiptar, para se gjithash është një bashkim vlerash morale të kombeve të ndryshme qe jetojnë të bashkuar me njëri tjetrin, por me identitetet dalluese nga njëri tjetri dhe të respektueshme prej njëri tjetrit. Marrëveshja e vlerave morale të kombit shqiptar pranon globalizmin si filozofi botërore dhe synon të jetë aktive në këtë filozofi. Thelbi i saj është: të mendojmë globalisht, duke u identifikuar kombëtarisht”.

Shqiptarët që mbetën jashtë shtetit amë si gjatë periudhës së ish Jugosllavisë, por edhe pas shpërbërjes së saj, për asnjë moment nuk kanë patur dilema rreth identitetit të tyre. Ka qenë pikërisht ky identitet, për të cilën ata janë përndjekur, janë burgosur, janë torturuar dhe vrarë përkundër tendencave të shumta (sllavo-komuniste) që ta pranojnë të ashtuquajtur identitet jugosllav. Është vërtet e tmerrshme, mbase edhe absurde që pas kaq shumë e shumë sakrificave sërish të imponohen dilema rreth identiteti tonë që, për dallim nga popujt tjerë në Ballkan, është identitet kristal i qartë. Në veçanti këto dilema janë shumë të rrezikshme pas bërjes së Kosovës shtet më vete. Mehmet Kraja, akademik, në një vëllim shumë serioz mbi identitetin (“Identiteti kosovar”) shprehet se ndryshe nga toponimi Kosovë etnonimi kosovar ka një shtrirje krejt të ndryshme, madje dukshëm më të reduktuar. Në periudhën e ish-Jugosllavisë shumë rrallë e quanin veten kosovarë, ndërsa të shumtën shqiptarë të Kosovës. Kombi kosovar është një ide degjeneruese, sepse krijon konfuzion dhe nxjerr jashtë funksioni të gjitha forcat kohezive që e mbajnë Kosovën të qëndrueshme. Shqiptarët e Kosovës duke qenë pjesë aktive e ngjarjeve të mëdha të kombit shqiptar bëjnë që baza historike e shqiptarizmit, por edhe ajo aktuale, të jetë shumë më e fortë se ajo e kosovarizmit”.
Shkëlzen Maliqi, një nga publicistët tanë më të shquar dhe njohës i mirë i problemeve ndër-shqiptare jo njëherë ka trajtuar problemin e identitetit shqiptar. Në një ese të tij me titull “Identiteti shqiptar”, veç tjerash do të shkruajë se “Antoni D. Smith në studimin e tij me titull “Identiteti kombëtar” (të botuar në vitin 1991) veçon 6 atribute kryesore të një bashkësie kombëtare ose kombi. Këto janë: 1. Emri kolektiv i përbashkët; 2. Miti mbi prejardhjen e përbashkët; 3. Kujtesa e përbashkët historike; 4. Një ose më shumë elemente diferencuese të kulturës së përbashkët; 5. Lidhja me një atdhe (ose mëmëdhe) të caktuar; dhe 6. Ndjenja e solidaritetit dhe përbashkësisë te një pjesë e rëndësishme e popullsisë. Kombi shqiptar, edhe pse me një histori të gjatë të robërisë ndër otomanët dhe i ndarë në disa pjesë gjatë shekullit XX, i “përmbush” të gjitha atributet nga lista e parafrazuar e A. Smithit. Disa nga këto atribute në rastin e kombit shqiptar do të mund të kërkonin nuanca riformulimesh referuese ndaj realitetit në të cilin ata jetojnë, si komb i ndarë, por këto nuanca nuk janë të karakterit cenues për identitetin e përbashkët. Historikisht, e as në momentin aktual, prejse është krijuar vetëdija mbi identitetin kombëtar, ndër shqiptarët, posaçërisht ndër kosovarët, nuk ka pasur asnjë lëvizje që do të tematizonte edhe intencën për ndonjë identitet të veçantë. Identiteti i veçantë kosovar është vetëm në nivelin e disa paragjykimeve të karakterit mjaft dispersiv dhe jo – konsistentë që lidhen më shumë me karakterologjinë dhe rivalitetet rajonale, përndryshe dukuri kjo e zakonshme për identitetet e përbëra dhe komplekse çfarë është edhe identiteti shqiptar. Nëse ka veçori që lejojnë bërjen e dallimit mes një identiteti të përgjithshëm shqiptar dhe identitetit kosovar, ato janë të natyrës dytësore, jo nga lista bosht e atributeve të identitetit të një kombi”.

Fragmentarizimi i turpshëm i identitetit
Po kush janë ata që e hapin çështjen e identiteti tonë? Xhabir Ahmeti jep një përgjigje të prerë. Është kuzhina antishqiptare, thotë ai, e cila midis vatrës sonë e ka “hapur” çështjen e identitetit. “Kësaj djallëzie i bëjnë hyzmet madje edhe intelektualë, institucione shtetërore duke na shpërndarë dekrete të kuqe. Kësaj djallëzie i shërbejnë edhe mediet shqiptare nga Tirana, të cilat fare pa cipë na quajnë shqiptaro-maqedonas. Me këtë djallëzi merren edhe disa gazetarë që kanë qenë dhe që kanë mbetur të privilegjuar në Kosovë, në kohën e RSFJ-së dhe tash. Ata, ministritë e arsimit, partitë politike shqiptare, kudo që janë në hapësirën tonë etnike, a nuk i shohin maqedonasit si luftojnë më shumë se njëzet vjet me grekët për mbrojtjen e identitetit të tyre, madje “duke huazuar” vlera e të tjerëve. Kurse ne duke qenë një hapësirë kombëtare shqiptare dalim me axhamillëqe për tkurrjen ose copëtimin e indit shqiptar! A nuk e kanë të qartë qeveritë, mediet dhe të gjithë të tjerët që flasin në emrin tonë se fragmentarizimi i turpshëm i identitetit shqiptar është dënimi më i rëndë për brezat e rinj të shqiptarëve? Duke na quajtur çamë, kosovarë, shqiptaro-maqedonas, gegë, toskë e ku ta di se çfarë, ata po e hapin gojën e arushës polare që të përfundojmë aty në makinën e asimilimit. Vërtetë, ku janë institucionet shqiptare, ku janë mediet me frymën rilindëse, ku janë rojet shpirtërore të së ardhmes shqiptare? Ku”, pyet me shqetësim shkrimtari ynë, Xhabir Ahmeti. Nëse shqiptarët sot nuk kanë mundësi të krijojnë një shtet të përbashkët, a do të thotë se ata nuk kanë të drejtë të thonë se janë një realitet i rajonit që i ka të gjitha elementet e duhura të identitetit dhe të kulturës së përbashkët?  Shqiptarët, thotë Shkëlzen Maliqi, çuditërisht, kanë krijuar njërin prej identiteteve kombëtare më komplekse në rajon e mbase edhe në planet. “Trojet shqiptare të thyera prej maleve dhe luginave në disa dhjetëra rajone, ku komunikimi mes tyre ka qenë mjaft i vështirë, përkundër pushtimeve, ndarjeve dhe rrudhjeve të tyre, kanë mbetur deri më sot troje me popullsi kompakte shqiptare. Në trojet ku jetojnë, pa marrë parasysh shtetin dhe statusin e tyre, shqiptarët janë shumicë. Janë shumicë dërrmuese në Kosovë, në pjesën e Maqedonisë ku jetojnë, në Luginën e Preshevës, në rripin kufitar të Malit të Zi me Shqipërinë. Shqiptarët nuk kanë zaptuar toka të huaja, por tokat e tyre janë zaptuar nga shtetet fqinje. Shqipëria etnike, vetëm politikisht dhe gjeostrategjikisht paraqitet si një fantazmë dhe ëndërr e parealizueshme, ndërkaq që ajo është një realitet i pamohueshëm i rajonit. Pra, shqiptarët kanë të drejtë të thonë se janë një realitet i rajonit që i ka të gjitha elementet e duhura të identitetit dhe të kulturës së përbashkët. Një Shqipëri etnike idealiter ekziston si e tillë. Dhe kjo nuk bie aspak ndesh me realizmin e shqiptarëve, që në kushtet e sotme kërkojnë zgjidhjen policentrike të statusit të tyre, me në bosht pavarësinë e Kosovës dhe sigurimin e të drejtave të barabarta në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi”, vlerëson Shkëlzen Maliqi. Shqiptarët në Ballkan realisht janë të fragmentarizuar. Ideja e Evropës së Bashkuar (një ide sa reale aq edhe utopiste ) thonë se është një ide që kur të realizohet do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët. Por, duhet të jetë e qartë me ose pa Evropën e bashkuar, identiteti i shqiptarëve është identitet që dallon prej të gjitha identiteteve tjera dhe këtë mund ta zhbëjë vetëm fragmentarizimi i saj, natyrisht nëse kësaj të keqe vullnetarisht ia hapim shtegun…
Shkëlzen HALIMI/KOHA

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button