Negociatat për Greqinë, përse hesht Lulzim Basha?
Pas seancës parlamentare të kësaj të enjteje, kryedemokrati Lulzim Basha lëshoi një lumë akuzash në adresë të qeverisë Rama duke nisur që me varfërimin e shqiptarëve e për të vijuar me ekstradimin e Nezar Seitit, financierit të bandës së Habilajve.Në këtë rreshtim Basha harroi të përmendte një tjetër çështje të nxehtë që në opinion publik po shquhet rëndom si falja e 12 miljeve vijë detare në favor të Greqisë.A mund të jetë rastësi kjo harresë apo lënie jashtë vëmendjes e kësaj teme nga ana e ish-ministrit të jashtëm në qeverinë Berisha 2, i cili nënshkroi një marrëveshje kontroverse për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë në vitin 2009?Po kaq e rastësishme a mund të quhet vallë edhe zgjedhja e ish-kryeministrit Sali Berisha për të sulmuar kundërshtarin e tij politik, Edi Rama për 12 miljet e pretenduara të negociuara?Në dy daljet e tij mediatike, së fundmi edhe pas seancës parlamentare, vetëm pak minuta përpara Lulzim Bashës, Berisha shigjetoi me një seri akuzash kreun e qeverisë, mes tyre spikati edhe akuza për pazar me Greqinë për kufirin detar.Mesa duket togfjalëshi “akt më i rëndë antikombëtar në historinë 105 vjeçare të këtij vendi” mund të artikulohej vetëm nga goja e ish kreut të qeverisë, sa kohë që ky i fundit 8 vite më parë kur u negociua dhe u firmos marrëveshja e shumëpërfolur e kufirit detar me Greqinë është kujdesur të mos lërë gjurmë në këtë shkelje të hapur të parimit të shtetit të së drejtës të garantuar nga neni 4/2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.Aq i vërtetë është ky fakt sa Sali Berisha zgjodhi të linte një marrëveshje të një rëndësie të lartë që të nënshkruhej në nivel ministrash. I vetëdijshëm për kostot që po merrte në ngarkim Lulzim Basha, vetë Berisha u tërhoq nga protagonizmi politik, teksa u mundua të sfumonte stuhinë e kushdërshtive që u vërtit mbi Bashën duke organizuar në atë kohë një mbledhje qeverie pasdite, krejtësisht të stisur, si një gjetje e një politikani të regjur për të marrë vëmendjen e medias nga marrëveshja e nënshkruar po atë ditë.Madje Berisha është treguar i kujdesshëm edhe kur ka nxjerrë urdhrin për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për negociatat me Greqinë.Kështu në urdhrin e kreut të Këshillit të Ministrave nr.135, dt.23.08.2007 përmban titullin “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”, ndërsa nëse i referohemi marrëveshjes përfundimtare të lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, në titullin e saj, rezulton se objekt i marrëveshjes nuk ka qenë vetëm përcaktimi i shelfit kontinental por edhe “…i zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.Është pikërisht ky konstatim që nxiti Gjykatën Kushtetuese të dalë në përfundimin se “delegacioni shqiptar jo vetëm nuk kishte marrë plotfuqi nga organi kompetent për fillimin e bisedimeve e më pas nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë, por, nga pikëpamja formalo-juridike, edhe autorizimi përkatës i lëshuar nga Kryeministri nuk është respektuar sa i takon objektit të tij.”( GJ.K. Vendim nr. 15, datë 15.04.2010) Ky tejkalim i objektit të autorizimit nga grupi negociator ishte një ndër shkaqet që e bëri marrëveshjen e 2009-es, sipas vendimi i Gjykatës Kushtetuese të papajtueshme me parimin e shtetit të së drejtës.Kështu mes një Berishe të kujdesshëm nga pikëpamja formale-juridike, Basha është ai që ka dalë më i ekspozuar me këtë marrëveshje. Barra e të shkuarës dukshëm nuk e lë Lulzim Bashën të lirë për të shfrytëzuar politikisht edhe këtë kauzë, pikërisht në një kohë kur atij më shumë se kurrë i duhet të përdorë çdo çështje si pjesë e makinerisë propagandistike opozitare, për të mobilizuar mbështesit për protestën e radhës./ZgjohuShqiptar.info