Mafiozë të vegjël dhe të mëdhenj, 40 banda kriminale veprojnë në Shqipëri

Policia shqiptare po heton në shumë pista për të identifikuar të gjithë eksponentët e krimit të organizuar, personat me precedentë penalë, të dënuar brenda apo jashtë vendit dhe verifikimin e të gjitha pasurive të tyre. Madje në hetime nuk janë përjashtuar as persona të tretë që kanë përfituar pasuri prej tyre.
Përmes një raporti të Policisë Kriminale, e mbërritur në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, por edhe struktura antikrim e Task Forcës janë zbuluar 40 grupe kryesore kriminale, që veprojnë aktualisht në Shqipëri.
Sipas burimeve policore në identifikimin dhe hetimet operative për këto banda kanë qenë edhe ekspertë të FBI. Policia ka tashmë një hartë me pikat strategjike, ku janë evidentuar grupet kriminale. Në bazë të këtij raporti, rezulton që qyteti më problematik është Durrësi.
Burimet thonë se vetëm në Durrës e Shijak janë evidentuar të paktën 7 grupe kriminale. Vendin e dytë e mban Vlora me 5 grupe kriminale e më pas Elbasani me të paktën 3 grupe kriminale që janë të skeduara ndër vite në dosjet e Policisë. Po kaq grupe ka edhe Shkodra dhe Fieri, por në këto dy qarqe, Policia thotë se ka goditur nga një grup. Korça, Kukësi, Berati, Lezha, Gjirokastra dhe Dibra duket se ende nuk kanë ndonjë grup të identifikuar në kuadër të këtij operacioni.
Tirana edhe pse qytet me një dinamikë të ngjeshur dhe një numër të lartë popullsie, nuk rezulton problematike në këtë drejtim. Prej vitesh, në kryeqytet janë evidentuar dy grupe kriminale, të cilat për momentin nuk janë aktive, pasi anëtarët e tyre janë goditur herë pas here nga Policia.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, 53 për qind e grupeve kriminale merren me drogë, 11 për qind me trafiqe të paligjshme, 18 për qind me krime të rënda si vrasje dhe pengmarrje dhe 18 për qind me krim ekonomik.