Kathimerini: Turqia dhe Shqipëria po punojnë kundër interesave të Greqisë
Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull tensioneve të ditëve të fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë lidhur me kufijtë detarë.
E përditshmja greke e cilëson si demarsh kërkesën e ministrit Bushati ndaj homologut grek lidhur me zbulimin e hartave për kërkimet e hidrokarbureve në detin Jon.“Tirana po shfaq pretendime territoriale ndaj Greqisë”, shkruan “Kathimerini”.
Burime diplomatike greke kanë thënë për gazetën se kjo lëvizje e Shqipërisë vë në dyshim kufijtë mes dy vendeve. Diplomacia greke e sheh këtë lëvizje të Bushatit si një demarsh që vë në rrezik marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Të njëjtat burime thonë për gazetën greke se këto lëvizje frymëzohen nga nacionalistët që kërkojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe. Sipas hartave të publikuara nga ministri i atëhershëm i Energjetikës, Janis Maniatis, në vitin 2011 kërkimet për hidrokarbure nga pala greke shtriheshin në pjesën veriore të detit të Janinës. Në atë kohë nuk pati reagime nga qeveritarët shqiptarë.
“Kathimerini” shkon më tej kur shkruan se lëvizja e Bushatit është e frymëzuar nga Turqia. Në Greqi ka shqetësime se Shqipëria dhe Turqia po bashkëpunojnë kundër interesave të Greqisë.
Këto zëra janë shtuar që pas vizitës së Erdoganit në Tiranë dhe takimeve që pati me krerët e PDIU-së. Për këtë arsye, edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Koxhias nuk ka konfirmuar në së do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm në Tiranë këtë të premte.