New York Times: Maqedonia rrezikon të ndahet
Gazeta më e famshme në botë “New York Times”, ka raportuar se Maqedonia mund ta pësojë rëndë nga superskandali i përgjimeve.
E më keq se kaq, ky vend ka gjasë të vuajë deri në ndarje, edhe për
shkak të telasheve etnike, që ridolën në pah një javë më parë në
Kumanovë.
“NYT”, shkruan se Maqedonia, një vend në Ballkan sa Vermonti në Amerikë,
me vetëm 2 milionë banorë, shfaq tendenca shumë të theksuara
nacionaliste, pavarësisht që ka një histori si shtet me vetëm 24 vjet.
Gazeta konkludon se vendi që dikur shihej si një republikë me shpresa të
mëdha për zhvillim, gjatë kohës komuniste në Jugosllavi ka kaluar
dekadën e fundit, në një shtet autoritar nën udhëheqjen e vetëm një
partie. VMRO-ja, siç raporton e përditshmja amerikane, i ka shtypur të
drejtat e njeriut (sidomos të shqiptarëve) ka ngulfatur mediet, ka
mobilizuar forcat e sigurisë, ka keqpërdorur me sistemin e drejtësisë
dhe ka arritur që ta largojë edhe opozitën nga Kuvendi. “Klan Kosova” ka
transmetuar se “NYT”, në njëfarë forme, fajin për krejt këtë situatë ia
lë kryeministrit Nikola Gruevski, për të cilin thotë se “në një vlug të
shpërthimit të energjisë me përmbajtje nacionaliste, është fokusuar në
një program të infrastrukturës që duket si i pafund, e që tani po shkon
drejt përfundimit”. E ky program, sipas raportit, mund të shihet me
statujat e stilit neoklasik, të vendosura përgjatë lumit Vardar në
Shkup, që janë bërë për të krijuar idenë e një kombi të veçantë
maqedonas, duke injoruar praninë e shqiptarëve, si një popullatë e numër
në vend. Shpëtimi për këtë shtet, sipas gazetës, që citon analistë dhe
politikanë nga Shkupi, është në dorëheqjen e Gruevskit dhe atë me
vullnetin e tij, pa pasur nevojë për protesta të dhunshme.