Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Sinopse për pushtimin fashist të Shqipërisë

Moikom Zeqo

Tri skena, 6 Prill 1939

Mbi 100 avionë luftarakë “Caprioni”, të çuar nga aeroportet e Barit dhe të Puljes, fluturuan që pa gdhirë në qiellin shqiptar. Qielli ishte ai që po e merrte goditjen i pari. Parathënia e pushtimit. Këta avionë ishin kufijtë lëvizës të perandorisë. Këta kufij kërkonin të drejtat e vjetra, ato të Romës së antikitetit, po këto të drejta ishin të drejtat e agresionit.

Avionët u vërtitën mbi qytetin e Durrësit, armata djajsh fluturues, me fishkëllima vdekjeje. Banorët u përgatitën për bombardimin dhe u futën në bodrumet e shtëpive, por bombardimi vonoi. Atëherë banorët dolën në rrugë dhe, duke vënë duart mbi ballë, i shikonin avionët që çanin qiellin. Kthetrat e hapura të vdekjes nga ajri sikur ngurronin të mbylleshin. Avionët u zhdukën drejt Tiranës, në brendësi të brigjeve. Mbas disa minutave u shfaqën tërthorazi në horizontet e pambrojtura. Por poshtë toka ruante sigurinë e saj. Vetëm atë s’mund ta gënjeje dot.

U dëgjuan disa krisma të vetmuara armësh. Disa nga qytetarët, ata më të paduruarit, kishin qëlluar avionët me pushkë. Pastaj në qytet pllakosi prapë heshtja. Qyteti i ngjante asaj qenies që mblidhte gjymtyrët në çastin final për të pasur forcat të paprekura.

Në det frynte juga; kaltërsia e tij qe pa kontraste; në det sundonte paqja. Mbi det s’dukej asgjë, deti ruante ende neutralitetin e tij. S’qe bërë ende pjesëmarrës në ngjarje. Me qiellin puna qëndronte ndryshe,
Qyteti u zgjua me sy të skuqur nga pagjumësia, nervoz dhe u zhurmshëm.

Njerëzit, që në përgjithësi s’çanin kokën të lexonin gazetat ose të informoheshin, kishin bërë një kthesë të menjëhershme: interesoheshin me ngulm për çdo gjë. Lajme nga më të çuditshmet përhapeshin nga njëri banor te tjetri.

Dy djem të rinj, në orën 9.15’ dogjën në sheshin e qytetit gazetat e porsablera. Edhe qytetarë të tjerë bënë të njëjtën gjë. Në shesh dukeshin flakë të vogla, të lëvizshme në duart nervoze të njerëzve.
Në faqen e parë të gazetave qenë shtypur këto fjalë:

“Disa gazeta të huaja dhe persona të pandërgjegjshëm kanë përhapur këto kohët e fundit lajme tendencioze rreth Shqipërisë dhe marrëdhënieve të saj me Italianë.

S’ka dyshim që qëllimi i këtyre lajmeve është që t’i paraqesë në mënyrë të shtrembër marrëdhëniet që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë”.

Prefekti i Durrësit e shikonte këtë skenë flakësh në sheshin e qendrës që nga zyra e tij në katin e dytë të ndërtesës së Bashkisë.

“Më në fund, mendoi ai, ato po fillojnë të kuptojmë. Kjo është më e tmerrshme se çdo gjë. Dhe për më tepër po bëhej e qartë se ç’po ndodhte. Ato s’do t’ua falnin kurrë, do të hakmerreshin për faktin që më kishin mbajtur të fshehtë të vërtetën”.

Prefekti rrudhi buzët me përbuzje. “Ata… fundërrinat.”
Në murin e zyrës, sipër tavolinës së tij, portreti i Lartmadhërisë.
Prefekti e pa portretin e lodhur dhe i shastisur si një fantazmë.

“Mbaroi”, mendoi me plogështi Korniza dekorative e artë do të mbetej, kurse portreti do të zëvendësohej. Historia është Korniza,- portretet vetëm ndryshojnë, kjo është loja e imazheve, si letrat e pokerit, ose e të gjallëve që vetëm vdesin, zhduken, në një katërkëndësh gjeometrik të amshimit.

U mundua të rikujtonte çastet më të bukura të mbretërisë shqiptare. Por, për ç’arsye, atij i dilte në sytë e mendjes një banket i madh, ku midis të ftuarve ishte edhe ai dhe mbllaçiste, mbllaçiste pa pushim.
Ky banket i dilte vazhdimisht në ëndrra gjatë viteve, i kishte pushtuar kujtesën.

Prefektit nuk i kujtohej se cili banket ishte ky dhe ku ishte shtruar konkretisht dhe nga kush. ai kishte qenë në qindra bankete, por banketi i ëndrrave ishte anonim dhe prefekti mundohej më kot ta identifikonte.
“Ç’duhet bërë?”, tha me vete. Po ai e dinte se ç’duhet të bënte.
“Duhet të jem i ftuar sërish në banket. Përfundimisht”.

Banketi fantazmor iu shfaq para vetes, tashmë konkret, material. Mbi të spikaste një pjatancë e madhe, mbi të trupi i Mbretit shqiptar i pjekur. Prefekti ndjeu një uri të papërballueshme

2.

250 metra larg Bashkisë spikaste arkitektura e kishës të Durrësit.
Prifti rrinte në këmbë përpara altarit të zbukuruar me ar.

Brenda në kishë sundonte një qetësi e lemerishme. Krishti, i kryqëzuar në kryqin e madh, sipër mbi altar, e shikonte dinakërisht me sy gjysmë të mbyllur.

“Do të vijnë” tha me vete prifti.
Fytyra e tij elegante, me mjekër të rruar, e tregonte shumë më të ri në moshë. “Po në cilën ditë?” e pyeti veten.
Ardhja e tyre pikërisht në prag të pashkëve të mëdha ishte më se kuptimplote dhe simbolike.

Prifti kishte shpërndarë me anë të shërbyesve të kishës në qytet fletushka me orarin dhe programin e pashkëve të mëdha.

Ceremonia fetare duhej të ishte sa më madhështore, ai i kishte marrë të gjitha masat.
Me flamuj kishtarë të qëndisur me ar, me ikona dhe qirinj të trashë e të ndezur në duar dhe me skulpturën e gozhduar të Krishtit mbi kryq, të cilën do ta mbante vetë, procesioni fetar do të përshkonte rrugët e qytetit të vogël duke kënduar latinisht “Missere” dhe “De profundis”. Ceremonia mbaronte të premten e madhe, më 7 prill, ku në kishë do të bëhej vajtimi tradicional mbi vdekjen e Krishtit dhe lutjet për ringjalljen e tij.
Psalmin e Vajtimit do ta këndonte vetë duke tundur temjanicën solemnisht.
Kurse ata do të vinin, ata ushtarët e Krishtit, do të merrnin naforë e do të pinin verë duke thirrur “Urra, urra, Shqipëria vdiq. Krishti u ngjall”.

Tymi i temjanit do të dilte nga gryka e topave.

Prifti i shqetesuar zuri kokën me duar.
U mundua të përqendrohej duke iu shmangur shikimit atje sipër mbi altar.

Jo rezistencë. Ajo duhet eliminuar, mendoi prifti. Lule, jo armë. Qyteti s’duhej të rezistonte.
Para një viti tek ai kishte bujtur delegati apostolik i Vatikanit, i dërguari i plotfuqishëm i Papës në Shqipëri, që qe transferuar në Spanjë.

Vatikani e dërgonte në Gadishullin Iberik ku inkuizicioni kishte zanafillën dhe traditë të pamohueshme.

Delegati apostolik kishte bërë meshën e madhe të fitores frankiste, mes një ceremonie të paparë. Qe një triumf , mbi kufomat, u hodh ujë i pagëzuar si dhe natyrisht shumë shampanjë për “heronjtë” “shëngjergjët” fashistë.

Prifti krahasonte Shqipërinë me Spanjën.
Fitorja fashiste mbi Spanjën përgatiste kushtet e fitores mbi Shqipërinë.
Gadishullin Iberik dhe atë Ballkanik e bashkonte me këmbëngulje autodafeja me flakadanë të ndezur, të gjeneralëve dhe kardinalëve.

Prifti mendoi për lulet.
Në Shqipëri rriten shumë lule, një florë e pashembullt.
“Po për ata që do të vijnë do të ketë lule?” pyeti veten si i kapur në grackë kleriku i gjunjëzuar.
Organoja e kishës do të gjëmonte, po në vend të tasteve do të shkeleshin këmbëzat e armëve.
Po në fund të fundit vetëm kështu mund të kishërohej ky vend i mbetur gjysmë pagan që në kohërat që s’mbahen mend, që dhe as gjysmën tjetër se kishte pasur fetare deri në fund asnjëherë.
Prifti e ngriti kokën në drejtim të kryqit mbi altar. Dhe për të njëqindtën herë gjatë këtij mëngjesi sytë gjysmë të mbyllur të Martirit të kishës i nënqeshnin me dinakëri.

3

Vonë, në mbrëmjen e 6 prillit 1939, Qazim N. një biçim gazetari, që kishte bërë studimet në Itali, agjent i rekrutuar prej OVRA-s (policia e fshehtë italiane qëndronte i ulur në tavolinë, në dhomën e tij, përpara makinës së shkrimit.
Anash makinës binte në sy një tufë letrash të daktilografuara.
Një fije letër kishte mbetur në makinë e padaktilografuar e tëra.
Kjo ishte fleta e fundit e përkthimit të tij në shqip nga italishtja e librit “Doktrina fashiste” e Musolinit.
“Përfundoi më në fund”, mendoi.

Ai u pushtua nga një ndjenjë e përafërt me krenarinë.
Më në fund po vinte dhe çasti kur ai do ta botonte. E shumta edhe katër-pesë ditë dhe me librin e përkthyer në sqetull ai do të shkonte në shtypshkronjën shtetërore. Kishte ditur të qëllonte në shenjë, ishte i kënaqur nga zgjuarsia, dituria dhe këmbëngulja e vet.

Ai do ta tundte librin përpara të gjithëve, mbi sytë e të habiturve, të ziliqarëve, ai do të tallej me ata sy, ku do të lexonte shprehjen, “Ah, që s’na vajti mendja edhe neve, edhe ne dinim italisht, si s’na vajti mendja!”. Triumfator, do të merrte poza, do të mbante fjalime, recensione, do të shkruante artikuj.
Qytetërimi fashist është e ardhmja e botës, është i vetmi qytetërim i denjë. Raca romane do të dominonte gjithçka.
Ajo do të vinte sërish në Shqipëri për ta qytetëruar këtë popull, që s’kishte nxjerrë deri më sot njerëz të tillë të mëdhenj, si p.sh. një Musolin.

Roma kishte qenë me shekuj kryeqyteti i krishterimit, qytet botëror.

Por libri që ai kishte përkthyer, më i rëndësishëm se gjithë enciklikat dhe bulat e papëve, ungjilli i ri i botës dhe i ndryshimeve, konstruktonte dhe përgatiste një fe të re. Musolini ishte Krishti, Mesia i profetizuar në librat e vjetra dhe ëndrrat e sibilave, fatthënave të shekujve. Ai më në fund qe dukur në botë.Mesianizmi politik i revolucionit fashist.

Qazim N. pa fytyrën e zbehtë në një pasqyrë si në një botë onirike dhe përrallore.
Ndjen një identifikim të ri, më saktë një rimishërim tashmë me tiparet e idhullit të tij.

Ai ishte vetë Musolini, një kips i gjallë, veprues, ndëshkues.

Ai psherëtiu i lumtur.

U mundua të përfytyronte miqtë e tij, parinë groteske të Durrësit. Dhe ata qenë përgatitur për këtë ditë të shumëpritur.

Ata shkonin mbrëmjeve në konsullatën italiane plot gjeste të përulura, delikatesë të madhe, gjithmonë pohues, të gëzuar se u paraprinin ngjarjeve teatrale dhe servile, që bënin llogari për postet e ardhshme. baron Aloizi konsulli italian merrte prej tyre çdo lloj informate dhe ata tregonin, tregonin, tregonin; kështu i shërbenin atdheut të tyre të shumëvuajtur dhe të vogël, fati i të cilit qe përcaktuar shkëlqyeshëm më në fund nga bregu i përtejmë.

“Por vetëm kaq mund të bëjnë ata, s’janë të zot të bëjnë më shumë, – mendoi me përbuzje Qazimi. Duke u ngritur në këmbë pranë dritares. – Ata ishin të paaftë për revolucionet e mëdha shpirtërore; të pushtuar nga prakticizmi tregtar ata s’donin t’ia dinin për të arrirë filozofinë, shpirtin e qytetërimit fashist.

Për ta fashizmi identifikohej me mallin dhe postet. Në qoftë se këto do t’ua siguronin ta zëmë edhe indianët, ata do t’u bindeshin”.

Kurse ai ishte ndryshe. jo më kot Xhiovani Xhiro e kishte mbajtur pranë vetes, jo më kot kishte qenë Xhiovani, miku personal i Jakomonit, që e kishte përkrahur kurdoherë, e kishte futur edhe në OVRA.
Libri i përkthyer rrinte në tryezë.

Në faqen e parë titulli “Duhet patjetër një kushtim – i vetëtiu në mendje. – Patjetër. Kjo do të bënte përshtypje të mirë”.

U përkul mbi letrën e bardhë dhe shkroi gati me mallëngjim: “Për lavdinë e Musolinit, mësuesit tim të madh, ushtarit dhe filozofit të shekullit, rilindësit të popujve dhe forcës së botës”. Fraza doli pak e gjatë po në të ishte thënë gjithçka.

Ndërkohë ndërsa Durrësi jetonte mesnatën, disa qindra kilometra në drejtim të detit, përtej, 100.000 ushtarë përgatiteshin, inkuadroheshin, u shpërndahej material luftarak në portet e Barit, Brindisit, Tarantos.
Vdekja po organizonte maskën e saj brutale, të pamëshirshme.

Durrës, 1974-1975 (Nga libri “MUJO ULQINAKU” i Moikom Zeqos , botuar ne 1976 )

Back to top button