Behrami: Ne jemi zviceranë, nuk duhet të festojmë me shqiponjë!
Mesfushori kosovar, Valon Behrami, ka thënë se ai është një zviceran që luan për Zvicrën, teksa ka shtuar se futbollistët shqiptarë nuk duhet të festojnë duke bërë shqiponjën me duar.
Sipas raportimeve të mediave helvetike, te Përfaqësuesja e Zvicrës kanë filluar pakënaqësitë me futbollistët emigrantë si Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Valoni ka hedhur poshtë këto pohime të mediave, duke thënë se skuadra është e bashkuar, transmeton Telegrafi.
“Nuk ka pakënaqësi në skuadër. Ne jemi një grup”, u shpreh Behrami, përcjell ‘Laliberte.ch’.
“Unë falë resurseve të investuara nga Federata Zvicerane e Futbollit jam bërë lojtari që jam sot. Kjo vlen edhe për Xherdan Shaqirin. Ne duhet të ndalemi dhe mos të flasim më për ‘kosovaro-zviceran’ apo për ‘zviceran-zviceran’. Kjo nuk na dërgon askund. Ne jemi zviceranë që luajmë për Zvicrën”, shtoi tutje Valoni.
Ai gjithashtu tha se pajtohet me vendimin e Federatës së Futbollit të Zvicrës për ta ndaluar festimin e golave duke bërë shqiponjën me duar.
“Unë pajtohem 100% me këtë vendim. Mirëpo, mos harroni se presioni i medieve nga Shqipëria dhe Kosova është shumë i madh për këtë gjë”, ka thënë Behrami.