Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Bogdani: Armeninë e mposhtim 2-0, Gashi s’mund të luaj si te Bazeli

Erjon Bogdani e njeh fort mirë Kombëtaren, pasi është larguar nga grupi aktual vetëm një vit më parë. Kësisoj ai e shikon përballjen me Armeninë jo thjesht si një tifoz, por gati si pjesë e kuqezinjve.
Në këtë këndvështrim, ish-sulmuesi në një intervistë për “Panorama Sport” analizon mënyrën sesi duhet të luajë Shqipëria për të mundur Armeninë, duke dhënë natyrisht edhe një parashikim.
Duke parë situatën rreth Kombëtares, a mendonI se ndeshja me Armeninë është “pompuar” më shumë nga ç’duhet?
Ndoshta, por unë dua ta marr me pozitivitet, pasi kur mendoj se sa shumë tifozë do jenë në mbështetje të Kombëtares. Kur mendoj se gjithë kombi ynë do ketë sytë nga kjo ndeshje, atëherë natyrisht që vetvetiu frymëzohesh dhe mbushesh me motivim.
Si e shikoni përballjen me Armeninë?
Shumë delikate. Një ndeshje që nuk mund të mendohet se mund të fitohet me vrull dhe vetëm me entuziazëm. Nuk mund të fitohet që në minutat e para, por do duhet të luhet njëlloj deri në vërshëllimën e fundit. Mos harrojmë se sikundër neve bëjmë llogari të marrim pikë të plota ndaj tyre, edhe ata nga ana tjetër të njëjtën gjë bëjnë.
A ndikon fakti se trajneri i tyre është nën presion pasi mund të shkarkohet nëse humbet ndaj nesh?
Në një ndeshje të tillë ndikon çdo gjë. Por unë them se më shumë sesa kjo, ne duhet të mendojmë dhe ta shikojmë Armeninë si të ishte një skuadër e madhe. Sikur të ishte Portugalia, Franca apo Italia.
Kaq shumë e konsideroni këtë Armeni?
Shikoni, do bënim gabim fatal nëse do ta nënvlerësonim këtë skuadër. I kam parë ndeshjet e fundit dhe mund të them se përtej rezultateve që ajo ka marrë, kemi të bëjmë me një ekip kompakt që luan një futboll të bukur. Për mendimin tim do jetë shumë, shumë e vështirë që ta mundim, në rast se e marrim lehtë ose nisemi nga emri. Ne vijmë nga ndeshje të mira që kemi bërë ndaj Francës dhe Italisë. Madje ndaj francezëve kemi bërë një nga takimet tona më të bukura dhe për mendimin tim, duhet të qëndrojmë në atë trend loje.
Që do të thotë, me të njëjtin modul?
Sigurisht. Nëse unë do të isha në vend të De Biazit, nuk do ndryshoja thuajse asgjë. Në fund të fundit, ekipi ka fituar një lloj identiteti dhe ka dhënë rezultate ndaj nuk ka arsye që të ndryshohet.
A nuk mendoni se 4-5-1 është një skemë mbrojtëse?
Nuk është edhe aq mbrojtëse sikundër duket në plan të parë. Madje është më ofensive sesa skemat e tjera, pasi në radhë të parë mbrohesh mirë dhe më pas kundërsulmon duke kaluar gjithnjë në 4-3- 3. Po ta shikoni ndeshjen që bëmë me Francën, Shqipëria arriti fare mirë ta implementonte këtë skemë, duke marrë rezultat. Mendoj se ekipi kështu është shumë më i ekuilibruar.
Pra, një ish-sulmues që thotë se duhet të luajë me vetëm një sulmues…
Ju duket paradoksale, ndoshta por unë e gjej reale këtë modul loje, për më tepër për një skuadër si Kombëtarja jonë. Ne më së pari duhet të mendojmë që të mos pësojmë dhe më pas të shikojmë edhe nga sulmi.
Golashënuesi më i mirë te Shqipëria aktualisht është Gashi që te Bazeli ka shënuar 18 gola, por zor se ai do luajë titullar, juve si mendoni?
Gashi është një lojtar shumë i mirë, por nuk është as mesfushor dhe as sulmues. Është diçka mes këtyre të dyjave ose më mirë është një sulmues i dytë, ashtu sikundër luan edhe te Bazeli. Por, pikë së pari duhet të kuptojmë se Shqipëria nuk është Bazeli dhe në rastin tonë, Gashin e penalizon moduli, skema e lojës. Unë e shikoj si shumë të vështirë që ai të luajë titullar me skemën e De Biazit dhe kjo nuk lidhet as me zgjedhjet e trajnerit dhe as me formën e lojtarit. Sakaq, Gashi mund të aktivizohet në pjesën e dytë, në varësi të rezultatit dhe të bëjë diferencën. Nuk i dihet sesi shkojnë gjërat dhe Gashi mund të aktivizohet në një rast kur mund të jemi në disavantazh ose ku do duam ta fitojmë ndeshjen.
Atëherë do të duhet të ndryshohet skema, apo jo?
Po sigurisht, por këto janë gjëra të lejueshme dhe De Biazi i ka bërë shpesh brenda një ndeshjeje. Gashi mund të luajë edhe pas dy sulmuesve si një tip organizatori, por unë këmbëngul gjithnjë që atij i duhet lënë hapësirë për të treguar vlerat që ka.
Sakaq, edhe Mavraj është në dyshim, nëse mungon, mes Currit dhe Ajetit cilin do zgjidhnit juve?
Absolutisht Currin. Përtej problemeve fizike që ka pasur, unë mendoj se në mbrojtje, sidomos në qendër, duhen gjithnjë lojtarë me eksperiencë dhe Currit kjo gjë nuk i mungon.
Një parashikim për ndeshjen?
Fitojmë 2-0 dhe meqë dhashë edhe rezultatin, po lëviz pak nga vendi (qesh)… nga nesër (sot) do shkoj pranë Kombëtares, pasi dua që të kontribuoj sadopak në motivimin e tyre. E di që kjo skuadër mund të shkojë shumë larg dhe me një fitore ëndrra për në Europian do vijë drejt realitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button