KOSOVA JONË, ENDE E MËNJANTË

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaPresidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur pak ditë më parë shefin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zotin Bernd Borchardt, me të cilin bisedoi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend, të zhvilluar më 8 qershor. Ajo tha se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend kanë qenë të qeta, transparente, gjithëpërfshirëse dhe të lira dhe kanë dëshmuar pjekurinë politike të shoqërisë në Kosovë. Të njëjtin përgëzim përcolli dhe shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zoti Borchardt, për organizimin e zgjedhjeve të mira dhe demokratike. E gjitha një dukje femërore jo vetëm e shpërfaqtë, thellësisht e bukur duke u nisur nga një kontekst për të cilën Kosova do të nusëronte me dinjitet para Europës në pritje të hipjes në kalë. Nëse kujtohemi nëntorin e kaluar, në zgjedhjet lokale të vendit, përfaqësues të shoqërisë civile bënë aktivitete ku sensibilizuan ndjeshëm për pjesëmarrje sa më të madhe të femrave dhe të të rinjve në zgjedhje e jo vetëm aq. Në listat e kandidatëve, zëri tyre duhet të ish më sipërorë. Të dyja kategoritë që përmendëm paraqesin mosinteresim dhe neglizhim të procesit zgjedhor, porse vota e tyre konsiderohet e rëndësishme për një proces sa më kualitativ dhe përfshirës, që i jep më shumë legjitimitet të zgjedhurve nga vota qytetare.

Nuk ka demokraci me një gjini, shkruhet në parullat amerikane këtu e 200 vjet më parë, por prej kohësh femra e Ballkanit të vendeve të vogla nuk është marrë në konsideratë në proceset zgjedhore sidomos në Kosovë. Fakti që pushteti është mashkullor në Kosovë nuk është menjëherë i dukshëm. Kosova ka një presidente, gratë zënë 30 për qind të vendeve në Parlament, një ndarje më të lartë se në 18 vendet anëtare të BE-së. Por asnjë nga këto risi nuk reflektojnë vendimet e bëra nga elektorati apo partitë politike. Presidentja u propozua në vitin 2011 nga ambasadori i SHBA-së si zgjidhje gjatë një ngërçi politik, si një alternativë për zgjedhje të reja. Kontingjenti i fortë i femrave në Parlament është arritur për shkak të kuotës gjinore që është shkruar në ligjin zgjedhor me urdhër të organizatave ndërkombëtare. Por, po t’u hedhim një vështrim të shpejtë zgjedhjeve lokale, për të cilat nuk ka kuota, zbulohet një tjetër pamje, më e kthjellët e realitetit. Vetëm 4 nga 200 kandidatë për kryetar komune në zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtur në nëntor të vitit 2013, ishin gra. Partia më e fortë lançoi një poster të madh në qendër të Prishtinës, duke treguar Kryeministrin dhe kandidatët e partisë së tij për kryetar komune nën sloganin “Për një Kosovë europiane”. Të gjithë ishin meshkuj. Në fund, në 38 komuna, një grua arriti të zgjidhej në krye të bashkisë, e para në historinë e Kosovës. Ekonomia e dobët e Kosovës është e dominuar thellësisht nga meshkujt. GDP- ja për frymë në Kosovë shkon deri në 2800 euro, më pak se 10 për qind e mesatares së BE-së. Kjo vazhdon ta cilësojë Kosovën si vendin më të varfër në Ballkan. Mbi 60 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale. Vetëm 10 për qind e grave në moshë pune të vërtetë punojnë, krahasuar me 40 për qind të meshkujve të tillë. Pjesëmarrja e tyre e ulët vjen prej një boshllëku të mprehtë në nivelet e arsimit. Vetëm 30 për qind e tyre kanë një kualifikim të shkollës së mesme, në krahasim me 70 për qind të meshkujve. Pavarësisht nga dispozitat ligjore për të kundërtën, shumë pak gra e trashëgojnë tokën. Shumica e familjeve fshatare varen nga paratë e dërguara nga të afërmit (meshkuj) jashtë vendit për mbijetesën e tyre ekonomike. Duke i siguruar një litar shpëtimi familjeve të varfra, emigrimi nuk e ka thyer ciklin e prapambetjes në Kosovë. Me gjashtë vetë për familje, tri herë më shumë krahasuar me një familje mesatare në vendet e BE-së, familja në Kosovë mbetet më e madhja dhe popullsia më e re në Europë. Familjet e mëdha në zonat rurale janë patriarkale në natyrë. Burri që prin familjen, ai më i vjetri, patriarku i familjes, disponon të ardhurat e grumbulluara të të gjithë anëtarëve të saj. Gratë kanë shumë pak fuqi ekonomike në familje të tilla. Duke ofruar të ardhura të qëndrueshme për kryetarët e familjeve, remitancat kanë ndihmuar për të ruajtur një nga institucionet sociale më konservatore në Europë, ajo që është zhdukur në masë të madhe nga vende të tjera në rajon. Megjithatë patriarkaliteti mbetet për t’u parë si një burim ripërtëritës. Ai ka ndihmuar për të mbrojtur kosovarët nga një shtet armiqësor për dekada të tëra. Ai gjithashtu i ka kufizuar gratë dhe të rinjtë duke i ndrydhur ngacmimin e sipërmarrjes. Në mes të një botë të tillë, të dominuar nga meshkujt, vajzat lehtësisht në Prishtinë duken sikur i takojnë një bote tjetër, një bote më perëndimore në stil dhe kulturë. Nuk janë pak profesionistet që në rolin publik dhe jo vetëm, sfidojnë tabu thellësisht të ndjeshme në një tokë me dy realitete. Ajo prishtinase londineze dhe ajo e qyteteve të tjera që në petkun e mistereve ende të pazbardhura krimesh dhe përdhunimesh lufte duket sikur sfidon rrugën e Kosovës drejt një familjeje të panjohur e të shthurur, do ta quante një patriark i vjetër, në një bisedë të shkurtër. Ditën e diel, Kosova votoi dhe për këtë. Se ku duhet të shkonte e nëse ajo do të ish gati të ecte në rrugën shtruar drejt BE-së. Këndej zgjedhjet e mëdha parlamentare u vlerësuan më të qeta dhe seriozet që ishin kryer ndonjëherë krahasuar dhe me Shqipërinë. Por shkalla e pjesëmarrjes së grave në politikë, si dhe qasja e tyre në vendimmarrje mund të merret parasysh si treguesit kryesorë të barazisë gjinore në një shoqëri. Përqindja e vendeve që zënë femrat në Parlament, ndihmon qartazi për të gjykuar mbi demokracinë e një vendi. Barazia gjinore në vendimmarrje duhet të shihet në kontekstin se a janë femrat në gjendje që të marrin apo të ndikojnë në vendimet publike sikurse burrat. Edhe pse femrat përbëjnë gati gjysmën e popullatës së Kosovës, është e paimagjinueshme pjesëmarrja e tyre e ulët në politikë dhe në jetën publike. Normalisht, në një vend ku gati 50% e popullsisë përbëhet nga gjinia femërore, pjesëmarrja në pozicionet vendimmarrëse të gjinive do të duhej të ishte në të njëjtat kuota. Elita politike dhe partitë politike në Kosovë kryesisht udhëhiqen nga meshkujt, të cilët gjithashtu duke pasur edhe hapësirën e duhur, dominojnë të gjitha proceset vendimmarrëse. Shembulli më i mirë është se në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë ndonjë kandidate grua për kryetare të ndonjërës prej komunave. Përkundër fushatës elektorale shumë premtuese në kontekstin e avancimit të pozitës së femrës në politikën kosovare me rastin e zgjedhjeve të disa viteve me radhë, veç nëntorit 2013, në listat e partive kosovare nuk pati madje asnjë kandidate femër për pozitën e së parës së komunës. Përfaqësimi jo i kënaqshëm i femrave vazhdon edhe në nivelet e tjera të qeverisjes në Kosovë. Kjo pasqyrë e nivelit të ulët të përfaqësimit të grave në strukturat vendimmarrëse është indikator i qartë se grave në Kosovë iu besohet pak hapësirë për të paraqitur rolin e tyre në zhvillimin ekonomik e social të vendit, dhe se ky mosbesim fillon nga vetë partitë politike që dominohen nga meshkujt. Megjithatë, ajo çfarë shihet në letër, nuk është gjithmonë e njëjtë në praktikë. Me gjithë përpjekjet për fuqizimin e femrës në vendimmarrje, kjo ende mbetet ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare. Femrave në politikën kosovare ende nuk iu besohen poste të larta udhëheqëse dhe fajtor kryesor për këtë janë vetë partitë politike, të cilat, të shtyra nga mendimi regresiv se zgjedhjet fitohen bindshëm vetëm nga meshkujt, duke ia zbehur kështu mundësinë për të marrë pjesë në procese të rëndësishme përpara në vendimmarrje dhe jo vetëm. Shumë femra intelektuale e besojnë vërtet se forma e patriarkalitetit në shoqërinë e Kosovës dhe ato vlera të pakta tradicionale që ai ka, janë qendra e boshtit të prapambetjes që Kosovën e ka rrëmbyer prej kohësh. E kjo pasqyrohet lehtësisht dukshëm te brezi i vajzave të reja dhe atyre mbi tridhjetë që jetojnë sot në Kosovë. Ndërsa në bisedën me kolegët gazetarë ata i rrëmben diskutimi mbi korrupsionin, ku vetëm pak shembuj kanë njohur aktakuzën, kuptohet nga shqetësimi i tyre se sundimi i ligjit është ende i dobët në Kosovë. Kur debate si manifestimet e grupit të LGBT në Kosovë shkaktuar nga një grup vajzash dhe djemsh arrijnë të thyejnë një tabu në këtë shoqëri me të tillë ndërgjegje të sëmurë, kuptohet qartazi se ka raste se ca mite patriarkaliteti dhe konservatorizmi edhe mund të thyhen. Sigurisht ky grup njeh dhe gjerësi shtjellimi çështjesh në optikën e një shoqërie që përpiqet të dalë nga errësira mesjetare por seksualiteti gjithmonë në një shoqëri të egër konservatore është si një kambanë e rëndë plumbi kur bie mëngjeseve në një fshat të vogël province. Nuk duhet të harrojmë se debati mbi të drejtën e lirisë seksuale që plasi në Kosovë e detyroi qeverinë e këtij vendi të ngrinte një Këshill Ndërministror Kombëtar dhe një grup koordinues për të drejtat e komunitetit LGBT. Ministria e Integrimit në BE organizoi një konferencë mbi çështjet LGBT. Tre nga agresorët u dërguan në sallën e gjyqit dhe morën dënime me burg. E gjithë kjo një ngjarje e pashembullt dhe mbresëlënëse për një Kosovë frikshëm të plagosur rëndë drejt hapjes dhe njohjeve të reja me jetën europiane. Në ekranet e vegjël të televizioneve, politikanët e Kosovës dhe jo vetëm i kemi ndjekur të përsërisin në çdo rast që ata e gjykojnë, se të ardhmen e vendit të tyre e shohin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Që kjo të ndodhë, ne e dimë të gjithë mirë, se nuk mjafton vetëm vullneti i pesë shteteve anëtare të BE-së pas njohjes së pavarësisë së Kosovës të mund të arrihet fitorja e dytë, ndryshimi i pozitës së tyre si vend kandidat. Vendi, natyrisht, do të ketë nevojë më shumë për njerëz të gatshëm dhe dëshirëplotë për të sfiduar tabutë e saj. Kjo rrugë kërkon superheronj fillimisht në arritjen e arsimimit të vajzave, një revolucion në tregun e punës dhe forma të reja të jetës familjare dhe marrëdhënieve gjinore. Kërkon bursa për gratë e reja për të studiuar jashtë vendit dhe dëshirë të tyre të kthehen sërish për ta dëbuar patriarkalitetin që ende e lë Kosovën të mënjantë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close