Reuters: Thaçi mund të bëjë koalicion me serbët dhe me partitë e vogla
Partia në pushtet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një mandat të tretë të dielën, në zgjedhjet që u shënuan nga pjesëmarrja e ulët e kosovarëve të frustruar nga varfëria dhe korrupsioni, shkruan agjencia Reuters.
Thaçi ka gjasa të formojë qeveri koalicioni me partitë e vogla dhe serbët etnikë, për të siguruar mandatin e tij të tretë katërvjeçar, por mbështetja e tij mbi të tjerët do të mund ta pengojë për të qeverisur në mënyrë efektive.
Pjesëmarrja e vetëm 43 për qind e qytetarëve ka reflektuar zhgënjimin e përhapur në mesin e 1.8 milionë banorëve të vendit ballkanik, ndaj mungesës së progresit, qëkur Thaçi kryesoi pavarësinë e vendit nga Serbia më 2008
“Sonte Kosova ka fituar. Nga nesër do të fillojmë të punojmë në Misionin tonë të Ri” u tha Thaçi përkrahësve në kryeqytet, në Prishtinë. “Ne do t’i tregojmë botës se pavarësia e Kosovës ishte vetëm fillimi e jo fundi”.
15 vite pas përfundimit të luftës, Kosova është ndër vendet më të varfra të Evropës. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë, ndërsa korrupsioni është i përhapur me të madh.