Rama, BE-së: Jemi të gjithë myslimanë e të gjithë të krishterë
Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, ka bërë edhe një herë dje bilancin e 100 ditëve të para të qeverisjes së vendit nën drejtimin e tij. Kryeministri Rama është ndalur tek ngjarja më e rëndësishme e muajit, siç është bllokimi i statusit kandidat. Rama pohoi se statusi u bllokua për arsye të brendshme të BE dhe nga disa ekstremistë të Holandës, të cilët sipas tij janë turpi i Bashkimit Evropian.
Sa përgjegjësi ka qeveria e shkuar për mosmarrjen, kur një ndër pak gjërat që e keni falenderuar ishte kontributi që ajo ka dhënë për çështjen e integrimit?
E vërteta është se në mosmarrjen e statusit ka pasur dy faktorë. Faktori A, ngurrimi se pavarësisht se qeveria e re po bënte një punë që kancelaria Merkel me gojën e saj e quajti befasuese, nga Shqipëria jemi mësuar që tjetër thuhet dhe tjetër bëhet, ndaj duam ende pak kohë. Faktori B, që përmbysi një punë të ngritur me shumë mund dhe e bëri të pamundur në finish të merrnim një rezultat që me shumë gjasa do të ishte pozitiv, forcat ekstremiste në disa vende. Filloi në Holandë dhe ajo që ndodhi në Holandë ishte i paprecedent, pasi për herë të parë një parlament kombëtar zhvilloi një debat dhe mori përsipër të vërë një veto, e t’i kërkojë ministrit të Jashtëm të mos guxojë të shkojë përtej kësaj vetoje, duke fyer Shqipërinë me lloj-lloj vlerësimesh apo me çështjen e besimit tonë, që për mua është absolutisht e papranueshme.
Mendoni se ky lloj paragjykimi do të zgjasë dhe ky lloj stigmatizimi që mund të kthehet në një sindromë Turqie do të zgjasë ndaj nesh?
Nuk jemi këtu për të profetizuar të ardhmen se çfarë do të ndodhë në një vend apo një tjetër. Fakti është që këto forca po rriten në sondazhe dhe ndikojnë qeveritë e tyre kur vjen çështja e zgjerimit, jo sepse qeveritë e këtyre vendeve lavdi Zotit mendojnë si këto forca, por sepse në mars ka zgjedhje këtu, në prill atje, e kështu me radhë.
Ju thatë se ishte shqetësues që brenda qarqeve pati etiketime për besimin me shumicë myslimane të vendit tonë.
Nuk e kanë thënë brenda qarqeve, e kanë thënë hapur këtë. Të gjithë ne kemi pasur mundësinë të dëgjojmë drejtpërdrejtë, se jemi shumë të befasuar nga puna e qeverisë së re, por mbase do të na duhet edhe pak kohë për të parë që kjo është një punë e qëndrueshme dhe këto arritje do të konsolidohen në vijim pasi nga Shqipëria, për fat të keq jemi mësuar të zhgënjehemi. Këtë kanë thënë disa nga qeveritë. Institucionet kanë folur qartë dhe nuk kanë gjë me ne, por këto forca që s’kanë gjë me Shqipërinë vetë, por me Bashkimin Europian në vetvete pasi duan të nxjerrin vendin e tyre nga BE, nga euro, s’duan të huaj e emigrantë, gjë që s’ka të bëjë me vlerat e BE-së në vetvete…
Ne kemi edhe një marrëdhënie me Konferencën Islamike, a mendoni se qeveria do të ketë një qëndrim të ri për këtë?
Unë mendoj se kush guxon të tregojë me gisht shqiptarët si myslimanë, duhet të marrë përgjigje nga kryeministri i vendit dhe të gjithë qytetarët e vendit, ne jemi myslimanë e të krishterë, jemi bashkë, jemi të gjithë myslimanë e të gjithë të krishterë njëkohësisht kur duhet e s’do të na ndajnë ca ekstremistë që janë edhe kundër BE. Unë refuzoj që Shqipëria të abuzohet për arsyen e fesë dhe për këtë jam krenar, e për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë, që ne jemi një model i harmonisë mes besimeve, një model i bashkëjetesës dhe për këtë model duhet të na kenë zili e të na marrin për shembull, e duhet të na e shohin si vlerë të shtuar e jo të na tregojnë me gisht, e kush, ato personazhe që janë turpi i BE-së.