Ndërtimet pa leje, si na shohin italianët

Reportazh nga gazeta italiane ”Corriere Della Sera”: Shqipëria në luftë me ndërtimet pa leje 


Që diçka kishte ndryshuar, kjo u kuptua vetëm mëngjesin e 20 tetorit të kaluar, që ishte e diel.
Kur, të gjitha stacionet televizive të vendit, njëherësh dhanë pamje të një pallati të vogël, në periferi të Tiranës, pa dyer e pa dritare, madje i palyer.
Në orën 13:11, kohë dreke, një shpërthim, telekamera që tronditen, fiksojnë fillimisht një re pluhuri dhe më pas karabinanë e pallatit ende e gjitha më këmbë.
Mision i mbetur përgjysmë, pasi u deshën buldozerët më pas për ta shkatërruar të gjithën në këtë cep të vogël të Evropës, që është Shqipëria, por që në fund të fundit përbënte një risi.

Plaga e ndërtimeve abuzive

Ky ishte gjesti i parë i madh, kundër abuzivizmit në ndërtime.
Një fenomen ku nuk ka shifra, madje as vlerësime të sakta.
Dihet vetëm se janë me mijëra ndërtimet, ku futen pallate, vila, restorante dhe bare për t’u shembur, pasi janë ndërtuar në anarki të plotë.
Që pas rënies së regjimit diktatorial, shumë pronarë filluan të ndërtojnë përgjatë vijës bregdetare dhe pranë lumenjve, shumë pranë fabrikave të mëdha, pranë spitaleve dhe shumë pranë pallateve të tjera.
Rezultati: pas 20 viteve demokraci bregdeti shqiptar është shndërruar në një vijë të pandërprerë apartamentesh, hotelesh dhe qendrash turistike, nga Shëngjini deri në Ksamil, pothuajse në kufi me Greqinë.
Në disa rrugë, sidomos në kryeqytet, është e vështirë madje të kalosh edhe më këmbë.
Aq e vështirë sa në një rast zjarri apo urgjence mjekësore, nuk arrijnë të kalojnë as zjarrfikësit dhe as ambulancat.
Disa vjet më parë për të shuar zjarrin në një pallat në Tiranë, u desh ndërhyrja e një buldozeri që hapi rrugën duke shembur disa kioska dhe mura rrethues vilash.

Kursi i ri

Por, pastaj erdhi Edi Rama. Piktor, socialist, ish-kryetar i bashkisë së Tiranës, i zgjedhur kryeministër më 23 qershor 2013.
”Mjaft me këtë abuzivizëm në ndërtime. Ta pastrojmë Shqipërinë”, kërkoi Rama.
Dhe iu hap rruga eksplozivëve për të shembur mostrat e betonit.
Pikërisht në kryeqytet, që kryeministri e njeh po aq mirë sa xhepat e tij. Por edhe në lokalitetet turistike.
”Është vetëm fillimi”, thonë me vendosmëri përfaqësues të qeverisë së qendrës së majtë.
Vetëm koha do të tregojë nëse bëhet fjalë për një gjilpërë në kashtë apo për një kapitull të ri për vendin.

Shembjet

Shembet dhe sekuestrohet në të njëjtën kohë.
Shtatë ditë më pas nga ngjarja e Tiranës telekamerat shpërngulen në Vlorë.
Lungomare, ndërtesë me shtatë katë.
Pas pak sekondave, në orën 14:00 një pallat thërrmohet pjesë-pjesë.
U deshën 285 kilogramë eksploziv C-4 të futur në rreth 2 000 vrima.
Katër ditë më pas dhe ja ku shohim ruspat në veprim në Durrës, pranë bregdetit.
Ndërhyjnë kundër një ndërtimi që duhej të kishte një restorant, një bar dhe një hotel.
Mure të ngritura pa asnjë lloj lejeje.
Apo më saktë, një leje që pronari e kishte, por vetëm sa për të ndërtuar një dyqan lulesh.
Një tjetër, që kishte ndërtuar një pallat të madh nuk priti grupin që shembte ndërtesat.
Filloi ta shembë vetë atë që sapo e kishte përfunduar.
Por, ka shumë të tjerë që as duan t’ia dijnë dhe ngujohen në shtëpitë e tyre, mbyllin dyer e dritare dhe arrijnë të marrin ndonjë shtyrjeje afati për shembjen e tyre.
Kështu ndodh në çdo qytet dhe vijë bregdetare.
Ata që e vuajnë më shumë këtë, janë ata që kanë blerë shtëpi në këto ndërtime të paligjshme.
Shqiptarë të emigruar jashtë, në Itali, Greqi, Francë dhe SHBA.
Por, edhe shumë kosovarë në kërkim të një shtëpize pranë detit.
Çfarë do të bëhet me gjithë këto shtëpi?
Tani për tani nuk e di askush.
Disa kanë arritur të marrin një farë dëmshpërblimi, ndërkohë që shumë të tjerë shpresojnë ta fitojnë çështjen në gjykatë.

Ndërtuesit politikanë

Kjo çështje është shndërruar në politike.
Ndërmjet (shumë) ndërtuesve abuzivë ka më shumë se një parlamentar.
Ndërtesa e radhës që do të shembet, vetëm çështje kohe, është kompleksi rezidencial ”Jon” i shtrirë madje në det, në Vlorë.
Ndërmjet pronarëve të këtij kompleksi figuron edhe vjehrri i Lulzim Bashës, kryetari aktual i bashkisë së Tiranës dhe i Partisë Demokratike, tashmë në opozitë.
Ai pretendon për një sulm politik.
Qeveria i përgjigjet se ”ligji është i barabartë për të gjithë” dhe se ”gjithçka abuzive duhet të shembet”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close