Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Zbulohet një varr masiv në Serbi, dyshohet se janë varrosur 250 shqiptarë

Një varr masiv ku dyshohet se janë trupat e 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë është zbuluar në fshatin Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë. Gjatë ditës së djeshme ekipet e ekspertëve nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe i atyre të EULEKS-it, pas gërmimeve të bëra në vendin, ku dyshohet që mund të ketë trupa të viktimave të vrarë, në Rashkë të Serbisë, kanë gjetur rroba dhe eshtra të viktimave të vrarë nga lufta në Kosovë.

Lajmi për zbulimin e varrezës masive u konfirmua dje nga qeveria serbe ndërkohë që ekspertët vendas dhe evropian të mjekësisë ligjore, thanë se gjatë gërmimeve janë gjetur rroba dhe eshtra të viktimave të luftës në Kosovë.

Prokurori i Krimeve të Luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviç tha se varri është zbuluar pranë fshatit Rudnica, ndërkohë që zëdhënësi i tij Bruno Vekariç shtoi se trupat ishin varrosur aty, ku në 1999 menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë u ndërtua një parkim makinash.

“Sipas dëshmitarëve, aty mund të jenë trupat e 250 shqiptarëve” – thotë Vukçeviç.

Varri masiv i Rudnicës është varri i gjashtë që përmban viktimat e masakrës së Millosheviçit gjatë luftës 1998-1999, nga e cila Kosova numëron mbi 10 mijë të vrarë e 5 mijë të zhdukur.

Në 1998-1999 forcat serbe kryenin vrasje masive në fshatrat e Kosovës dhe i varrosnin viktimat pranë vendit ku kryenin vrasjet por më pas, kur u bë e qartë se NATO do të ndërhynte, qeveria e Millosheviçit urdhëroi që trupat të zhvarroseshin dhe të dërgoheshin diku tjetër në Serbi apo në Bosnjë.

Rreth 1000 trupa u gjetën pranë bazës së këtyre forcave në Batanjica, jashtë Beogradit, dhe Rudnica prezanton varrin e dytë më të madh masiv që është gjetur, pas Batajnicës, deri tani.

Në atë zonë edhe më herët ishin bërë gërmime, por pa rezultate.

Back to top button