“Për Shkupin, Kosova e Shqipëria, armike”

Maqedonia i sheh Kosovën dhe Shqipërinë si vende armike prandaj asnjëherë nuk emëron ambasador shqiptarë në këto vende. Në këtë mënyrë ka reaguar deputeti i PDSH-së opozitare, Orhan Ibrahimi lidhur me emërimin e ambasadorit të ri të Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski.

Për deputetin e PDSH-së, është shqetësues fakti që një ish-punonjës i shërbimit inteligjent të Maqedonisë të emërohet ambasador në Prishtinë.

“Pse ambasadori të jetë nga këto qarqe, si punëtor i shërbimeve inteligjente? Pse pikërisht në Kosovë. Maqedonia, por sidomos kjo qeveri BDI-VMRO, Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë nuk i sheh si vende mike, por si vende armike. Tani e shohim Ministrinë e Jashtme se nuk mund të gjejë kuadro adekuate shqiptare për ambasador, sepse këto kuadro do të duhet të shkojnë me mision special për të spiunuar dhe për të bërë punë të ndyra në shtetet shqiptare, jo për të vendosur relacione të mirëfillta”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së-

Këto pohime të deputetit të PDSH-së i ka kundërshtuar kolegia e tij nga BDI-ja, Ermira Mehmeti e cila shpreson se ambasadori i ardhshëm i Maqedonisë në Kosovë do të ketë rol konstruktiv në forcimin e raporteve mes dy vendeve.

“Fatëkeqësisht ju e përdorët frazën vende armike, mendoj se kjo do të ishte një tragjedi retorike me të cilën mund të shprehet një deputet. Fakti që ambasadori i sotëm flet shqip, ka studiuar këtë gjuhë, për mua është një mesazh se ambasadori i ardhshëm do të jetë një shqiptarë sepse ky është realitet dhe kjo është politika e pajtimit, bashkëpunimit dhe e ndërtimit të fqinjësisë së mirë mes shteteve të Ballkanit”, replikoi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, që u shoqërua me shumë polemika mes deputetëve shqiptarë, ambasadori i ri i Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski prezantoi platformën e tij dhe zotua se do të angazhohet për forcimin e raporteve të dy vendeve në të gjitha fushat.

Ilija Strashevski, tre vitet e fundit ka punuar në ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë. Paraprakisht, për nëntë vite me radhë ka qenë i punësuar në shërbimin intelegjent maqedonas, ndërsa ka përfunduar Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Shkup.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close